Historia e Apalasheve

Në rast se kthehemi shumë mbrapa në kohë, deri gjysmë miliard vjet më parë, mund të përfytyrojmë se në zonën ku sot shtrihet pjesa lindore e Amerikës së Veriut ka ekzistuar një gjeosinklinal, një gropë e madhe rreth 900 kilometra e gjerë. Gjatë shumë miliona vjetëve kjo gropë është mbushur herë pas here me det dhe me lumenj, të cilët rridhnin nga një vargmal madhështor, dhe mbartnin e linin aty, në detin që zinte . pjesën qendrore të gropës, materiale fundërruese. Fundërresat grumbulloheshin më shpejt gjatë brigjeve lindore dhe kështu, në këtë pjesë gropa detare u. shndërrua dalëngadalë në një zonë të gjerë kënetore me ujë të ëmbël, në këneta ku bimët e vdekura që grumbulloheshin, do të formonin më vonë qymyrin e gurit.
Me kalimin e kohës, forca vigane me drejtim nga veriperëndimi shkakton ngritjen e gjeosinklinalit dhe disa nga rrudhat arritën ndofta lartësinë 5.000 metra. Rrudhosja ishte kaq e plotë dhe e theksuar saqë sinklinali, në fillim ishte 900 kilometra i gjerë, në disa vende u ngushtua deri në 400 kilometra. Në këtë mënyrë, 200 ose 300 milionë vjet më parë lindën Apalashet. Dalëngadalë gërryerja i zvogëloi malet, lëvizjet e kores tokësore i plasaritën dhe i ndryshuan disa rrudha; masa lënde të shkrirë, të përbërë prej graniti dhe bazalti, dolën përmes të çarave që ekzistonin në shtresat shkëmbore. Më në fund, majat e rrudhave u zhdukën dhe malet u ulën pothuajse deri në nivelin e fushave. Megjithatë, shtytje të tjera të drejtuara lart i ngritën përsëri mbeturinat e maleve të dikurshme. Këto male të formuara rishtas, u gdhendën nga lumenjtë dhe formuan malet Apalashe që shohim sot. Po çfarë ndodhi me atë sasi të pallogaritshme shkëmbi që u gërrye nga Apalashet e vjetra, nga këto male që krahasoheshin fare mirë me Alpet tona të sotme? Tërë ky material shkëmbor u muar nga era dhe nga uji, grimcë pas grimce, dhe u çua kryesisht drejt lindjes. Grumbuj të mëdhenj mbeturinash shkëmbore rrinë të ngurosura sot në zonat pranë brigjeve të Atlantikut, ku formojnë shtresa me trashësi deri në gjashtë kilometra.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]