Çtregojnë miliarda magnete
Disa minerale, veçanërisht hematiti dhe magnetiti, që janë okside të hekurit, formohen njëkohësisht në magmën bazaltike, kur kjo e fundit ftohet në oxhakun e vullkanit ose kur del jashtë në trajtën e lavës. Gjatë procesit të ftohjes kokrrizat e këtyre mineraleve magnetizohen dhe secila prej tyre sillet si një magnet i vogël. Në çastin e formimit të tyre, meqenëse materiali në të cilin ndodhen është mjaft i lëngët, ato mund të lëvizin lirisht dhe të orientohen sipas poleve magnetike të Tokës, domethënë të sillen si gjilpëra të vogla magnetike, dhe pastaj të ngurtësohen në këtë pozicion.
Meqenëse këto kokrriza të renditura janë tepër të shumta në numër, gjeofizikanët, duke shqyrtuar me kujdes shkëmbinjtë vullkanikë, mund të gjejnë me mjaft saktësi drejtimin e poleve magnetike të Tokës. Këto gjilpëra busulle të vockla, megjithatë, nuk e humbasin magnetizimin e tyre, ashtu siç ndodh me një magnet-lodër të harruar në një qoshe. Në shkëmbinjtë që kanë një moshë prej disa miliona vjetësh, kokrrizat i gjejmë të magnetizuara, gjë që do të thotë se ato nuk e kanë humbur magnetizimin. Edhe kokrrizat e gjetura në shkëmbinjtë fundërresorë i kanë ruajtur vetitë e tyre magnetike. Këta shkëmbinj rrjedhin nga grumbullimi i materialeve që kanë ardhur nga gërryerja e shkëmbinjve vullkanikë dhe që janë marrë pastaj me vete nga era dhe nga uji, prandaj kokrrizat magnetike që përmban në to dhe që janë depozituar në fundin e një liqeni ose të një deti, vazhdojnë ta ruajnë drejtimin veri-jug edhe kur fundërrimet shndërrohen në shkëmb të fortë. Kokrrizat e materialit magnetik që gjenden në formacionet shkëmbore shpërthimore dhe fundërresore të Amerikës së Veriut, të Anglisë dhe të Australisë, tregojnë se gjatë erave gjeologiike polet magnetike të Tokës kanë pësuar zhvendosje të dukshme. Poli magnetik verior është vërtetuar se dikur ka qenë, ndër të tjera, edhe në pjesën veriore të oqeanit Paqësor, në Kore dhe në shtetin Arizona. Por kjo nuk është e gjitha: polet magnetike, bile, kanë ndërruar edhe vendet! Mos vallë bëjnë shaka me ne këto busulla të vockëla? Kjo nuk ka shumë të ngjarë, sepse ekzistojnë edhe prova të tjera që u japin të drejtë atyre. Mbeturina akullnajore të lashta, të periudhës permiane, janë gjetur në Afrikë, 1000 kilometra larg ekuatorit. Dhe busullat e vogla të gjetura në shkëmbinjtë e kësaj periudhe, me një moshë prej 300 milionë vjetësh, janë kthyer drejt një zone të Paqësorit Veriperëndimor, në gjerësinë 42 gradë, që është afërsisht gjerësia e Tiranës. Në rast se poli verior ka qenë me të vërtetë aty gjatë permianit, atëherë poli jugor duhet të ketë qenë në Atlantikun jugor dhe Afrika ka qenë ndofta shumë afër polit nga sa është tani: Kjo mund të jetë një shpjegim për praninë e akullnajave në brendësi të Afrikës gjatë periudhës permiane. Zhvendosja e poleve mund të shpjegojë gjithashtu edhe zbulimet e çuditshme të shtresave të qymyrit (që formohen në këneta me klimë të nxehtë) në ishujt Shpicberg dhe në Antarktidë. Ja edhe një shembull tjetër. Kohët e fundit gjeofizikanët, duke marrë si shembull shkëmbinjtë ranorë të formuar nga rërat e sjella nga era rreth 300 milionë vjet më parë në Vioming dhe Utah, vunë re se pamja e formacioneve shkëmbore tregon që gjatë asaj periudhe era ka fryrë kryesisht nga verilindja. Sipas meteorologjisë së sotme, drejtimi kryesor i erërave në një vend të caktuar varet nga gjerësia e vetë zonës, domethënë nga largësia e saj prej ekuatorit. Duke gjykuar nga pamja e shkëmbinjve ranorë të shqyrtuar, duhet të mendojmë se poli gjeografik verior në atë kohë ndodhej në një pikë në veri të vendit ku shtrihet sot Japonia. Nga vrojtimi i drejtimit të gjilpërëzave magnetike të këtyre shkëmbinjve ranorë, arrihet në të njëjtin përfundim.