Organizimi i brendshëm i pashallëkut
Në të vërtetë, pas një vargu veprimesh kryesisht të paligjshme, por të mbuluara me vellon e akteve të ligjshme, që kinse bëheshin për forcimin e pushtetit osman, Ali Pasha kishte vënë nën sundimin e vet, në fillim të vitit 1819, një territor mjaft të madh të banuar pjesërisht nga shqiptarë dhe pjesërisht nga popullsi greke, sllave, vllahe e hebraike, që së bashku arrinin në rreth 1,5 milionë frymë. Kufijtë e këtij territori fillonin nga lumenjtë Shkumbin e Vardar në Veri dhe mbaronin në gjirin e Korinthit në Jug, pasi i vinin rrotull një pjese të deteve Adriatik e Jon në Perëndim dhe një pjese të detit Egje në Lindje. Pashallëku i Janinës përfshinte sanxhakët e Tërhallës, Lepantit, Janinës, Delvinës, Vlorës, Elbasanit dhe të Ohrit, 14 kaza të sanxhakut të Manastirit dhe 3 kaza të sanxhakut të Selanikut.
Për të qeverisur këtë territor të madh, veziri i Janinës kishte bërë përpjekje që ushtrinë e tij të viteve të para të sundimit ta zmadhonte, ta organizonte më mirë dhe ta armatoste edhe me mjete më të reja të kohës. Tashmë ai kishte ngritur dhe mbante në këmbë një ushtri të përhershme, repartet e së cilës shërbenin në të gjitha pjesët e pashallëkut nëpër grykat e urat e rrugëve, nëpër kullat e fortifikimet e shumta të kufijve dhe sidomos nëpër kështjellat gjatë bregdetit dhe brenda vendit. Efektivi i kësaj ushtrie në vitin 1819 arrinte deri në 15 000 veta. Në kohë lufte Ali Pasha mund të grumbullonte brenda dy-tri ditëve një ushtri prej 50 000 vetash dhe brenda dy-tri javësh këtë forcë ushtarake mund ta dyfishonte dhe ta mbante në këmbë për një kohë mjaft të gjatë me mjetet e veta financiare, me armatime dhe me kuadro komanduese të sprovuara. Duke ndjekur sistemin e rekrutimit vullnetar me pagesë, që e bënte me anën e bylykbashëve, kapedanëve dhe të bajraktarëve, dhe duke qenë se këta ushtarë sidomos ata shqiptarë, ishin të stërvitur për punë armësh që në vogëli, Ali Pasha nuk e kishte problem të veçantë përgatitjen për luftë të forcave që i nevojiteshin. Përveç kësaj, këta ushtarë duke qenë qitës të mirë, marshues të shpejtë e të qëndrueshëm dhe në përgjithësi trima, mbaheshin si ushtarët më të mirë të Perandorisë Osmane. Përveç armës së këmbësorisë, në ushtrinë e tij bënin pjesë si reparte më vete kaloria dhe artileria. Ali Pasha kishte edhe një numër më të madh anijesh luftarake. Për aftësimin dhe përdorimin sa më të mirë të armëve moderne, Aliu mori në shërbim instruktorë të aftë evropianë dhe ngriti në Bonila edhe një fonderi për prodhim armësh, sidomos topa e bombarda.
Në krye të këtyre forcave të armatosura qëndronte Këshilli i Lartë ushtarak. Komandant ushtarak ishte krijuesi dhe financuesi i tyre Ali Pasha. Anëtarë të këtij Këshilli ishin mëkëmbësit e tij nëpër sanxhakë, si Myftar Pasha, Veli Pasha, Xheladin bej Ohri, Abdullah pashë Taushani etj., dhe nga bashkëluftëtarët e vjetër që kishin mbetur, Meço Bono, Ago Vasjari, Thanas Vaja, Mehmet agë Muhyrdari, Tahir Abazi etj. Në të bënin pjesë edhe komandantë të rinj, si Omer bej Vrioni, Iljaz bej Poda, Elmas e Selfo Bono etj., por fjalën e fundit edhe në këtë forum e thoshte vetëm Aliu.
Mëkëmbësit e Ali Pashës kryenin në sanxhakët e pashallëkut, përveç funksioneve ushtarake, edhe funksione administrative; zëvendësit e tyre nëpër krahinat e sanxhakëve, myteselimët, ushtronin pushtetin e tyre duke u mbështetur, sikurse edhe më parë, te ajanët e koxhabashët.
Përveç këtij rrjeti administrativ që kishte ngritur e që përbënte themelin e administratës së tij, Ali Pasha kishte ruajtur e zgjeruar në Janinë edhe aparatin qendror. Ai solli aty zyrtarë të zgjuar e me përvojë, myslimanë e të krishterë, që i shërbenin si këshilltarë e sekretarë për çështjet e brendshme, për lidhjet me Portën dhe për marrëdhëniet me jashtë. Këta zyrtarë ishin zgjedhur nga gjiri i parisë së pashallëkut, sikurse Mehmet Efendiu, Said Ahmeti, Haxhi Shehriu, Hysen bej Konica, Sali Çami etj. Kurse Kosta Gramatikoi, Spiro Kolovoi, Mantho Konomi, Lluka Vaja etj., ishin zgjedhur nga borgjezia e pasur e krishtere me kombësi shqiptare, greke, vllahe etj. Për punë të veçanta me karakter ekonomik, fetar e politik, Ali Pasha shfrytëzonte edhe arkondët Stavro Capallano e Dhimitër Dhroso, peshkopët e Janinës e të Artës, profesorin Athanas Psalidha etj. Ndër këshilltarët më të afërt, që kryenin detyrën e sekretarëve, të cilët mbrojtën për një kohë të gjatë interesat e vezirit të Janinës pranë Portës së Lartë, ishte edhe Hysen bej Konica, një i afërt i tij nga e ëma.
Duke përqendruar gjithnjë e më shumë pushtetin në duart e veta, Ali Pasha ushtroi më me kujdes edhe të drejtën e gjyqit të apelit, me të cilin ai kontrollonte veprimtarinë e gjykatave dhe titullarët e tyre, kadilerët.
Ndryshe nga qeveritarët e tjerë të perandorisë, Ali Pasha krijoi ndërkohë një armë të re, atë të policisë. Kjo i shërbeu kryesisht për ta informuar lidhur me veprimtarinë sekrete të kundërshtarëve të tij brenda dhe jashtë pashallëkut, me planet e qeverisë qendrore në Stamboll dhe me pikëpamjet e qeverive evropiane lidhur me politikën ndërkombëtare.
Shpenzimet për ushtrinë dhe administratën, për ngritjen, pajisjen dhe për mbajtjen e pallateve e të vilave, si dhe rezervat e thesarit për ditët e vështira, Ali Pasha e djemtë e tij i siguruan në sajë të dy burimeve kryesore të ardhurash, prej pasurisë private të tyre dhe prej monopoleve. Pasuria private e familjes së Ali Pashës erdhi duke u rritur vazhdimisht nga konfiskimet e pronave të familjeve kundërshtare, nga “blerja” e tokave të një vargu fshatrash, nga tregtimi i prodhimeve bujqësore e blegtorale brenda e jashtë vendit, nga veprimtaria bankare etj. Prodhimi e tregtimi i kripës, i ziftit etj., që tradicionalisht kanë qenë monopole shtetërore, i sillnin arkës së Ali Pashës të ardhura të mëdha.
Megjithëse shpenzimet ushtarake e administrative ishin mjaft të mëdha në krahasim me ato të vezirëve të tjerë, sepse Aliu përgatitej që një ditë të mund të shpallej sundimtar i pavarur ose autonom, ai mundi të krijonte një thesar të konsiderueshëm, i cili në vitet 1819 vlerësohej në 250 milionë piastra.
Në varësi të synimeve që Ali Pasha kërkonte të arrinte me anë të pushtetit të vet të fuqishëm e të organizuar, ai zbatoi edhe një politikë të tolerancës fetare. Nuk ishte i rastit fakti që një pjesë e klerit, sidomos bektashinjtë, propagandonin se ai ishte njeri me fat të madh, se ishte caktuar të themelonte dinastinë e mbretërisë shqiptare. Nuk ishte e rastit as edhe prirja e disa klerikëve për të futur në shërbesat kishtare edhe gjuhën shqipe. Më së fundi, nuk ishte e rastit as propaganda e një vargu oborrtarësh që e krahasonin atë me Pirron e Epirit.
Historia shqiptare
Sundimi Osman