Ndryshimet administrative. Organizimi i vilajeteve

Ndryshimet administrative. Organizimi i vilajeteve

Pasi shtypi qëndresën e feudalëve separatistë provincialë, Porta e Lartë nuk e rimëkëmbi më sistemin e vjetër administrativ të ejaleteve, i cili ishte përmbysur në viset shqiptare qysh në gjysmën e dytë të shek. XVIII, pjesërisht nga anarkia feudale që pushtoi këto vise dhe kryesisht nga ekzistenca relativisht e gjatë e pashallëqeve të Shkodrës e të Janinës. Vendin e ejaleteve e zunë pashallëqet, të cilat u ndërtuan mbi parimet centraliste. Për të mos u dhënë mundësi guvernatorëve provincialë që të forcoheshin politikisht dhe ekonomikisht, njësitë e reja administrative ishin shumë më të vogla se ejaletet e dikurshme. Në krye të pashallëqeve tani u emëruan si guvernatorë pashallarë të karrierës ushtarake, të pajisur me grada sipas sistemit evropian.Në kuadrin e kësaj reforme administrative, territoret me popullsi shqiptare u ndanë, në fillim të viteve 30, midis 9 pashallëqeve (pashallëqet e Manastirit, të Janinës, të Shkodrës, të Prizrenit, të Pejës, të Prishtinës, të Shkupit, të Vranjës e të Leskovcit). Kryengritjet që shpërthyen në gjysmën e parë të viteve 30 e detyruan Portën e Lartë t’i krijonte përsëri më 1836 njësitë e mëdha administrative e sipas kësaj reforme, viset me popullsi shqiptare u ndanë midis 3 ejaleteve: në ejaletin e Manastirit, guvernatori i të cilit, me titullin “valiu i Rumelisë”, tani kishte në administrim pashallëqet e Manastirit, të Shkodrës, të Prizrenit dhe të Pejës; në ejaletin e Sofjes, me në krye një mareshal (myshir), nën vartësinë e të cilit hynë gjithashtu pashallëqet e Prishtinës, të Shkupit, të Vranjës, të Leskovcit e të Nishit; në ejaletin e Janinës, me në krye një vezir, në kufijtë e të cilit hyri, përveç trojeve jugore shqiptare, edhe pashallëku i Thesalisë. Më 1846, pashallëku i Shkodrës dhe ai i Prizrenit u shkëputën nga valiu i Rumelisë (nga ejaleti i Manastirit) dhe formuan një njësi administrative më vete, me emrin ejaleti i Shkodrës, i varur drejtpërdrejt nga Stambolli.

Me qëllim që ta forconte më tej pushtetin qendror dhe të rriste kontrollin e vet në provinca, Porta e Lartë ndërmori më 1864 një reformë tjetër administrative, sipas së cilës vendin e ejaleteve e zunë vilajetet, me në krye një vali (guvernator). Edhe vilajetet u ndanë si dikur ejaletet në sanxhakë, në kaza e në nahije. Vilajeti u pajis me një aparat burokratik të plotë. Në mënyrë të veçantë ky aparat kishte për detyrë të vilte taksat për shtetin, të nxirrte rekrutët për ushtrinë dhe të suprimonte venomet tradicionale. Sipas shembullit të shteteve evropiane, nën urdhrat e valiut qëndronte Mexhlisi, d.m.th. këshilli administrativ i vilajetit, nga i cili vareshin drejtoritë e ngarkuara për sektorë të veçantë të administratës (drejtoria e financës, e vakëfeve, e ekonomisë, e arsimit etj.). Repartet ushtarake të vilajetit me komandantin e tyre me gradë, sipas rastit, gjeneral divizioni ose gjeneral armate, tani vareshin drejtpërdrejt nga sulltani nëpërmjet shtatmadhorisë së përgjithshme të ushtrisë osmane. Krahas tyre kishte një varg organesh të tjera, siç ishin ato gjyqësore dhe zyrat e sheriatit, të cilat në disa vise mbetën përsëri në fuqi, ato të xhandarmërisë e të policisë, të cilat vareshin drejtpërdrejt nga valiu.
Një strukturë administrative pak a shumë të njëllojtë kishte edhe sanxhaku me kazanë.
Vilajetet nuk u krijuan menjëherë. Madje disa prej tyre u suprimuan dhe u rikrijuan përsëri më vonë. Veç kësaj, edhe kufijtë e tyre administrativë nuk qenë të qëndrueshëm. Shpeshherë krahina të tëra shkëputeshin nga një vilajet dhe futeshin nën vartësinë e një vilajeti tjetër.

Trojet shqiptare u prekën pjesërisht nga reforma e re administrative më 1867 me krijimin e vilajetit të Selanikut, i cili përfshiu disa krahina të Shqipërisë Lindore (rrethet e Matit, të Dibrës, të Strugës, të Pogradecit e të Korçës). Dy vjet më vonë, më 1869, u krijua vilajeti i Shkodrës, në kufijtë e të cilit hynë, përveç viseve të Shqipërisë Veriore, edhe krahinat e Matit, të Dibrës, të Prizrenit, të Gjakovës etj. Më 1873 kufijtë e vilajetit të Shkodrës u ngushtuan në favor të një vilajeti të ri, të vilajetit të Prizrenit, i cili përfshiu gjithë Kosovën së bashku me sanxhakët e Dibrës, të Shkupit e të Nishit. Gjatë kësaj kohe edhe ejaleti i Janinës u kthye në një vilajet.

Megjithatë, ndryshimet më të shpeshta dhe më të thella harta e vilajeteve i pësoi gjatë viteve të Krizës Lindore (1875-1878). Në mënyrë të veçantë vilajeti i Kosovës, qendra e të cilit kaloi nga Prizreni në Prishtinë, pësoi ndryshime të rëndësishme në shtrirjen e vet territoriale pothuajse çdo vit, në ndonjë rast edhe dy herë në vit. Kështu, për shembull, më 1875 ai shtrihej vetëm në viset e Kosovës, kurse dy vjet më vonë nën juridiksionin e tij u përfshi një territor i gjerë, që nga Dibra deri në Nish. Po ashtu ndodhi edhe me vilajetin e Shkodrës, i cili, pasi u suprimua më 1875, u riorganizua më 1877 jo si vilajet, por si ejalet, me një territor gati dy herë më të vogël se ai që kishte katër vjet më parë. Në të njëjtën kohë, vilajeti i Manastirit, i cili u krijua për të parën herë më 1875, dy vjet më vonë u suprimua duke hyrë në juridiksionin e vilajetit të Selanikut.

Pavarësisht nga këto ndryshime të thella dhe të shpeshta, trojet shqiptare mbetën më tepër të ndara midis katër vilajeteve. Veç kësaj, në secilin nga këto vilajete u përfshinë edhe kombësi të tjera: në vilajetin e Kosovës popullsi shqiptare, serbe e maqedone, në atë të Manastirit popullsi shqiptare, maqedone e greke, në vilajetin e Janinës popullsi shqiptare, greke dhe vllehe, kurse në atë të Shkodrës popullsi shqiptare e malazeze. Megjithatë, shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në çdonjërin prej tyre dhe në të katër vilajetet të marra së bashku. Më shumë se kurdoherë tani që në Ballkan kishin marrë hov të madh lëvizjet për çlirim kombëtar, qëllimi që ndiqte Porta e Lartë me këtë politikë administrative ishte t’i mbante të përçara popullsitë joturke të Perandorisë, duke i vënë në grindje kombësitë e ndryshme të një vilajeti dhe duke penguar bashkimin politik të popullsisë së një kombësie të vetme, që ishte e shpërndarë në vilajete të ndryshme.

Harta administrative e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik u bë pak a shumë e qëndrueshme vetëm pasi kaloi tallazi i Krizës Lindore. Por edhe tani trojet shqiptare mbetën të copëtuara midis katër vilajeteve. Madje, një pjesë e trungut etnik (krahina e Ulqinit) dhe disa vise të brezit anësor (krahinat e Podgoricës, të Shpuzës, të Vranjës, të Leskovcit e të Nishit) tani mbetën jashtë Perandorisë Osmane, pra jashtë katër vilajeteve, pasi u aneksuan nga Mali i Zi dhe nga Serbia në vitet 1878-1880. Më 1888 ndarja e katër vilajeteve në sanxhakë dhe e sanxhakëve të tyre në kaza, ndarje e cila mbeti në fuqi deri në fund të sundimit osman, ishte në këtë mënyrë: shiko Vilajetet Sanxhakët dhe kazatë

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]