Faktori ndërkombëtar

Faktori ndërkombëtar

Lufta për çlirimin kombëtar, për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit, edhe në Shqipëri nuk mund të zhvillohej jashtë ndikimit të Fuqive të Mëdha dhe të raporteve ndërkombëtare të kohës.
Në shek. XIX Fuqitë e Mëdha e kishin vënë Perandorinë Osmane nën ndikimin e tyre, ishin bërë tanimë një faktor i dorës së parë që përcaktonte fatin e saj dhe të zotërimeve të saj duke përfshirë edhe ato ballkanike. Të bindura tanimë përfundimisht se kjo Perandori po shkonte drejt shembjes së pashmangshme, këto shtete punonin për të forcuar më tej ndikimin në zotërimet e saj dhe mbi shtetet që do të dilnin pas rrënimit të saj. Në këto rrethana, si lëvizjet kombëtare, ashtu edhe procesi i formimit të shteteve nacionale, nuk mund të zhvilloheshin në mënyrë të pavarur dhe jashtë ndikimit e vullnetit të Fuqive të Mëdha. Ashtu si këto lëvizje, edhe ajo kombëtare shqiptare, ishin bërë pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Zgjidhja e çështjes kombëtare në këto vende përcaktohej në një shkallë të konsiderueshme nga këto marrëdhënie ndërkombëtare.Kështu, edhe pse patën shpërthyer në Serbi kryengritja e parë më 1804 dhe e dyta më 1815, ndërsa në Greqi e në Rumani më 1821, këto vende u çliruan nga robëria osmane vetëm pas disfatës që Turqia pësoi në Luftën ruso-turke të viteve 1828-1829, kur, sipas traktateve të paqes ndërmjet Rusisë e Perandorisë Osmane, u njoh autonomia e principatës serbe dhe e Malit të Zi, u përforcua autonomia e principatave të Vllahisë e të Moldavisë dhe u njoh pavarësia e Greqisë, e cila u sanksionua edhe me Traktatin e Londrës të Fuqive të Mëdha më 1830. Edhe Bullgaria, ndonëse u përfshi më 1876 nga një lëvizje kryengritëse kundër robërisë osmane, u shpall si principatë autonome (pjesa veriore e saj) dhe si njësi shtetërore nën vasalitetin e sulltanit, me emrin Rumelia Lindore (pjesa jugore), pas shpartallimit të Perandorisë Osmane në Luftën ruso-turke të viteve 1877-1878 dhe pas Traktatit të Shën-Stefanit dhe atij të Berlinit më 1878.
Rol vendimtar ka pasur faktori i jashtëm edhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si dhe në fatin e çështjes shqiptare në përgjithësi. Por, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ndërhyrjet e këtij faktori në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të periudhës së Rilindjes kanë qenë, me ndonjë përjashtim, me rrjedhoja negative për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Asnjë nga Fuqitë e Mëdha nuk e mori nën sqetull çështjen shqiptare dhe nuk u angazhua për zgjidhjen e saj. Ky qëndrim mospërfillës, madje edhe opozitar i shteteve evropiane ndaj çështjes kombëtare shqiptare, që do të vazhdonte edhe pas Rilindjes, ndonëse ka qenë diktuar nga interesat e tyre të njohur politikë dhe strategjikë në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri, si edhe nga synimi për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet tyre, ka qenë përcaktuar edhe nën ndikimin e faktorit fetar. Dihet se afria e besimit fetar ka nxitur jo vetëm Rusinë, ku identifikimi populist i kombit me fenë ishte më i spikatur (“rus” kishte kuptimin “kristian” – i krishterë), por edhe Fuqitë e tjera të Mëdha evropiane të përkrahnin lëvizjen kombëtare të popujve të krishterë të Ballkanit. Ndërkaq, lëvizja kombëtare e popullit shqiptar, shumica e të cilit i përkiste fesë myslimane, përgjithësisht nuk ka gëzuar një përkrahje të tillë edhe kur ka përjetuar kulmet e saj, madje të atilla që rrallë mund të ndeshen edhe në vendet e tjera të Ballkanit, siç kanë qenë periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881) dhe ajo e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912.

Por edhe Fuqitë e Mëdha, ndonëse përgjithësisht i sinkronizonin veprimet e tyre kur ndërhynin në Perandorinë Osmane dhe posaçërisht në Shqipëri, nuk kanë mbajtur gjithnjë e të gjitha të njëjtin qëndrim ndaj çështjes shqiptare. Janë të njohura sidomos qëndrimet e veçanta të Austro-Hungarisë, e cila, edhe pse kur ishte fjala për ndërhyrjet në Perandorinë Osmane vepronte si një nga gjymtyrët më të rëndësishme të koncertit të shteteve evropiane, punonte njëherazi për të nxitur zhvillimin kulturor të shqiptarëve, që e shihte si një mjet për forcimin tek ata të ndjenjave kombëtare. Kjo politikë diktohej, pa dyshim, nga interesat e saj ekonomikë e politikë në Shqipëri, si vend me një pozicion të rëndësishëm në Adriatik, nga synimi i Vjenës për të shfrytëzuar për këta interesa Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në pragun dhe sidomos gjatë luftërave ballkanike (1912-1913) Austro-Hungaria nisi të përkrahte në fillim idenë e vendosjes së një administrimi autonom në Shqipëri e më pas, në periudhën e përgatitjes së Shpalljes së Pavarësisë, atë të një shteti kombëtar shqiptar.

Ndërhyrja e faktorit të jashtëm në çështjen shqiptare ka qenë e shumëfishtë: krahas Fuqive të Mëdha në lëvizjen shqiptare ndërhynin jo vetëm me mjete propagandistike e diplomatike, por edhe me agresionin e hapur ushtarak, edhe shtetet fqinje (Serbia, Greqia dhe Mali i Zi). Duke filluar nga vitet 30 të shek. XIX, këto shtete ndiqnin një politikë ekspansioniste për pushtimin e tokave shqiptare. Në këto kushte Rilindja Shqiptare u detyrua ta drejtonte tehun e luftës njëherësh në dy fronte: kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar dhe kundër lakmive shoviniste të shteteve fqinje, të cilat përkraheshin nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Lufta në dy fronte, me dy objektiva, përbënte një veçori të lëvizjes shqiptare të epokës së Rilindjes, e cila e bënte atë të dallohej nga lufta që zhvilluan kombet e tjera të Ballkanit në shek. XIX. Megjithatë, kjo veçori nuk i përjashtoi aspak shqiptarët e lëvizjen e tyre kombëtare nga fronti i përbashkët i qëndresës së popujve të Ballkanit kundër zgjedhës shekullore osmane, gjatë së cilës u treguan të gatshëm për të bashkëpunuar me popujt fqinj të Gadishullit Ballkanik dhe dhanë një kontribut të çmuar.

Pasojat e ndërhyrjeve të jashtme Shqipëria i ndjeu tepër rëndë. Brenda 40 vjetëve të fundit para Shpalljes së Pavarësisë (1912), Fuqitë e Mëdha dhe sidomos shtetet fqinje ballkanike, që përkraheshin prej tyre, ndërhynë, madje edhe me mjete ushtarake, dy herë në çështjen shqiptare: në vitet 1878-1881, kur iu kundërvunë Lidhjes së Prizrenit dhe kërkesave të vazhdueshme të saj për një shtet autonom shqiptar dhe kur me vendimet e Kongresit të Berlinit gjymtuan rëndë territoret shqiptare, si dhe më 1912-1913, kur edhe pse e njohën shtetin e pavarur, të porsashpallur shqiptar, i shkëputën atij më shumë se gjysmën e territoreve dhe të popullsisë, që ua aneksuan shteteve fqinje.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]