Shpjegimi i agimeve polare

Edhe në polet, ku arrin vlerën me të madhe, forca e magnetizmit tokësor është mjaft e dobët. Tërheqja që ushtrohet nga një magnet në formë patkoi mbi një copë hekuri është nja njëqind herë më e madhe. Megjithatë, magnetizmi tokësor duhet të jetë mjaft i fuqishëm, që të jetë në gjendje të shkaktojë ato dukuri të çuditshme dhe interesante. Një nga këto dukuri është e ashtuquajtura dukuri e «agimeve polare». Agimet polare janë ndriçime të gazit të shtresave më të larta të atmosferës: hidrogjenit, oksigjenit dhe azotit. Kur atomet e këtyre gazeve goditen nga grimcat shumë të shpejta që përftohen gjatë shpërthimeve diellore, ato shndrisin njëlloj s’i gazi i llambave fluoreshente. Kur këto predha diellore futen në fushën magnetike të Tokës, ato ndjekin disa drejtime që përputhen me vijat e forcës së fushës magnetike.
Në këtë mënyrë krijohen ndriçimet shumë të bukura që marrin emrat «ndriçim në formë perdeje», «ndriçim në trajtë rrezesh», dhe «ndriçim në trajtë kurore». Ndriçimin më të madh agimet polare e kanë sipër poleve, ku magnetizmi i Tokës është më i fortë. Kur ndodh një agim polar mbi njërin nga polet, atëherë një i tillë do të ndodhë në të njëjtën kohë edhe mbi polin tjetër. Një vrojtues i ndodhur mbi një satelit artificial, disa mijëra kilometra larg Tokës, do të shikonte ndriçime polare dhe mbi polin verior edhe mbi polin jugor, dy ndriçime krejt të njëjta, të ngjashme me dy shatërvanë vigane vezulluese.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]