E DHJETA
✤ (Yshyri). Detyrim në natyrë mbi prodhimet bujqësore të fshatarëve, që shkonte në dobi të pronarëve feudalë të tokës ose të shtetit. Dokumentohet në Shqipëri qysh nga shek.XIII. Gjatë sundimit osman e dhjeta vilej prej spahiut mbi prodhimet e drithërave, perimeve, rrushit, verës. ullirit, vajit, barit etj. Përveç tyre fshatari duhej të jepte në natyrë edhe detyrimin mbi kashtën e drithërave, të quajtur salari. Kur salaria vilej së bashku me yshyrin, spahiu i merrte fshatarit një të tetën e gjithë prodhimit bujqësor. Pas reformave të Tanzimatit (shih) e Dh. i shkonte shtetit, madje arriti deri në 12,5-15%. Fshatarët çifçinj (shih) përveç asaj i jepnin çifligarit edhe të tretën e prodhimeve bujqësore. E Dh. jepte shkas për abuzime e arbitraritete të shumta nga sipërmarrësit e vjeljes së kësaj takse, dhjetarët. Mbeti në fuqi deri në çlirimin e vendit nga pushtimi fashist.
(P.Th.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – E Dhjeta
[cite]