Lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e Sopotnicës (Sfetigradit) gjatë verës së vitit 1448
Disfatat e njëpasnjëshme të ushtrive osmane në Shqipëri gjatë viteve 1444-1447 shkaktuan shqetësim të madh në oborrin osman. Për këtë arsye sulltan Murati II vendosi të vihej vetë në krye të ushtrisë osmane për shkatërrimin e forcave shqiptare. Me nxitjen e Venedikut, ai e filloi fushatën në një çast shumë të përshtatshëm për të, kur shqiptarët ishin të zënë në luftën me Republikën e Shën Markut.
Me pjesën kryesore të ushtrisë shqiptare, Skënderbeu bashkë me Gjergj Arianitin kaluan nga zona e Shkodrës në krahinat lindore dhe përforcuan me të shpejtë kështjellat e vendit, si dhe grykat nga mund të vinte armiku.
Në qershor të vitit 1448 ushtritë osmane të Rumelisë dhe të Anadollit, të komanduara nga vetë sulltan Murati II, të cilin e shoqëronte edhe i biri 21-vjeçar, sulltani i ardhshëm Mehmeti II, iu afruan brezit kufitar të viseve lindore me qëllim që të hynin në thellësi të viseve të lira shqiptare, të rivendosnin në to pushtetin osman dhe t’i jepnin fund njëherë e mirë qëndresës shqiptare.
Ushtria e sulltan Muratit II i përqendroi operacionet e saj mbi kështjellën e Sopotnicës (Stefigradit), që ishte baza kufitare më e rëndësishme në pjesën jugore të ballit lindor të viseve shqiptare të çliruara, e cila do hapte rrugën për ripushtimin e Ohrit. Osmanët qysh në fillim, kur në fund të shek. XIV e pushtuan për herë të parë Sopotnicën, e riemërtuan Demir Hisar.
Nëpërmjet zotërimit të kështjellës së Sopotnicës shqiptarët kishin futur nën kontrollin e tyre rrugë ndërkrahinore shumë të rëndësishme (që lidhnin luginën e Vardarit dhe rajonet e Përlepit e të Manastirit, të cilat ishin nën pushtimin osman, me viset e lira shqiptare në perëndim të tyre) si rruga Velesh – Kërçovë – Rahovnik (Dibër) – Deti Adriatik, rruga Përlep – Kërçovë – Rahovnik – Deti Adriatik, rruga Përlep – Resnjë – Ohër – Strugë – Lugina e Shkumbinit, si dhe rruga Manastir – Resnjë – Ohër – Strugë – Lugina e Shkumbinit. Gjithashtu Sopotnica gjendej jo larg rrugës Shkup -Kërçovë.
Pozicion gjeografik kyç i Sopotnicës për zotërimin e rrugëve ndërkrahinore bëri që sulltan Murati II të përdorte gjithë fuqinë e vet ushtarake për rimarrjen e saj. Prandaj lufta për Sopotnicën është pasqyruar gjerësisht në veprën e M. Barlecit për Skënderbeun, si dhe nga kronistë e historianë bizantinë e osmanë, madje edhe në këngët popullore shqiptare e sllave. Kronisti bizantin Laonik Halkokondili, si burimi më i hershëm që flet për këtë ngjarje, e përmend kështjellën me emrin Sfeti, qendërbanim mesjetar (Sveta) pranë kështjellës së Sopotnicës. Kurse M. Barleci e emërton Sfetigrad (sllavisht: Qytet i Shenjtë), emër që lidhej me manastiret e kishat e shumta që ishin në rajonin e Sopotnicës. Kurse tek Oruçi, e nën ndikimin e tij edhe te kronistët e historianët e tjerë osmanë, emri i kështjellës është ngatërruar me atë të Koxhaxhikut. Kështjella e Koxhaxhikut gjendej në rrugën përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Drini i Zi dhe ruante një rrugë dytësore krahinore, atë Strugë – Rahovnik (Dibër) dhe për marrjen e një kështjelle të tillë, pa rëndësi strategjike, nuk mund të angazhoheshin të gjitha forcat ushtarake të Perandorisë Osmane. Ngatërrimi i emrit të Demir Hisarit me atë të Koxhaxhikut nga Oruçi e autorë të tjerë osmanë nuk është thjesht vetëm një rastësi, por ky ngatërrim është bërë sepse emrin e Demir Hisari e mbante edhe një vilajet e kështjellë tjetër që ishin në afërsi të kryeqytetit të Perandorisë Osmane, Edrenesë. Nuk duhet përjashtuar mundësia që në fillim me emrin e Koxhaxhikut osmanët të kenë emërtuar përkohësisht edhe vetë kështjellën e Sopotnicës.
Pasi trupat osmane rrethuan kështjellën e Sopotnicës, sulltan Murati II u kërkoi mbrojtësve dorëzimin e saj. Por garnizoni i kështjellës, i drejtuar nga prifti matjan Pjetër Perlati, hodhi poshtë kërkesën për dorëzimin e saj dhe e mbrojti atë me heroizëm, duke i thyer sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane.
Detyrën luftarake të mbrojtësve të kështjellës e lehtësoi shumë ushtria shqiptare, e cila nën komandën e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit vepronte në rrethinat e saj. Skënderbeu organizoi sulme të befasishme e të vazhdueshme kundër rrethuesve të kështjellës dhe luftëtarët shqiptarë depërtuan edhe në kampin e ushtrisë osmane, duke i shkaktuar asaj humbje të ndjeshme.
Qëndresa e garnizonit të Sopotnicës vazhdoi për aq kohë, sa osmanët arritën të zbulonin dhe të prishnin kanalin e furnizimit të kështjellës me ujë të pijshëm, gjë që e përkeqësoi gjendjen e të rrethuarve. Etja e detyroi garnizonin e kështjellës të hynte në bisedime me sulltanin dhe të pranonte ofertën e tij për t’u larguar i lirë bashkë me armët, me kusht që të dorëzonte kështjellën. Pas gati tre muaj rrethimi, në gusht të vitit 1448 Sopotnica kaloi në duart e osmanëve. Sipas kronistit bizantin L. Halkokondili, banorët e Sopotnicës u masakruan, prandaj, rrëfen ai, Getia iu dorëzua vetë osmanëve, pa bërë qëndresë. Emri i Getias nuk gjendet në burimet e tjera historike, prandaj duhet të jetë Ohri. Ky qytet disa herë ka kaluar në duart e shqiptarëve dhe të osmanëve gjatë shek. XV dhe vetëm në fund të viteve 60 do të pushtohej përfundimisht nga sulltan Mehmeti II, i cili do t’u njihte banorëve të tij disa privilegje.
Rënia në duart e osmanëve e Sopotnicës, e bashkë me të e Ohrit, ishte një humbje e rëndë për shqiptarët dhe dobësonte sistemin e fortifikimeve mbrojtëse të viseve të lira. Megjithatë, bllokimi për një kohë relativisht të gjatë i trupave osmane në Sopotnicë dhe lajmet për përgatitjen ushtarake kundër osmanëve, që kishte filluar J. Huniadi, e detyruan Muratin II të ndërpriste luftën kundër shqiptarëve. Ai u largua pa realizuar synimin e fushatës së vet ushtarake, marshimin në drejtim të Shqipërisë Perëndimore dhe mposhtjen e qëndresës shqiptare.
Lufta për mbrojtjen e Sopotnicës la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen historike të shqiptarëve që banonin në zotërimet e Arianitëve. Toponimia dhe antroponimia e këngës “Gjorgj Golemi” (Gjergj Arianiti) dhe e tregimeve popullore për këtë personazh të lavdishëm të shek. XV dëshmojnë se sfondi i përgjithshëm historik i tyre përkujton luftën e Sopotnicës. Mishërimi i saj në krijimtarinë popullore është një përmendore për luftën heroike të shqiptarëve gjatë shek. XV.