ÇOROVODA
✤ Qytet i ri në qendër të Shqipërisë (J), në krahun djathtë të 1. Osum, qendër e rrethit të Skraparit (shih). Popullsia 5914 banorë. Është vendbanim i mesjetës së hershme. Më 1909 u ngrit këtu një nga shkollat e para shqipe dhe një klub patriotik. Gjatë regjimit të A.Zogut ishte një qendër e vogël administrative. Banorët kanë marrë pjesë në lëvizjen fshatare. Ishte bazë e rëndësishme e Luftës ANÇ dhe qendra e parë administrative, që u çlirua më 5.9.1942 (shih: Aksionet për çlirimin e Çorovodës).
Pas Çlirimit në Ç. u bënë ndryshime rrënjësore. Është bërë një qytet i bukur i ndërtuar tërësisht gjatë viteve të Pushtetit Popullor. Ç. është qendër me bujqësi dhe industri të zhvilluar, qendër e rëndësishme kulturore e arsimore. Degë kryesore e prodhimit është industria e përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale. Ajo jep 53% të prodhimit industrial të rrethit. Ç. ka dy shkolla 8-vjeçare, shkollë të mesme të bashkuar, shtëpi pionieri, bibliotekë, pallat kulture, Muzeun Historik, Muzeun e arsimit të rrethit, muzeun e shkollës së mesme. Veprojnë Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, bërthama shkencore të arsimtarëve. Ka spital, klinikë stomatologjike, shtëpinë e lindjes, qendër epidemiologjike dhe rrjet të shërbimit tregtar e komunal. Ndërtimet pas Çlirimit u bënë në përshtatje me relievin, qyteti u zgjerua me lagje të reja, me banesa shumëkatëshe, rrugë të gjera dhe me kalldrëm dekorativ. Ç. ka sheshin e vogël historik, ku janë zhvilluar disa mitingje në të cilat ka folur shoku Enver Hoxha. Në periferi të qytetit ndërtohet zona industriale.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Çorovoda