Stratigrafia dhe tektonika

Stratigrafia është shkenca që studion shtresat fundërresore dhe pozicionin e tyre për të gjykuar mbi moshën e tyre dhe mbi mënyrën e zhvillimit të ngjarjeve. Përkundrazi, «tektonika» studion shformimet dhe zhvendosjet e shpejta të kores së Tokës, për shkak të veprimit të forcave që ushtrohen mbi rruzullin e saj. Për shkak të forcave të brendshme të kores së Tokës, mbeturinat që janë grumbulluar dhe kanë formuar një shtresë me trashësi mjaft të madhe, mund të kenë qenë të detyruara të ngjeshen dhe të formojnë disa rrudha të quajtura «antiklinale» (po qe se kanë shtresë më të vjetër në bërthamë), ose «sinklinale» (po qe se në bërthamë kanë shtresë më të re). Shpesh palat, ose rrudhat ngatërrohen me njëra-tjetrën për shkak të thyerjeve që shoqërohen me zhvendosjen e dy skajeve të afërta të shtresave; mund të verifikohet nëse kemi zhvendosje apo kërcim të njërës mbi tjetrën. Në fundin e detit dergjen të fundosura thellë materiale fundërresore, të përbëra nga mbeturinat shkëmbore të maleve.

Argjilat e kuqe dhe gurët ranorë janë mjaft të zakonshëm në afërsi të brigjeve; më në thellësi gjenden konglomeratët dhe gëlqerorët, si edhe rëra e zalli të lënë nga akullnajat. Në Kanada, në një pjesë të madhe të zonës në lindje të Maleve Shkëmbore, gjendet e ashtuquajtura «Mburoja Kanadeze», që përbëhet nga një masë jashtëzakonisht e madhe shkëmbi tepër e lashtë, nga e cila janë gërryer shtresat fundërresore të mëvonshme. Mburoja është mbase ajo që ka mbetur nga shkëmbinjtë fundërresorë të shndërruar nga ngrohtësia, presioni dhe veprimet kimike gjatë mijëra vjetëve

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]