Shembja e Pashallëkut të Janinës (1822)
Sulltan Mahmudi II, e kuptoi rrezikun e madh që i vinte Perandorisë Osmane nga ngritja dhe fuqizimi i pushtetit të Ali Pashës dhe sidomos nga përpjekjet e tij për të nënshtruar gjithë Shqipërinë e Veriut, prandaj kur pa qartë se veziri i Janinës nuk arriti të bëjë për vete pashallarët e kësaj treve, më 1819 vendosi të vinte në jetë planin e vet kundër tij, të ndërprerë më 1810. Atë e ndihmoi në këtë vepër edhe qëndrimi i vezirit të Shkodrës, i cili pranoi të vihej në shërbim të Portës së Lartë për të luftuar e shkatërruar Ali Pashën. Për rrjedhim, në fillim të vitit 1820 sulltani i dha goditjen e parë; e emëroi të birin e Aliut, Veli pashë Tepelenën qeveritar të sanxhakut të vogël të Lepantit, kurse sanxhakun e rëndësishëm të Tërhallës ia dha një besniku të perandorisë, Sulejman Pashës.
Pasi mësoi se ky qëndrim ishte rrjedhim edhe i këshillave të favoritit të sulltan Halit Efendiut, që ishte nxitur nga intrigat e Pasho Beut, një feudal janinjot i dëbuar prej tij, Ali Pasha vendosi që këtë ngatërrestar ta zhdukte. Por atentati që organizoi në muajin mars kundër tij në Stamboll dështoi, ndërsa njerëzit që u kapën treguan se ishin dërguar nga Janina prej Ali Pashës.
Sulltan Mahmudi II e quajti atentatin një fyerje ndaj autoritetit të vet. Duke marrë shkas nga ky veprim, i hoqi vezirit të Janinës detyrën e derbend-pashës dhe dëboi nga Stambolli Hysen bej Konicën bashkë me vartësit e tij si mbështetës të atentatorëve. Po në këtë kohë iu dha urdhri valiut të Rumelisë, Hysen Pashës, të shpërngulej nga Sofja, të kalonte në Manastir, ku të vendoste pushtetin e vet dhe të shkatërronte ndikimin e Aliut në këtë zonë, duke i rimarrë 14 kazatë që tepelenasi i qeveriste në emër të tij. Edhe Veli Pashës, i akuzuar se ishte larguar nga Lepanti pa leje për të takuar Aliun në Prevezë, Porta e Lartë i hoqi gradën e vezirit dhe komandën e Lepantit, të cilën ia dha Pehlivan Ibrahim pashës. Ndërkohë sulltani nuk mori parasysh protestën e Ali Pashës lidhur me postin e derbend-pashës dhe nuk lejoi që komisioni i të krishterëve, i cili do t’i parashtronte lutjen për t’ia kthyer Aliut atë post, të hynte në Stamboll. Meqenëse veziri i Janinës nuk kishte larguar forcat e veta nga derbendet, por përkundrazi kishte filluar të rekrutonte ushtarë, Porta e Lartë vendosi t’i hiqte sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, të cilat ia dha vezir Mustafa pashë Bushatlliut. Veziri i Madh i shkruante Aliut se sulltani e dënoi për fajet e tij dhe, duke pasur mëshirë për të e besim se do të largonte forcat ushtarake nga sanxhakët e kazatë që tashmë u përkisnin vezirëve të tjerë, po i linte atij sanxhakun e Janinës, Sali Pashës sanxhakun e Vlorës dhe Mehmet Pashës (nipit) sanxhakun e Delvinës.
Ali Pasha, që e kuptoi se masat e lartpërmendura do të pasoheshin nga të tjera, kërkoi nga Porta anulimin e tyre. Me këtë rast ai e njoftoi Stambollin se pranonte më mirë luftën se sa të hiqte dorë vullnetarisht nga pushteti, të cilin Porta po ia merrte nga duart gradualisht me metoda tinëzare. Ai kishte kohë që po përgatitej për një luftë të tillë dhe nuk i largoi forcat as nga derbendet, as nga sanxhakët. Përkundrazi, Ali Pasha urdhëroi shpejtimin e ritmit të rekrutimit ushtarak duke shpallur mobilizimin “një burrë për shtëpi”, si dhe duke marrë masa të tjera ushtarake. Në mesin e muajit maj 1820 ai thirri Muhtar Pashën e Veli Pashën për të biseduar e për të vendosur. Tri ditë zgjatën bisedimet e tyre në çifligun e Rapçishtës. Muhtar Pasha kërkoi që pajtimi me sulltanin të arrihej me çdo kusht. Por Aliu nuk ia pranoi një qëndrim të tillë kapitullues, duke menduar se po të tërhiqte forcat e të ngushtohej në tre sanxhakët e Shqipërisë Jugore, do të bëhej e pamundur mbrojtja e vendit dhe e pushtetit. Ky ishte edhe qëllimi që kërkonte të arrinte sulltani. Prandaj vendosi të mos i lëshonte këta sanxhakë e kaza pa luftë. Vetëm kjo rrugë do ta shpëtonte pushtetin e tij dhe vendin. Ai e lidhi kështu fatin e tij dhe të familjes së tij me fatin e vendit.
Në përputhje me këtë vendim, Aliu mblodhi në sarajet e veta, në Janinë, krerët e krahinave shqiptare e greke të pashallëkut dhe u kërkoi këtyre, si përfaqësues të popullsisë myslimane e të krishterë, që ta përkrahnin në luftën kundër sulltanit. Ai shpalli më 23 maj 1820 se, në rast fitoreje, do të krijonte një shtet monarkik konstitucional shqiptar, të përbërë nga zotërimet shqiptare dhe nga Thesalia, në krye të të cilit do të vihej vetë. Greqia qendrore dhe Moreja mund të formonin një shtet grek autonom, i cili do të vihej nën protektoratin e tij. Grekëve, për t’i nxitur të fillonin luftën, u premtoi një milion e gjysmë piastra. Njëkohësisht Ali Pasha shpalli heqjen e disa taksave në Pashallëkun e Janinës për të bërë për vete shtresat popullore dhe filloi propagandën e luftës.
Mirëpo programi i shpallur nga Ali Pasha nuk kënaqte interesat e të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje. Duke ruajtur në kufijtë e “shtetit konstitucional shqiptar” krahinën e pasur të Thesalisë dhe duke shpallur protektoratin e tij në shtetin grek që do të krijohej, Ali Pasha nuk kënaqte kërkesat e borgjezisë greke, e cila, me luftën nacionalçlirimtare që po përgatitej të shpërthente, synonte të vendoste pushtetin e vet të paktën mbi të gjithë territorin nacional grek. Në të njëjtën kohë, premtimi i Ali Pashës për një “shtet konstitucional shqiptar”, ndonëse nuk cenonte pasuritë e feudalëve shqiptarë, cenonte në një farë mase monopolin e pushtetit të tyre, prandaj nuk i nxiste as këta të hynin në luftë kundër Stambollit. Meqë masat e Portës së Lartë synonin të godisnin vetëm Ali Pashën dhe nuk preknin privilegjet e feudalëve vendas dhe, meqë nuk ekzistonte rreziku i shembjes së Perandorisë Osmane, tek e cila shihnin një garanci më të sigurt për interesat e tyre se sa te “shteti konstitucional”, feudalët shqiptarë u treguan pak të interesuar për ta mbështetur Aliun në kryengritjen e tij. Edhe shtresat popullore, mbi të cilat rëndonte pesha e sistemit çifligar dhe e regjimit fiskal të vezirit të Janinës, nuk arriti t’i frymëzonte premtimi i “shtetit konstitucional” për të hyrë në luftë, edhe pse në programin e shpallur bëhej fjalë për heqjen e disa taksave. Kështu, mbështetja shoqërore e Ali Pashës në luftën kundër Stambollit ishte e kufizuar dhe përbëhej kryesisht nga fshatarësia malore e lidhur me të me anë të sistemit të rekrutimit me rrogë. Por edhe kjo mbështetje ishte e pasigurt, mbasi ajo varej nga qëndrimi i shtresës së feudalëve bylykbashë, që tashmë ishin bërë edhe pronarë tokash e tufash blegtorale dhe me të cilët kjo fshatarësi ishte lidhur drejtpërdrejt. Meqë nuk u përgjigjej interesave të shtresave të ndryshme shoqërore të Pashallëkut të Janinës, programi i 23 majit nuk luajti ndonjë rol me rëndësi në konfliktin e Janinës me Stambollin. Pa pasur tjetër rrugëdalje dhe duke u mbështetur në forcat ushtarake që dispononte e që ishin të mjaftueshme për t’i bërë ballë një ekspedite të Portës së Lartë, Ali Pasha nuk bëri hapa prapa dhe deklaroi se ushtria e tij e fuqishme nuk do të lejonte forcë tjetër të shkelte vendin. Por, tashmë, gjithçka varej nga qëndrimi që do të mbante kjo ushtri.
Me besim se do t’i bënte ballë rrethimit të vezirëve kundërshtarë, Ali Pasha filloi të zbatonte menjëherë edhe planin luftarak që vendosi në Rapçishtë bashkë me dy djemtë e tij. Veli Pashën e dërgoi në Prevezë, ku gjendej edhe flotilja prej 40 njësish luftarake, për të drejtuar qëndresën nga jugu e deti. Muhtar Pashën e nisi në Berat, që të mbronte kufijtë verilindorë, kurse vetë qëndroi në Janinë për të drejtuar qëndresën në drejtimet juglindore duke pasur nën komandë Omer bej Vrionin, të cilin e dërgoi në Tërhallë. Ai vuri gjithashtu në lëvizje njerëzit e vet të besuar në Mal të Zi, në Serbi e sidomos në Vllahi, për të nxitur e acaruar lëvizjen çlirimtare në ato vende. Plani luftarak i vezirit të Janinës i përshtatej gjendjes së krijuar dhe mbështetej në forcën e konsiderueshme ushtarake të pashallëkut. Por, edhe ky plan, në vend që të vihej në jetë me guxim, u minua nga vetë bijtë e Aliut, prandaj ishte i destinuar të dështonte.
Më 2 qershor 1820, edhe pse i druhej sulmit të malazezëve, Mustafa pashë Bushatlliu, i inkurajuar nga qëndrimi i favorshëm i Portës së Lartë kundrejt tij, u nis me një ushtri të madhe prej Shkodre drejt jugut. Duke mos ndeshur në ndonjë kundërshtim serioz nga ana e forcave të Muhtar Pashës, të cilat morën rrugën për në Berat, Bushatlliu shtiu në dorë sanxhakët e Elbasanit dhe të Ohrit. Muhtar Pasha, duke synuar që të pajtohej me çdo kusht me sulltanin, nuk ndërmori ndonjë veprim për ta penguar ose ndaluar Bushatlliun.
Në fillim të muajit qershor valiu i Rumelisë u nis nga Sofja për në Manastir, ku mbërriti më 26 të atij muaji, duke mbledhur rrugës një forcë ushtarake mjaft të madhe. As ai nuk e pati të vështirë të vinte nën pushtetin e vet të 14 kazatë e sanxhakut të Manastirit që Ali Pasha ia kishte shkëputur. Krerët e këtyre kazave, me përjashtim të asaj të Kosturit, shkuan në Manastir dhe i kërkuan falje. I udhëzuar nga Stambolli, ai i fali që të gjithë. Me krerët që kërkuan falje prej tij u radhit në fundin e muajit qershor edhe Iljaz bej Poda, kur valiu vajti në Korçë. Kështu veproi edhe Pehlivan Ibrahim pasha, që mori në dorë, pa kundërshtim serioz, qeverisjen e sanxhakut të Lepantit, si edhe Siri Selim pasha i Selanikut, që futi nën pushtetin e vet tri kazatë e shkëputura nga sanxhaku i tij prej Ali Pashës.
Ndërkohë, meqenëse Sulejman Pasha i Tërhallës nuk pranoi të dëbonte forcat e Aliut nga Thesalia, dhe i dha mundësi atij të dërgonte atje Omer bej Vrionin me 2 000 veta, sulltani e shkarkoi nga të gjitha funksionet, duke e akuzuar për bashkëpunim me Ali Pashën dhe e zëvendësoi me armikun e betuar të tepelenasit, Mahmud Pashën e Dramës. Këtë qeveritar të ri e nisi menjëherë për në Tërhallë që të merrte pushtetin me ndihmën e ushtrisë, të cilën do ta grumbullonte, në rrugë e sipër, me ndihmën e vezirëve fqinjë.
Realizimi i kësaj faze të sulmit të sulltanit kundër Ali Pashës, që u arrit pa hasur kundërshtim serioz nga forcat vartëse të vezirit të Janinës, i dha dorë Stambollit që të përcaktonte orientimet e veta ndaj feudalëve shqiptarë, duke shpallur me solemnitet se nuk do t’u prekte pasurinë dhe privilegjet e tyre. Kjo propagandë bëri efektin që pritej dhe krijoi kushtet që sulltan Mahmudi II të urdhëronte zbatimin e fazës tjetër të planit të vet, asgjësimin e Pashallëkut të Janinës
Në të njëjtën kohë sulltani nënshkroi fermanin për likuidimin e Pashallëkut të Janinës, të cilin nuk e shpalli menjëherë. Me këtë ferman iu dha Ismail Pasho beut qeverisja e sanxhakëve të Janinës e të Delvinës dhe grada e vezirit, si dhe kryekomanda e ekspeditës ushtarake të drejtuar kundër Ali Pashës, djemve dhe nipave të tij, po qe se këta nuk do t’i bindeshin urdhrit që i shkarkonte nga të gjitha funksionet e gradat zyrtare dhe nuk do të pranonin të shkonin në Tepelenë ku duhej të banonin këtej e tutje. Mirëpo nga frika se mos Ali Pasha kalonte në sulm pa u përgatitur ende ushtritë e Dramalliut dhe të Ismail Pasho beut, sulltan Mahmudi II nuk e shpalli këtë ferman, ndërsa Ismail Pasho beun e nisi, bashkë me vjehrrin e tij, Mahmud Pashën e Dramës, me detyrën e hazinedarit.
Në mesin e korrikut 1820, kur u duk se erdhi koha e përshtatshme, sulltani shpalli papritur fermanin për likuidimin e Pashallëkut të Janinës, i cili u lexua edhe në Janinë. Ali Pasha nuk iu bind urdhrit dhe deklaroi se do të mbrohej me luftë. Atëherë Porta e Lartë e shpalli “fermanlli”, jashtë ligjit, dhe Shejhylislami miratoi fetvanë e ndëshkimit të tij me vdekje. Filluan njëkohësisht veprimet luftarake të ushtrive qeveritare në tokë e në det dhe u shpallën premtimet e Stambollit, sipas të cilave, me përjashtim të Ali Pashës, të gjithë të afërmit dhe pasuesit e tij do të faleshin dhe nuk do t’u prekeshin privilegjet që gëzonin po t’i nënshtroheshin padishahut dhe të braktisnin Aliun. Kaq prisnin pasuesit e Ali Pashës, të cilët, duke filluar nga djemtë e nipat e tij, nga motra dhe deri te bashkëpunëtorët e tij më të vjetër, vendosën që në rastin më të parë ta braktisnin Aliun në fatin e vet. Kështu shtresa feudale vendase, duke u dhënë përparësi interesave të çastit, mori një rrugë që nuk u përgjigjej as synimeve të saj të ardhshme, as atyre të të gjithë vendit. Këtë veprim kaq të gabuar ajo do ta kuptonte me vonesë dhe do të përpiqej ta ndreqte pas vdekjes së Ali Pashës, por hapi i hedhur i kushtoi shumë shtrenjtë.
Gjatë muajit gusht filloi sulmi i ushtrive të vezirëve që ishin ngarkuar me ripushtimin e Shqipërisë Jugore dhe me asgjësimin e Pashallëkut të Janinës. Pas rënies së Tërhallës në duart e vezir Mahmud pashë Dramës dhe vezir Ismail Pashës, që ndodhi për shkak se forcat e Aliut, të nxitura nga krerët e lëkundur, u tërhoqën, i erdhi radha Beratit. Muhtar Pasha e Salih Pasha iu dorëzuan vezirit Mustafa pashë Bushatlliut, kur ky rrethoi kështjellën e Beratit. Në përputhje me fermanin sulltanor, Bushatlliu i dërgoi në Tepelenë të shoqëruar nga vëllai i Ismail pashë Plasës, i cili gjithashtu mori pjesë në rrethimin e kështjellës së Beratit në krye të një force ushtarake të nisur nga Korça. Ata qenë dërguar nga valiu i Rumelisë, i cili filloi veprimet luftarake për të mbërritur sa më parë në Janinë bashkë me vezirët e tjerë.
Pas rënies së Beratit, Mustafa Pasha u urdhërua të nënshtronte gjithë sanxhakun e Vlorës dhe të vendoste një myteselim derisa të mbërrinte aty vezir Nurullah Pasha, që ishte emëruar qeveritar. Në shtator 1820, kur ky vezir mbërriti në Vlorë, motra e Ali Pashës, Shanishaja, me djemtë e saj, Izet Beun e Maliq Beun, si dhe komandanti i kështjellës së Gjirokastrës, Ago Myhyrdari, kërkuan falje. Porta e Lartë miratoi faljen pa prekur pasuritë e tyre. Kështu vepruan edhe Veli Pasha me djemtë e tij, Mehmet Pashën e Selim Beun. Këta iu dorëzuan kapedan Ali Beut, duke i lëshuar pa luftë qytetet e bregdetit nga Vlora në Pargë. Më 1 shtator këta dorëzuan edhe Prevezën, të cilën kapedani mundi ta merrte me shumë sakrifica pasi kaloi një kohë e gjatë. Vetëm qyteti i Artës i rezistoi me luftë për 25 ditë forcave të vezirit të Lepantit.
Në muajin gusht gjithçka që përbënte Pashallëkun e Janinës, me përjashtim të kryeqytetit të tij, kishte rënë në duart e ushtrive të sulltanit. Veziri plak, megjithëse humbi pjesën kryesore të ushtrisë, të bashkëluftëtarëve më të ngushtë dhe thuajse të të gjithë territorit që sundonte, nuk e humbi shpresën për një përmbysje të kësaj gjendjeje tepër të dëshpëruar. Këtë shpresë ai e mbështeti në një varg faktorësh që ishin në dobi të tij: kishte dy kështjella të fuqishme me 250 gryka zjarri, me një garnizon ushtarak të fortë dhe me rezerva të shumta ushqimore e municione; ushtria osmane nuk u grumbullua me kohë dhe nuk ishte në gjendje të organizonte ndonjë sulm të përgjithshëm para se të vinte dimri; banorët e larguar nga qyteti i Janinës nuk do t’i shërbenin Turqisë, kurse shkatërrimi i pjesës më të madhe të ndërtesave të vendit e linte ushtrinë osmane pa strehë; ajo do ta kishte të vështirë të siguronte edhe furnizimet e domosdoshme, për shkak të luftës së organizuar të çetave shqiptaro-greke.
Frytet, që Ali Pasha parashikonte të korrte, nuk vonuan. Mosmarrëveshjet në shtabin drejtues të forcave osmane morën hov aq sa i paralizuan veprimet e rëndësishme ushtarake. Pehlivan Ibrahim pasha një mëngjes të muajit tetor 1820 u gjend i vdekur në çadrën e tij, i helmuar si tradhtar, me urdhrin e kryekomandantit dhe me pëlqimin e Portës së Lartë, për shkak se kishte hyrë në lidhje me Ali Pashën dhe kërkonte të merrte kryekomandën.
Sulmi i parë i përgjithshëm, që mezi u organizua pas një kohe mjaft të gjatë grindjesh, u zmbraps me trimëri nga të rrethuarit dhe u shoqërua me një kundërsulm që e kryesoi vetë Ali Pasha. Ky sukses luftarak, dhuna e ushtarëve armiq e grabitjet e tyre në popull, mungesa e furnizimeve, mospagimi i rrogave dhe të ftohtët e dimrit shkaktuan dezertime të forta në radhët e trupave perandorake. Në të njëjtën kohë komanda osmane kishte filluar të trajtonte keq krerët shqiptarë, si Tahir Abazin, Iljaz Podën, Ago Vasjarin, Dervish Hasanin, Aleks Nuçe Marinogllun etj., të cilët e kishin braktisur Aliun dhe ishin bashkuar me osmanët. Në këto rrethana ata, të pakënaqur nga komanda osmane e veprimet e saj, vendosën të ktheheshin tek Aliu.
Për të shfrytëzuar pakënaqësinë e popullit që sa vinte e rritej, Ali Pasha i dërgoi këta krerë të penduar nëpër krahinat shqiptare që të grumbullonin ushtri dhe të sulmonin osmanët. Edhe suliotët, të cilët ishin bashkuar me ushtritë e Portës për t’u hakmarrë ndaj Ali Pashës dhe për të çliruar vendlindjen, të dëshpëruar nga vezir Ismail Pashoja, i cili jo vetëm nuk e mbajti fjalën për t’i kthyer në malësinë e tyre, por mendonte t’i shfaroste krejt, u morën vesh me Ali Pashën. Pasi u premtoi suliotëve t’i linte të lirë në malësinë e tyre dhe pasi u dha një shumë të hollash, Aliu ra në marrëveshje me ta për të sulmuar forcat armike, duke shkëmbyer më 12 dhjetor pengjet e rastit sikurse ishte zakoni. Në këtë mënyrë Ali Pasha filloi të shpresonte se lufta e tij kundër Stambollit jo vetëm nuk do të mbetej pa mbështetje, por edhe mund të sillte fitoren.
Ndërkaq, Ismail Pashoja dhe shtabi i tij, të nxitur edhe nga një i dërguar i Portës së Lartë, u përgatitën të sulmonin e të pushtonin kështjellën e vogël të Litharicës. Në murin e saj ishte hapur një çarje e rëndësishme ku mund të hynin 30 veta njëherësh. Ali Pasha, që mësoi synimin e shtabit armik, nuk i la kohë atij ta vinte në jetë planin e vet. Në një natë me stuhi të 14 dhjetorit, Aliu doli me forcat e tij dhe sulmoi në befasi rrethuesit që u zmbrapsëm me humbje të mëdha dhe që braktisën jo vetëm pozicionet e përparuara, por edhe bateritë e topave që ishin më pranë kështjellës së Litharicës.
Pas 12 dhjetorit 1820, bashkë me Ali Pashën, edhe suliotët filluan luftën e çetave në rrugën Artë-Janinë kundër karvaneve që furnizonin ushtrinë osmane. Ali Pasha qysh më parë kishte vënë në krye të tyre kapedan Odhise Andrucon, duke e nxjerrë atë dhe trimat e tij jashtë nga kështjella. Kjo luftë u zgjerua nga fillimi i vitit 1821, kur me Aliun u bashkuan repartet e reja që krerët shqiptarë i kishin mobilizuar e përqendruar në krahina të ndryshme. Labëria, Myzeqeja dhe Çamëria, si edhe krahinat e Zagorit dhe Agrafës, u vunë në përkrahje të luftës së Ali Pashës. Kjo kthesë me rëndësi u konkretizua me përfundimin e një besëlidhjeje të krerëve dhe kapedanëve shqiptarë, si Iljaz Poda, Ago Vasjari, Tahir Abazi, Aleks Nuço, Marko Boçari, Noti Boçari, Kiço Xhavella etj. Këta udhëheqës të kryengritjes popullore u zotuan “se do të jenë vëllezër me trup e me shpirt dhe së bashku do të derdhin gjakun për të shpëtuar Ali Pashën”. Frytet e kësaj besëlidhjeje forcat osmane i ndien thellë jo vetëm me shkatërrimin e disa karvanëve, por edhe me rritjen e qëndresës popullore, që tashmë po organizohej e po drejtohej nga njerëzit e vezirit të Janinës.
Porta e Lartë u detyrua të dërgonte në krye të ushtrisë së saj në Janinë ish-Vezirin e Madh, Hurshid Pashën, të cilin e hoqi nga Moreja bashkë me trupat që komandonte. Ky veprim u dha mundësi udhëheqësve të lëvizjes nacionalçlirimtare greke të fillonin kryengritjen. Ndërsa në muajin mars 1821, Hurshid Pasha përpiqej të vinte rregull në ushtrinë që rrethonte Janinën dhe kërkoi përforcime të reja, Aleksandër Ipsilanti shpalosi në Moldavi flamurin e kryengritjes. Edhe në More shpërtheu kryengritja, e cila me të shpejtë, nën drejtimin e “Shoqërisë së Miqve” (“Filiqi Eteria”)?, shënoi fillimin e luftës për çlirimin kombëtar dhe formimin e shtetit grek.
Në kushtet e zgjerimit të kësaj lufte, Porta e Lartë mendoi të merrej vesh me Ali Pashën, por duke kërkuar kapitullimin e tij, ndërsa ai vuri si kusht kryesor largimin e forcave osmane nga Pashallëku i Janinës dhe shpalljen e tij si qeveritar i përjetshëm i këtij pashallëku. Porta e Lartë nuk pranoi, prandaj lufta filloi përsëri. Aliu ndërmori veprime luftarake me qëllim që Hurshid Pasha të mos organizonte një sulm të përgjithshëm kundër tij dhe të mos shkëpuste ndonjë pjesë të forcave, që dispononte për t’i dërguar kundër kryengritjes greke. Edhe para këtyre ngjarjeve Ali pashë Tepelena u kishte lënë dorë të lirë eteristëve të zhvillonin veprimtarinë e tyre propagandistike dhe organizative në pashallëkun e vet. Me këtë veprimtari Aliu ndihmoi grekët dhe lëvizjen e tyre çlirimtare. Ai hyri në bisedime me kryengritësit grekë duke shpresuar se ata mund të bëheshin aleatë në luftën kundër sulltanit dhe se me këtë rrugë do të siguronte ndihmën e Rusisë. Ndonëse ishte në dijeni të letrës që Aleksandër Ipsilanti u kishte dërguar krerëve të kryengritjes, ku i porosiste ta shfrytëzonin Ali Pashën duke i zhvatur të holla e armatime dhe ta linin në fatin e vet për të rënë mbi të goditja e ushtrive osmane, ai i dha udhëzime Aleks Nuços që të takohej me përfaqësuesin e “Shoqërisë së Miqve”, H. Porevos, dhe të fillonte bisedimet për marrëveshje. Këto bisedime filluan në qershor 1821 dhe iu kushtuan përgatitjes së një bashkëpunimi luftarak kundër armikut të përbashkët. Vetë Ali Pasha, me qëndresën e tij të patundur dhe me prirjen për bashkëpunim, krijoi besim te një pjesë e mirë e krerëve grekë, të cilët i njoftoi se kishte dërguar njerëz të nxitnin për kryengritje edhe popujt e tjerë ballkanikë.
Në vjeshtë të vitit 1821 Ali Pasha dërgoi në Misolongji, që ishte njëra nga qendrat kryesore të luftës greke, dy nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Tahir Abazin e Aleks Nuçon për të bashkërenduar veprimet me kryengritësit grekë. Por, megjithëse u arrit marrëveshja, kryetari i lëvizjes në Greqinë Perëndimore, A. Mavrokordato, ndryshe nga një varg krerësh të tjerë që ishin për bashkëpunim, nuk e respektoi atë dhe, duke vepruar në kundërshtim me interesat e të dy popujve fqinjë, bëri krime të shëmtuara ndaj popullsisë myslimane shqiptare. Duke parë këtë qëndrim, Tahir Abazi e krerët e tjerë shqiptarë e hoqën shpresën për bashkëpunim me kryengritësit grekë.
Krerët shqiptarë e vazhduan luftën. Pasi ra kështjella e Tepelenës në duart e kryengritësve shqiptarë, Iljaz Poda, që arriti të grumbullonte rreth 6 000 veta myslimanë e të krishterë nga krahinat e Myzeqesë, Tepelenës dhe Gjirokastrës, u nis në drejtim të Zagorit, ku në bashkëpunim me kryengritësit e rrethit të Janinës synonte të çante rrethimin e Ali Pashës. Më pas iu drejtuan rrethinave të Artës, ku vepronte pjesa tjetër e të besëlidhurve. Në kohën kur Arta ishte e rrethuar nga larg prej suliotëve dhe forcave të Tahir Abazit dhe Ago Vasjarit, njësitë e Iljaz Podës u hodhën drejt saj duke e ndarë ushtrinë në reparte të vogla, që u shkrinë me çetat suliote dhe ato të kleftëve. Çlirimi i Artës do ta bënte më të lehtë sulmin për çlirimin e Ali Pashës nga rrethimi. Ky, pasi kështjella e Litharicës pati rënë më 16 nëntor në duart e Hurshid Pashës, ishte përqendruar i vetëm në kështjellën e Kastros. Por gjendja e garnizonit osman në Artë ishte aq e vështirë, sa nuk mund të qëndronte gjatë. Përveç mungesës së ushqimeve ndikoi edhe qëndrimi i njërit prej komandantëve shqiptarë të ushtrisë osmane, Mehmet Beut, që ishte lidhur me forcat shqiptare, të cilat pas mbërritjes së Iljaz Podës, arritën në 10-12 000 veta. Gjendja e garnizonit osman u vështirësua më shumë, kur kjo forcë mjaft e madhe shqiptare iu afrua me luftë qytetit më 25 nëntor dhe më 28 në mëngjes u gjend në portat e tij.
Ndërsa pritej që të çlirohej Arta me urdhër të Mavrokordatos, mbërriti aty kapedan Makriu me 2 000 grekë, i ngarkuar që të mos lejonte që qyteti të binte në duart e forcave shqiptare. Pikërisht në këtë kohë suliotët shkelën zotimet e besëlidhjes, u bashkuan me lëvizjen greke dhe u vunë nën komandën e kapedan Makriut. Ndërkaq, në ndihmë të garnizonit të Artës mbërritën dy reparte të fuqishme osmane, njëri nga të cilët u doli nga prapa forcave shqiptare. Suliotët braktisën pozitat e tyre në Pesë Puset, ndërsa forcat shqiptare, që u rrezikuan të mbeteshin të gozhduara midis dy zjarresh, u detyruan të hiqnin dorë nga rrethimi i Artës dhe të kalonin në pozitat që kishin pasur para sulmit të 25 nëntorit. Por luftimet u ndërprenë nga të dyja palët, sepse komandantët kryengritës shqiptarë, duke parë se po dështonin synimet e tyre dhe duke ndjerë rrezikun që u kanosej trojeve shqiptare nga veprimet aneksuese greke, nuk ngurruan t’i dorëzoheshin Omer pashë Vrionit në Pesë Puset, të siguronin faljen nga Hurshid Pasha dhe të viheshin përsëri nën komandën e tij.
Kjo ngjarje shënoi afrimin e fundit të qëndresës së Ali Pashës. Pas kësaj, i ndodhur përballë forcave shqiptare të Mustafa pashë Bushatlliut, që dërgoi në Janinë një fuqi prej 3 000 vetash, të pashallarëve dhe krerëve të tjerë shqiptarë, edhe garnizoni i Kastros nuk vonoi të braktiste vezirin plak dhe të hapte dyert e kështjellës. Kështu më 23 janar 1822 trupat osmane e pushtuan kështjellën me përjashtim të një pjese të brendshme të saj, ku mbeti i rrethuar Ali Pasha me rreth 50 veta besnikë dhe me gruan e tij, Vasiliqinë. Në këto kushte Ali Pasha nuk mundi të qëndronte gjatë. I mashtruar edhe nga njerëzit e vet, që ishin vënë në shërbim të Hurshid Pashës dhe që i premtuan se do të falej, Aliu ra në kurthin e kryekomandantit osman. Ky e siguroi se sulltani kishte nxjerrë fermanin e faljes, i cili nuk mund të zbatohej para se ai të tërhiqej në ishullin e liqenit dhe të dorëzonte fortesën e fundit, ku po vazhdonte qëndresën i vetmuar. Ali Pasha e priti me plumb të ngarkuarin e Hurshid Pashës, i cili, në vend të fjalës së premtuar, lexoi dënimin me vdekje. Më 5 shkurt 1822, Ali pashë Tepelena. u vra me armë në dorë në manastirin e Shën Pandelemonit, në ishullin e liqenit të Janinës. Koka e tij u ekspozua më pas në oborrin e sulltanit
Historia shqiptare
Sundimi Osman