Konflikti me Venedikun (1447-1448)
Republika e Venedikut ishte një nga shtetet më të fuqishme detare e tregtare në tërë pellgun e Mesdheut dhe zotëronte një numër qytetesh e qendrash të rëndësishme ekonomike të Ballkanit e më gjerë. Në këtë kuadër një vend të veçantë e rol parësor kishin zotërimet e Republikës së Venedikut në Shqipëri.
Rëndësia ekonomike, politike dhe strategjike e zotërimeve që kishte në tokat shqiptare, bënte që Republika e Venedikut t`i kushtonte në çdo kohë vëmendje të veçantë ruajtjes së këtyre zotërimeve dhe forcimit të pozitave të veta në to. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi gjendjen politike të krijuar në Shqipëri pas vitit 1443. Nga fundi i këtij viti e më pas, Senati i Venedikut shqyrtoi mundësinë e kalimit në duart e Republikës të Gjirokastrës, të Janinës e të Kaninës, që ende mbaheshin nga osmanët. Duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara nga vdekja e sundimtarit të kështjellës së Dejës, Lekë Zaharisë, nëpërmjet nënës së këtij, Boksës, që ishte motër e Tanush Dukagjinit, në shtator të vitit 1444 Venediku mori Dejën, Shasin si dhe ndonjë kështjellë tjetër të paidentifikuar të tij. Zotërimi i Dejës kishte për Venedikun rëndësi të shumanshme. Nga ana ekonomike jepte të ardhura jo të pakta si qendër doganore në kryqëzim të rrugëve të rëndësishme tregtare. Në plan strategjik e ushtarak, si kështjellë ajo mbronte zotërimet veneciane në rajonin e Shkodrës dhe ishte për Republikën, siç shprehej vetë Senati, “hapi i parë” për të hyrë në viset e çliruara shqiptare.
Për të mënjanuar kërkesat e herëpashershme të zotërve vendas për dëbimin e Venedikut nga viset shqiptare, Republika lejoi mbajtjen e Kuvendit Shqiptar në qytetin e Lezhës, që e kishte nën zotërim, dhe në vitin 1445 Skënderbeut dhe të vëllait, Stanishës, i dha të drejtat e privilegjet e qytetarisë veneciane. Interesat ekonomikë, politikë, ushtarakë e strategjikë të Republikës së Venedikut në Shqipëri ishin pjesë e interesave jetikë të saj në tërë pellgun e Mesdheut Lindor, ku kishte një numër të madh zotërimesh dhe që vazhdimisht ishin nën kërcënimin e pushtimit osman. Prandaj marrëdhëniet me sulltanët osmanë kishin për Republikën e Venedikut rëndësi të dorës së parë dhe herë pas here ajo nënshkruante traktate paqeje me ta, si më 1446 etj. Një politikë e tillë inkurajonte veprimtarinë pushtuese të sulltanëve dhe dëmtonte luftën e ballkanasve kundër pushtuesve osmanë. Prandaj ishin të pashmangshme kundërshtitë midis Besëlidhjes së Lezhës dhe Venedikut.
Pasi çliroi Krujën dhe viset e tjera shqiptare, Skënderbeu qysh në fund të vitit 1443, deklaroi se “ishte trashëgimtar i Balshës dhe donte vendet që kishin qenë të tij”, një pjesë e të cilave tashmë ishin nën zotërim venecian. Që në fillim të shek. XV interesat e Kastriotëve ishin shtrirë edhe në rajonin verior të bregdetit shqiptar. Krahas qendrës tregtare e doganore të Shufadasë, Gjon Kastrioti zotëroi në bregdet Shëngjinin, si dhe shtëpi në Ulqin. Prandaj ai e martoi një vajzë të tij me sundimtarin e rajoneve të Kotorrit e të Gentës, Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin). Gjoni tregtonte drithë në Kotorr. Në kuadrin e këtyre interesave, Skënderbeu do t’i kërkonte më pas Venedikut Shëngjinin e Velipojën dhe, bashkë me to, rajonin bregdetar përkatës, që të ishte sa më afër zotërimeve të kunatit të tij. Në këtë kohë zotërimet e Stefan Gjurashit njohën një zgjerim të madh dhe shtriheshin nga rrethinat e Kotorrit deri në Medun. Dëbimin e Venedikut prej këtyre viseve nuk e kërkonte vetëm Skënderbeu, por përgjithësisht e gjithë lëvizja politike shqiptare e kohës. Nevojat e luftës antiosmane për mjete ekonomike, për forca njerëzore e për zotërimin e kështjellave, që kishin rol parësor në mbrojten e vendit, kërkonin që edhe qytetet e kështjellat shqiptare, të cilat ishin nën Venedikun, të integroheshin me viset e lira shqiptare.
Skënderbeu u përpoq të shfrytëzonte kundër Venedikut edhe rrethanat ndërkombëtare. Për fillimin e konfliktit me të ai zgjodhi kohën kur forcat ushtarake të Venedikut luftonin në Lombardi kundër trupave të dukës së Milanos, që ishte aleat i mbretit të Napolit, Alfonsit V. Në kuadrin e përgatitjeve ushtarake, Skënderbeu i kërkoi Alfonsit V, në vitin 1447, anije lufte që t’i përdorte për rrethimin e qyteteve bregdetare që ishin nën zotërimin e Venedikut, si të Durrësit etj., por kërkesa e tij nuk u plotësua.
Si shkas për fillimin e luftës kundër Venedikut duhet të ketë shërbyer kështjella e Dejës. Ajo kishte qenë nën zotërimin e Lekë Zaharisë dhe me vdekjen e këtij në fund të vitit 1444, Deja kaloi në duart e Venedikut. Çështja e zotërimit të Dejës kishte futur në mosmarrëveshje Nikollë Dukagjin, që përkohësisht e mori atë gjatë kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV, me Lekë Zaharinë, që e mori atë më pas, dhe me nënën e këtij, Boksën e dy nipërit e saj, Pal e Lekë Dukagjinin, që ia dorëzuan kështjellën Venedikut.
Qysh në verë të vitit 1446 Nikollë Dukagjini ndërmori sulme të ashpra për pushtimin e Dejës, gjë që çoi në acarimin e marrëdhënieve me Venedikun. Ai mori Shasin. Në këto rrethana, në vjeshtë të vitit 1447, Skënderbeu mblodhi Kuvendin e Besëlidhjes Shqiptare dhe u kërkoi anëtarëve të saj që t’i shpallej luftë Republikës së Venedikut në rast se nuk dorëzonte Dejën. Anëtarët e Besëlidhjes e miratuan kërkesën e Skënderbeut. Në nëntor të vitit 1447 “ushtria e fuqishme e Skënderbeut”, siç shpreheshin qeveritarët venecianë, filloi luftën dhe sulmoi Durrësin, Dejën dhe kështjella të tjera në rajonin e Shkodrës. Aksioni i tyre qe i fuqishëm dhe e detyroi Senatin e Venedikut që, për të përballuar gjendjen, të vinte në përdorim mjete të shumta. Ai dërgoi përforcime ushtarake në zotërimet e veta në Shqipëri dhe shpalli se, personit që mund të vriste Skënderbeun, do t’i jepte një shpërblim të lartë e të përjetshëm. Gjithashtu udhëzoi qeveritarët e vet të përçanin forcat vendase, sidomos të shkëpusnin Pal e Lekë Dukagjinin nga Skënderbeu dhe të nxitnin ushtrinë osmane të sulmonte shqiptarët për t’i futur këta në një luftë në dy fronte njëkohësisht.
Gjatë verës së vitit 1448, duke mbajtur të rrethuar Durrësin e Dejën, forcat ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare iu drejtuan zonës së Shkodrës, që ishte zotërimi më i rëndësishëm i Venedikut në tokat shqiptare. Në sulmin mbi rajonin e Shkodrës mori pjesë edhe Gjergj Arianiti me forcat e tij. Pasi kaluan lumin Drin, në brigjet e tij shqiptarët u ndeshën me ushtrinë mercenare veneciane të komanduar nga Daniel Juriç Sebençini dhe korrën një fitore të shkëlqyer. Pas kësaj ata iu drejtuan Shkodrës dhe Drishtit. Për të mbështetur vazhdimin e veprimeve luftarake shqiptarët ndërtuan një kështjellë mbi gërmadhat e Ballecit, që gjendej në rrëzë të malit Maranaj.
Kalimi i ushtrisë shqiptare në thellësi të zotërimeve veneciane, u përkrah fuqishëm nga banorët e këtyre viseve, të cilët shpërthyen në kryengritje dhe u bashkuan me ushtrinë e Lidhjes. Zotërimet veneciane në Shqipëri, siç shprehej Senati i Venedikut për situatën e krijuar, ishin në “flakën më të madhe”. Kjo i dha mundësi ushtrisë shqiptare t’i shtrinte veprimet luftarake dhe të futej në thellësi të këtyre zotërimeve.
Në kohën që vazhdonin veprimet luftarake në zonën e Shkodrës, rreth 10 mijë luftëtarë shqiptarë kaluan lumin e Bunës dhe sulmuan në drejtim të qytetit të Tivarit, duke bashkërenduar veprimet me disa mijëra ushtarë të Stefan Gjurashit (Cërnojeviçi), si dhe të mbretit të Bosnjës, Stefan Tomasheviqit, të komanduara nga Stefan Maramonti.
Skënderbeu me pjesën kryesore të ushtrisë nuk qëndroi gjatë në zonën e Tivarit. Ai kaloi në krahinat lindore të vendit për të përballuar ushtrinë osmane që, edhe nën nxitjen e Venedikut, erdhi në këto çaste në Shqipëri për t’i vënë forcat shqiptare midis dy zjarreve. Në zonën e Shkodrës Skënderbeu la Hamza Kastriotin me një pjesë të forcave për të vazhduar rrethimin mbi Dejën e Drishtin. Pas largimit të tij Venediku nxiti mosmarrëveshjet ndërmjet Stefan Maramontit dhe Stefan Gjurashit dhe arriti të ruante pushtetin e vet mbi qytetet që shtriheshin në bregun e djathtë të lumit të Bunës.
Kalimi i forcave ushtarake kryesore të Skënderbeut në lindje të vendit e lehtësoi Venedikun nga trysnia ushtarake e shqiptarëve dhe i dha mundësinë të përforconte mbrojten në zotërimet e veta.