Kryengritja e Dibrës dhe revolta e Shkodrës kundër Tanzimatit (1860-1861)
Në vitet 60 të shek. XIX marrëdhëniet ndërmjet sundimtarëve osmanë dhe popullsisë së Shqipërisë së Veriut u acaruan përsëri në një shkallë të tillë, sa shkaktuan shpërthimin e një vargu konfliktesh të reja të armatosura.
Pakënaqësia e popullsisë ndaj administratës së re dhe qëndresa kundër saj, që nuk ishin shuar dhe vijonin të shfaqeshin në forma të ndryshme, e kishte detyruar pushtetin osman që të vepronte në mënyrë të matur. Kur nga fundi i viteve 50 Porta e Lartë ndërmori veprime të reja për të shtrirë kudo, në Shqipërinë e Veriut, administratën e re dhe për të zbatuar me forcë reformat, ajo ndeshi përsëri në kundërshtimin e vendosur jo vetëm të malësorëve, por edhe të banorëve të qytetit të Dibrës, të Shkodrës e të qyteteve të Kosovës.
Në pranverën e vitit 1860 Porta filloi veprimet ushtarake në malësitë e Dibrës. Ajo gjeti atje kushte të favorshme për arritjen e qëllimeve të saj, sepse përfitoi nga konflikti që kishte shpërthyer ndërmjet dibranëve, i nxitur nga një pjesë e klerikëve fanatikë e konservatorë myslimanë të ritit synit. Këta i luftonin si heretikë të rrezikshëm bektashinjtë e Dibrës dhe udhëheqësin e tyre Sheh Fejzën nga Bulqiza, të cilët, ashtu si gjithë sekti i bektashinjve, ishin në konflikt me dogmat synite dhe me shtetin osman që i përkrahte ato. Në të vërtetë konflikti, që në pamjen e jashtme kishte karakter fetar, në thelb kishte të bënte me qëndrimin ndaj politikës së Portës së Lartë në Shqipëri. Kleri i lartë synit i Dibrës ishte vendosur përkrah qeverisë dhe reformave. Me qeverinë osmane ishin bashkuar edhe disa çifligarë e tregtarë të qytetit të Dibrës së Madhe, si dhe disa bajraktarë, ndërsa bektashinjtë mbanin anën e fshatarëve kryengritës. Në krye të tyre u vu Sheh Fejza, që punonte për të ngjallur në popull ndjenjën kombëtare, duke nxitur shkrimin e gjuhës shqipe dhe përpjekjet për një alfabet të veçantë të saj.
Në këto rrethana, ekspedita osmane, e komanduar nga Abdi Pasha, mundi të hynte pa pengesë në qytetin e Dibrës së Madhe. Vetëm krahina e Grykës së Madhe rroku armët. Në një ndeshje që u bë në fshatin Xixull, malësorët e kësaj zone, të udhëhequr nga Sheh Fejza, zhvilluan luftime të ashpra, por kryengritësit u thyen, ndërsa Sheh Fejza i plagosur ra rob. Shtypja e kryengritjes u shoqërua me nje terror të egër, u dogjën fshatrat që bënë qëndresë, si Xixulli e Bulqiza.
Qeveria osmane e shtriu me forcë zbatimin e reformave edhe në trevat deri atëherë të panënshtruara. Në qytetin e Dibrës së Madhe u vendosën funksionarë turq të ardhur nga Stambolli. Pas kësaj filloi rritja e taksave. Në vitin 1863 Porta merrte prej Dibrës 3 000 qese (1 qese = 500 groshë) në vend të një shume të përgjithshme vjetore prej 100 qesesh që kishte marrë që nga viti 1831.
Një problem shqetësues për Stambollin vijonte të ishte Shkodra me malësitë e saj të krishtere. Në fillim të viteve 60 reformat pothuajse nuk ishin zbatuar as në krahinën e Shkodrës, as edhe në qytet. Në vjeshtën e vitit 1860, administrata osmane, nën pretekstin e vendosjes së rendit publik, u orvat të bënte çarmatimin e popullsisë së qytetit e të zonës fushore dhe t’i hapte rrugë zbatimit të masave të tjera. Këto përpjekje ndeshën në kundërshtimin e vendosur të banorëve të Shkodrës, të cilët edhe pa këto veprime të reja ishin të pakënaqur nga politika fiskale e qeverisë dhe nga shpërdorimet financiare. Abuzime të mëdha bëri administrata lokale gjatë zbatimit të sistemit të ri tatimor. U morën nga tregtarët e zejtarët e Shkodrës pa pagesë mallra në vlerën prej 30 000 qesesh, ndërsa drejtori i financës së vilajetit të Shkodrës, Talat Beu, kishte përvetësuar në mënyrë të paligjshme 526 948 groshë. Popullsia e Shkodrës duhej të përgjigjej me mjete financiare për mbajtjen e ushtarëve në kufirin me Malin e Zi, sepse autoritetet lokale nuk ishin në gjendje të mbronin popullsinë civile nga cubat malazezë. Gjendja u rëndua edhe për shkak të prodhimeve bujqësore të këqija të vitit 1860. Në këto rrethana do të duhej vetëm një shkëndijë që pakënaqësia të kthehej në revoltë të hapur.
Në vjeshtën e vitit 1861 Porta filloi përsëri orvatjet për të zbatuar këtu reformat që kishin mbetur pezull. Gjithnjë me pretekstin se kërkonte vendosjen e rendit publik, Porta nisi të çarmatoste popullsinë e qytetit dhe të fushave, për t’i hapur rrugën zbatimit të masave të tjera, por ndeshi në kundërshtimin e shkodranëve, të cilët në çarmatosjen shihnin heqjen e çdo mundësie për t’u mbrojtur si nga grabitjet dhe zullumet e administratës, ashtu edhe nga sulmet e herëpashershme të Malit të Zi. Qytetarët e Shkodrës, duke qenë të armatosur, ngritën krye, mbyllën tregun, i detyruan forcat osmane të tërhiqeshin nga qyteti e të mbylleshin në kështjellë, prenë lidhjen telegrafike me Stambollin dhe e shpallën valiun, Abdi Pashën, të rrëzuar nga pushteti. Me qytetarët u bashkuan edhe malësorët. Ndonëse Abdi Pasha kishte pranë 12 batalione nizamësh, një regjiment kalorësie dhe disa mijëra ushtarë toskë, të rekrutuar për të mbrojtur kufirin me Malin e Zi, nuk guxoi të ndeshet me të revoltuarit, por kërkoi përforcime të reja, pesë batalione të tjera. Me ndërhyrjen e zëvendëskadiut turma, pasi iu premtua se Abdi Pasha do të jepte dorëheqjen, u shpërnda. Ndërkaq, qeveritari osman nuk pranoi të largohej. Ky qëndrim e acaroi edhe më shumë gjendjen në Shkodër.
Myslimanët e të krishterët e qytetit, të bashkuar, i dërguan sulltanit një memorandum ku shprehnin zemërimin e tyre kundër administratës së vendit, e cila, në emër “të rregullit e të rendit publik”, e rëndonte popullin me ngarkesa të reja fiskale. Vendi, deklaronin shkodranët, s’kishte as rrugë, as gjyqe të paanshme, as siguri nga kusarët që ishin turrur mbi të. Administrata nuk ishte në gjendje të mbronte vendin, jetën dhe pasurinë e banorëve nga sulmet e çetave malazeze, që sa vinin e bëheshin më të shpeshta.
Në kushtet kur edhe marrëdhëniet me Malin e Zi ishin të acaruara, Porta e Lartë u përpoq ta mbyllte sa më parë këtë konflikt. Për këtë dërgoi si komisar me kompetenca të plota Xhevdet Pashën, me prejardhje nga Korça, historian i njohur, autor i “Historisë së Perandorisë Osmane” në 12 vëllime (1764-1825). Me të mbërritur në Shkodër, Xhevdet Pasha lexoi urdhrin e kryeministrit për largimin e Abdi Pashës dhe për emërimin e Reshit pashë Misirit në vend të tij. Në saje të qëndrimit të matur Xhevdet Pasha mundi të vendoste përkohësisht qetësinë në qytetin e Shkodrës.
Krahas kësaj, duke njohur nga afër gjendjen dhe potencialin e madh ushtarak të popullsisë së Shkodrës në rast të një konflikti osmano-malazez, ai i rekomandoi Portës së Lartë që ta trajtonte Shkodrën më me kujdes e me vëmendje, por ajo nuk i mori parasysh këshillat e tij.
Por edhe pse këto kryengritje u shtypën përsëri, popullsia nuk u pajtua asnjëherë me politikën e egër të qeverisë osmane. Kjo e detyroi të dërgonte herë pas here ekspedita ushtarake kundër malësive të Shkodrës, të Prizrenit, të Gjakovës dhe të Dibrës, të cilat mbetën edhe më tej vatra të ndezura të qëndresës popullore.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare