Mineralet e magmës

Disa minerale janë formuar nga magma që ngjitet nga thellësitë e planetit. Kur ngjitet për të dalë jashtë, magma përmban në gjendje të shkrirë materiale që shndërrohen në minerale. Çfarë mineralesh formohen? Kjo varet nga temperatura dhe nga kombinacionet e ndryshme që ndodhin ndërmjet elementeve të magmës. Kështu, magma që ngjitet në vullkanin e Mauna Loas formon një shkëmb bazaltik; përkundrazi, magma e vullkanit të Pelesë formoi një shkëmb të ngjashëm me granitin.
Me ftohjen e magmës lindin mineralet. Disa kanë në fillim gjendje gazore, pastaj, duke u ftohur edhe më shumë, shndërrohen në lëngje dhe, së fundi, kthehen në gjendje të ngurtë. Nga ana tjetër, dora-dorës që procesi i ftohjes vazhdon, tërë magma, ose pothuaj e tëra, pak nga pak ngurtësohet. Shkëmbi i formuar në këtë mënyrë mund të përbëhet nga kokrriza të vogla, që ngjajnë të gjitha njëlloj, ose mund të paraqesë damarë, të cilët u detyrohen mineraleve të llojeve të ndryshme. Gjithçka varet nga përmbajtja e magmës dhe nga kushtet në të cilat është ftohur ajo. Në qoftë se magma ftohet me ngadalë, formon kristale më të mëdha se kristalet që formohen kur ftohet me shpejtësi; ftohja e ngadaltë lejon në të vërtetë zmadhimin e kristaleve përpara se ngurtësimi të ketë përfunduar krejtësisht. Zakonisht, magma që ndodhet në thellësi ftohet ngadalë, duke synuar kështu të krijojë kristale të mëdha, nganjëherë tepër të mëdha. Por magma që ndodhet në sipërfaqe, ftohet shumë shpejt, duke formuar kristale aq të vogla, sa mund te shihen vetëm me mikroskop. Lava që del nga një vullkan mund të ftohet aq shpejt saqë mund ta bëjë të pamundur formimin e kristaleve dhe, në këtë rast ngurtësohet duke formuar një masë të lëmuar dhe të qelqtë; një shembull i këtyre rasteve është oksidiani.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]