E ARDHURA NETO E CENTRALIZUAR E SHTETIT


E ARDHURA NETO E CENTRALIZUAR E SHTETIT
✤ Pjesë kryesore e së ardhurës neto të shoqërisë, e cila krijohet në ndërmarrjet socialiste shtetërore që prodhojnë kryesisht mallra konsumi, dhe që përqendrohet në buxhetin e shtetit (shih) me disa norma fikse të caktuara në mënyrë të, centralizuar si pjesë përbërëse e çmimit të shitjes së mallit. Si kategori ekonomike e socializmit, e A.N. e C. e Sh. shpreh marrëdhënie financiare socialiste midis shtetit dhe ndërmarrjes; nga pikëpamja praktike del si diferencë ndërmjet arkëtimeve monetare të llogaritura me çmimin me shumicë të degës dhe çmimit me shumicë të ndërmarrjes. Ndërmarrja detyrohet ta derdhë atë në buxhetin e shtetit, pasi të ketë arkëtuar çmimin e shitjes së mallit, pavarësisht nga plotësimi i planit të kostos për njësi.

E A.N. e C. e Sh. përbën njërin nga burimet kryesore të të ardhurave të buxhetit dhe përdoret me plan për nevoja të gjithë shoqërisë. Ajo shërben si mjet në duart e shtetit për drejtimin me plan të ekonomisë dhe për kontrollin me anë të lekut (shih) mbi plotësimin e planit të prodhimit në sasi, asortiment, cilësi, dhe me shpenzime sa më të vogla për njësinë e prodhimit.

(F.I.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – E Ardhura Neto E Centralizuar E Shtetit


[cite]