Regjistrimet e para kadastrale osmane në Shqipëri
Organizimi i Perandorisë Osmane dhe funksionimi i aparatit të saj shtetëror mbështetej mbi pronën feudale ushtarake, sistemin e timarit. Kjo lloj prone u vendos në Ballkan dhe në Shqipëri gradualisht, që me pushtimet e para osmane të shek. XIV. Por mungojnë burimet historike të shek. XIV për të pasqyruar dinamikën e shtrirjes në kohë e hapësirë të sistemit të timarit.
Dokumenti më i hershëm i zbuluar der tani, për të njohur sistemin agrar që vendosën pushtuesit osmanë në Shqipëri dhe në Ballkan, është një regjistër kadastral i vitit 835 h. (1431-1432), i emërtuar “Regjistri i Sanxhakut Shqiptar” (Defter-i Sancak-i Arvanid). Në të janë përfshirë një pjesë e viseve të Shqipërisë Perendimore, që shtriheshin nga Çamëria deri në lumin Mat. Krahas pasqyrimit të shpërndarjes së timareve në çastin e hartimit të regjistrit, në të ka edhe shënime që u referohen periudhave më të hershme, kohës së sulltan Bajazitit I (1389-1402) dhe të sulltan Mehmetit I (1413-1421).
Të dhënat e regjistrit të vitit 1431-1432 për praninë e sistemit të timarit në Shqipëri që në fund të shek. XIV janë fare të pakta dhe kanë të bëjnë me krahinën e Korçës e të Përmetit. Kurse për kohën e sulltan Mehmetit I janë më të shumta. Ato tregojnë se pas pushtimit prej osmanëve në vitet 1417 e 1418 të kështjellave të Gjirokastrës, të Beratit, të Kaninës etj., ishte bërë një regjistër kadastral dhe ishte formuar Sanxhaku Shqiptar po me atë shtrirje të përafërt që do të kishte edhe në regjistrimin e mëvonshëm të vitit 1431-1432.
Në kohën e sulltan Mehmetit I pushtuesit osmanë kryen regjistrimin themeltar të vendbanimeve, të shtëpive, të pronave tokësore, i grupuan ato nëpër timare të madhësive të ndryshme (sipas funksionit e influencës që kishin spahinjtë), caktuan llojet e taksave dhe sasinë e detyrimeve që familjet e regjistruara duhet t`i paguanin shtetit dhe spahiut të tyre.
Ata synonin të zbatonin sistemin e tyre feudal ushtarak dhe, në radhë të parë, të vendosnin pronësinë feudale osmane mbi tokën, e cila ishte mjeti kryesor i prodhimit. Të gjitha tokat e punueshme, arat, livadhet, kullotat, pyjet, korijet, pavarësisht në duart e kujt ndodheshin, konsideroheshin pronë mirie, d.m.th. pronë shtetërore (araz-i mirye) dhe vetëm një fond i kufizuar tokash u jepej si pronë private (araz-i mulk) komandantëve të shquar ushtarakë. Toka vakuf (erz-i vakfe-tokë e shenjtë) formonte një kategori të veçantë prone, atë të institucioneve fetare.
Nga ana formale juridike pronari i tokave të shpallura mirie konsiderohej Zoti, por ajo administrohej prej sulltanit, i cili konsiderohej halif (mëkëmbës i profetit Muhamed).
Me shpalljen e tokave të regjistruara si pronë mirie, fshatarëve, që ishin pronarë tokash, iu kufizua e drejta në pronat e tyre, kurse fisnikët shqiptarë u zhveshën nga zotërimet e tyre dhe nga favoret që kishin në bazë të së drejtës feudale. Tani tokat e pushtuara hynë në fondin e përgjithshëm tokësor të shtetit osman. Në vartësi me madhësinë e të ardhurave që, sipas funksioneve, rëndësisë e njohjeve, u caktoheshin feudalëve të rinj osmanë, tokat u pjesëtuan në feude të vogla, të mesme dhe të mëdha, që administrata osmane i emërtonte timare, ziamete e hase. Këto prona u shpërndaheshin me kusht ushtarakëve të quajtur spahinj (d.m.th. kalorës), subashë e sanxhakbejlerë, si dhe funksionarëve civilë. Këta i mbanin pronat për aq kohë sa ishin në funksionet përkatëse dhe përmbushnin detyrimet e tyre.
Në fillim administrata osmane në Shqipëri, në pjesën më të madhe të saj, përbëhej nga të huaj. Krahas tyre kishte një numër të konsiderueshëm spahinjsh shqiptarë të islamizuar, të cilët përgjithësisht vinin nga radhët e fëmijëve të fisnikëve që sulltani i kishte marrë si pengje. Kishte edhe një numër të kufizuar spahinjsh shqiptarë të krishterë. Timaret e këtyre të fundit përgjithësisht ishin në zona të thella, mbi të cilat administrata osmane e kishte shumë të vështirë të vepronte.
Krahinat e pushtuara osmanët i ndanin në njësi të ndryshme administrativo-ushtarake. Këto njësi nuk ishin krijesa arbitrare, por mbështeteshin në lidhjet historike e traditën vendase të ndarjeve kishtare e administrative. Sanxhakët ishin njësitë më të rëndësishme administrativo-ushtarake të Perandorisë Osmane.
Sipas burimeve historike, që njihen deri tani, në tokat shqiptare u krijuan, në periudha të ndryshme të shek. XV, disa sanxhakë: pashasanxhaku i Shkupit, sanxhaku i Janinës, Sanxhaku Shqiptar (Sancak-i Arvanid) etj. Më i rëndësishmi prej tyre ishte pashasanxhaku i Shkupit, që kishte 22 nahije gjithsej dhe një shtrirje shumë të gjerë: nga Selaniku në lindje dhe arrinte në perëndim deri në Gostivar e Kërçovë. Burimet më të hershme historike për organizimin e tyre, që kanë arritur të ruhen deri në ditët tona, i përkasin Sanxhakut Shqiptar.
Sanxhaku Shqiptar pati si kryeqendër Gjirokastrën dhe shtrihej nga Çamëria deri në lumin Mat. Ai bënte pjesë në ejaletin e Rumelisë, ku përfshiheshin të gjithë sanxhakët e Ballkanit. Sanxhaku Shqiptar ishte i ndarë në njësi të vogla, në vilajete, ku përfshiheshin disa krahina (nahije).
Në krye të sanxhakut qëndronte sanxhakbeu, komandanti i ushtrisë së sanxhakut që formohej nga disa qindra spahinj. Në krye të vilajetit ishte subashi, komandanti i spahinjve që i kishin timaret në vilajetin përkatës. Subashët vareshin nga sanxhakbeu dhe kishin vetëm funksione ushtarake.
Në çdo vilajet, pranë subashëve ishin kadilerët, kryetarët e zyrës së Sheriatit (Ligji i Shenjtë), të cilët kryenin funksione administrative, civile, gjyqësore dhe fetare. Ata si kryetarë gjyqi, vendosnin jo vetëm në proceset juridike, por edhe ndërhynin në çështjet e shfrytëzimit dhe të ndarjes së timareve. Pranë kadilerëve kishte edhe funksionarë të tjerë të administratës shtetërore osmane. Këta ishin naibët, zëvendësit e kadilerëve, dhe imamët, funksionarët e kultit osman. Në çdo qytet ishte edhe dizdari, komandanti i rojeve të kështjellës. Të gjithë ata ishin të pajisur me timare. Popullsia jo myslimane (e krishterë, etj.) cilësohej raja (e nënshtruar).