Regjistrimi kadastral i vitit 835h. (1431-1432)

Regjistrimi kadastral i vitit 835h. (1431-1432)

Aparati shtetëror qendror e lokal i Perandorisë Osmane kujdesej për zbatimin e sistemit të timarit, mbi bazën e të cilit ishte ngritur e funksiononte tërë ngrehina politike, ushtarake e administrative e Perandorisë Osmane. Të ardhurat që vileshin nga tatimet e sistemit të timarit mbanin në këmbë gjithë aparatin shtetëror dhe mbulonin shpenzimet e tij. Gjithashtu ushtria e spahinjve, e zotëruesve të timareve, ishte pjesa më e rëndësishme e forcave ushtarake osmane që zbatonte sistemin e timarit, që mbante në këmbë Perandorinë Osmane dhe që, nëpërmjet luftërave pushtuese, zgjeronte kufijtë e saj.
Kujdesin e veçantë, që kishte aparati shtetëror për zbatimin e sistemit të timarit, e tregojnë më së miri procesi i regjistrimeve kadastrale të herëpashershme dhe shënimet e shumta anësore me të cilat janë pajisur regjistrat përkatës. Hartuesit e kadastrave (eminët) dërgoheshin nga kryeqyteti për të bërë regjistrimet. Në bazë të dekreteve (berateve), që sulltani u kishte lëshuar spahinjve, eminët shkonin fshat më fshat për të regjistruar shtëpitë, pronat e tatimet që duhej të vileshin. Në përfundim të këtij procesi eminët hartonin regjistrat e hollësishëm (mufasal defteri).

Gjithashtu ata bënin edhe kopje të përmbledhura të tyre, siç është edhe regjistri kadastral i vitit 835 h. (1431-1432), që është zbuluar në arkivat turke. Ai është i pajisur me shënime anësore që janë bërë vazhdimisht, deri në vitin 1455, për të pasqyruar zëvendësimin e spahinjve të mëparshëm me të rinj, ndryshimet që pësonin timaret, duke i zmadhuar ose zvogëluar ato, si dhe krijimin e timareve të reja me fshatra e grupe familjesh që zbuloheshin si të paregjistruara e të fshehura etj. Prandaj herë pas here ndërmerreshin regjistrime të reja, nëpërmjet të cilave administrata qendrore e ajo lokale siguronte pasqyra më të plota e të sakta për funksionimin e sistemit të timarit. Në këtë kuadër u ndërmor edhe regjistrimi i vitit 835 h. (1431-1432), nga i cili është zbuluar një kopje e përmbledhur e tij. Ai është regjistri kadastral më i hershëm për Ballkanin i hartuar nga administrata osmane dhe i zbuluar deri më tani. Kjo kopje është e ndarë rastësisht në dy pjesë, nga të cilat vetëm njëra është botuar në vitin 1954 prej historianit turk Halil Inalçik. Në të janë shënuar emrat e ndarjeve administrative e të qendrave të banimit, emrat e spahinjve, llojet e tatimeve që paguheshin e madhësia e tyre e shënuar në akçe (monedhë osmane) etj.

Ashtu si gjatë regjistrimit të kohës së sulltan Mehmetit I, edhe me regjistrimin e ri të vitit 835 h. (1431-1432), Gjirokastra vazhdoi të ishte kryeqendra e Sanxhakut Shqiptar dhe në këtë sanxhak ishin përfshirë krahinat nga Çamëria deri në lumin Mat. Ai ishte i ndarë në 11 vilajete, të cilat më vonë do të quhen kaza: vilajeti i Gjirokastrës, i Këlcyrës, i Kaninës, i Beratit, i Tomoricës, i Skraparit, i Pavël-Kurtikut, i Çartallozit, i Krujës, i Përmetit dhe i Korçës. Dy vilajetet e fundit janë përfshirë në pjesën e pabotuar të regjistrit osman të vitit 835 h. Si sanxhakbe i Sanxhakut Shqiptar u caktua Ali bej Evrenozi.

Krahas krahinave që ishin përfshirë në Sanxhakun Shqiptar, shënimet anësore të regjistrit të vitit 835 h. (1431-1432) tregojnë se ndërkohë osmanët kishin regjistruar edhe rajone të tjera shqiptare. Sipas tyre, në një regjistër të veçantë e të panjohur deri tani ishin shënuar zotërimet e Gjon Kastriotit. Në këto regjistra nuk u përfshinë zotërimet veneciane në Shqipëri.

Sipas regjistrit të vitit 835 h. në Sanxhakun Shqiptar ishin rreth 475 timare, duke përfshirë edhe shtesat e bëra gjatë viteve të mëvonshme. Shumica e timareve, afro 80% e tyre, u ishte dhënë spahinjve myslimanë të huaj, midis të cilëve kishte edhe osmanë. Pjesa tjetër ishin spahinj shqiptarë myslimanë apo të krishterë. Këta, veçanërisht spahinjtë e krishterë, ishin caktuar në rajone të thella, ku administrata osmane e kishte vështirë të vepronte. Në raste të tilla eminët nuk shkelnin fare nëpër fshatra dhe i regjistronin banorët e tyre formalisht, sipas regjistrit të mëparshëm ose deklarimit të spahinjve. Kështu u veprua për fshatrat e rajonit të Këlcyrës, për fshatrat e viseve përgjatë rrjedhjes së lumit Shkumbin etj.

Historia shqiptare

 

[cite]