Thesari i moçaleve
Nxehtësia, presioni dhe veprimet kimike i shndërrojnë fundërrimet në mënyrë të habitshme. Më poshtë po japim historinë e një zone tipike minerare. Rreth 225 deri 275 milionë vjet më parë në truallin e Amerikës që sot quhet Pensilvania Perëndimore, ekzistonte një zonë e pamatur moçalore ku brumbujt gjigantë, skolopendrat dhe amfibët primitivë disa nga kafshët më të larta të Tokës zvarriteshin ndërmjet bimëve të panumërta të larta, të ngjashme me fieret. Më lart gumëzhinin re të çuditshme shumë të mëdha insektesh. Klima ishte e butë dhe bimësia e dendur. Për shekuj e shekuj me radhë rriteshin bimë primitive, vdisnin e shkatërroheshin duke u kalbëzuar. Për shekuj e shekuj me radhë lënda bimore e vdekur dhe e kalbëzuar grumbullohej gjithnjë e më shumë.
Me kohë toka filloi të ngrihej, deti pak nga pak u zmbraps dhe moçalet filluan të thahen. Për miliona vjet argjila dhe rëra u mbartën nga era mbi këto moçale të vjetra. Ngritja e tokës vazhdoi derisa u formuan malet madhështore, mbi majat e të cilave gjenden sot disa prej fundeve të moçaleve të lashta. Forcat vigane që e kishin detyruar Tokën të rrudhosej dhe të formonte malet, kishin ngjeshur fort edhe materialet e kalbëzuara të moçaleve. Atje ku ato një herë e një kohë kishin patur një trashësi prej disa qindra metrash, tani kishin një trashësi vetëm prej disa metrash. Shtresat e zeza dhe të rrudhura ishin në thellësi të shkëmbinjve. Me kalimin e disa miliona vjetëve vargmali u rrënua; argjilat dhe gurët ranorë që e mbulonin, u gërryen nga erozioni. Më në fund një pjesë e depozitimeve të vjetra e të ngjeshura të moçaleve filloi të ngrihej, e shndërruar në atë lëndë të zezë e shkëmbore që quhet qymyr lënda e djegshme që ka ndihmuar së tepërmi në zhvillimin e industrisë së sotme.