ÇELEBI EVLIJA


ÇELEBI EVLIJA
✤ (Muhamed Dhilhi Ibni Dervishi, shek.XVII). Funksionar i lartë i oborrit të sulltanit, me detyrën nazir (inspektor) që raportonte për gjendjen e krahinave osmane. Vizitoi mjaft krahina të perandorisë dhe shumë vende të Azisë e të Evropës P. Hartoi veprën në 10 vëllime Udhëtimet (Sejjahatnnamesi, botuar më 1902), që ka shumë të dhëna me interes edhe për Shqipërinë, kryesisht në vëll.VIII. E.Ç. e vizitoi Shqipërinë dy herë. Në udhëtimin e parë (1662) vizitoi Shkodrën, Tivarin, Ulqinin, Lezhën dhe qendrat qytetare të Shqipërisë së Mesme, të cilat i përshkruan me hollësi. Në udhëtimin e dytë (1670) vizitoi dhe qytetet shqiptare të Kosovës: Mitrovicën, Vuçiternin, Prishtinën, Kaçanikun, Gjakovën etj., për të cilat thekson se popullsia ishte shqiptare dhe fliste shqipen. Në vepër ka shënime të vlefshme edhe për qytetet në J deri në Prevezë dhe të dhëna për timaret, taksat e ndryshme që mblidheshin, tregtinë, zejtarinë, bujqësinë, artin, demografinë, veshjet, kalatë, sidomos për jetën qytetare të vendit. Por në të dhënat e tij ka teprime sidomos në ato me karakter ëkonomik dhe prirje për ta zbukuruar gjendjen.

(Z.Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Çelebi Evlija


[cite]