Naum Veqilharxhi dhe Jeronim de Rada.

Naum Veqilharxhi dhe Jeronim de Rada.

Krahas dukurive të reja politike e shoqërore të kryengritjeve kundërosmane të viteve 30-40, ku spikatën kërkesat për trajtimin e veçantë të Shqipërisë dhe për administrimin e saj nga njerëzit e vendit, lindi dhe u zhvillua në Shqipëri edhe ideologjia kombëtare. Shprehësit e parë më të shquar të ideve të reja u bënë Naum Veqilharxhi dhe Jeronim de Rada.

Naum Veqilharxhi dhe veprimtaria e tij në vitet 40
Naum Veqilharxhi (1797-1854) lindi në Vithkuq (rrethi i Korçës), që ishte një qytezë me zeje e tregti të zhvilluar dhe me një popullsi arsimdashëse. Që në moshë të re, para vitit 1806, ai shkoi në Vllahi, ku kishte një koloni të rëndësishme shqiptarësh. Më 1821 Naumi, bashkë me shqiptarë të tjerë, mori pjesë në kryengritjen e madhe popullore që shpërtheu në Vllahi kundër sundimit osman nën udhëheqjen e Tudor Vladimireskut.
Lufta që zhvilloi kundër sundimit osman në dhe të huaj ia shtoi dashurinë për vendlindjen. Duke punuar si avokat në Brailë të Rumanisë, ai u njoh me idetë përparimtare dhe u formua si iluminist. Këtu ai iu kushtua me mish e me shpirt çështjes së çlirimit kombëtar të atdheut të vet, Shqipërisë.

Naumi, i cili edhe në dokumentet vetjake në mërgim e cilësonte veten me kombësi shqiptare, kishte besim të patundur te populli shqiptar, në aftësitë e tij për t’u ndriçuar e për t’u çliruar dhe në të ardhmen e tij më të mirë. Ky besim buronte jo vetëm nga patriotizmi i flaktë dhe nga përvoja e njohuritë filozofike e historike që kishte fituar, por edhe nga realiteti i Shqipërisë, ku kryengritjet çlirimtare kundër sundimit osman pasonin njëra-tjetrën nga jugu në veri.

Si iluminist Naumi arriti në përfundimin se popullit shqiptar, të zhytur në padije, i duhej patjetër arsimimi në gjuhën amtare si mjet për ngritjen e ndërgjegjes dhe përparimin shpirtëror e material të tij, se pa zhvillim kulturor nuk mund të kishte çlirim politik të popullit. “Ka ardhur koha, – shkruante ai më 1846, – që t’i flakim të gjitha paragjykimet e vjetruara, ka ardhur koha që të mendohemi më me pjekuri dhe më me guxim të këmbejmë udhë, duke marrë këtej e tutje si shembull kombet e përparuara mbi tokë… Dhe duke synuar këtu, le të ecim pa u lëkundur, me guxim, me durim dhe me këmbëngulje”.
Nevoja për masa të frytshme e konkrete në fushën e arsimit në gjuhën shqipe ishte bërë veçanërisht e theksuar në vitet 40, me shtimin e numrit të shkollave të huaja që filluan të hapeshin në Shqipëri.

Naum Veqilharxhi u bë shprehës i atyre rretheve atdhetare shqiptare, brenda e jashtë vendit, të cilat e kuptuan rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe për çlirimin e tij kombëtar dhe që e ndien nevojën e ngutshme për të përhapur arsimin në gjuhën amtare. Prandaj ai kërkonte një shkollë të re, shqipe nga gjuha, racionaliste nga përmbajtja dhe masive nga shtrirja. Në kushtet e Shqipërisë së prapambetur rruga drejt këtij arsimi do të fillonte nga abetarja dhe për ta hartuar atë duhej përgatitur alfabeti shqip. Alfabetet latine, greke ose arabe, që ishin përdorur deri atëherë për shkrimin e shqipes, pa ndonjë përshtatje të veçantë, jo vetëm nuk jepnin plotësisht të gjithë tingujt e saj, por kishin marrë edhe ngjyrë fetare e ishin bërë përçuese ndikimesh politike të huaja. Naum Veqilharxhi mendonte se shqiptarët si komb i veçantë, me gjuhë të veçantë, duhej të kishin edhe alfabetin e tyre.

Me alfabetin e ri që sajoi qysh në vitet 20, duke huajtur edhe elemente nga alfabetet e tjera, ai kishte hartuar disa tekste; por këto, siç duket, për vështirësi teknike e mungesë mjetesh mbetën për dy dhjetëvjeçarë të pabotuara. Më 1844 Naum Veqilharxhi botoi në Rumani “Evetarin” e tij, një abetare e vogël e poligrafuar, e cila është abetarja e parë e gjuhës shqipe. Abetarja u shpërnda në krahinat jugore të Shqipërisë, në Korçë, në Përmet, në Berat, në Gjirokastër etj. Megjithëse alfabeti ishte i vështirë për t’u përvetësuar, abetarja ngjalli entuziazmin e bashkatdhetarëve. Në një letër, që i drejtohej autorit nga Korça më 22 prill 1845, e njoftonin se abetaret i kishin marrë “… me gëzim të madh dhe me kënaqësi”. Letra i bënte të ditur se paria e Korçës kishte vendosur të fillonte një fushatë për të ndihmuar Naum Veqilharxhin të blinte një shtypshkronjë dhe të hapte shkolla shqipe. “Mjaft për kaq kohë nën zgjedhën e paditurisë, – shkruanin patriotët korçarë. – Të shpresojmë se brenda një kohe të shkurtër arsimi do të shtrihet në mbarë atdheun tonë dhe në mbarë kombin tonë… Na dërgoni sa më shumë evetore, sepse bashkatdhetarët po kërkojnë pareshtur të gjejnë akoma nga kjo abetare”. Kjo pritje e ngrohtë e këto fjalë tregonin se nisma e Naum Veqilharxhit shprehte aspiratat e një shtrese të gjerë shoqërore brenda vendit, që ndiente nevojën për t’u arsimuar në gjuhën amtare si kusht i rëndësishëm për të çarë errësirën mesjetare dhe për t’i hapur atdheut rrugën e përparimit.
Për t’iu përgjigjur kërkesës së patriotëve korçarë, më 1845 Naum Veqilharxhi botoi një abetare të dytë me titull “Fare i ri evetar shqip”, shumë më të plotë se e para dhe me një parathënie të gjerë. Në këtë abetare Naumi bënte përpjekje serioze për ta vënë mësimin e shqipes mbi baza shkencore; ai e pasuroi gjuhën shqipe me një varg fjalësh e termash të kulturës e të shkencës. Abetaret e Naum Veqilharxhit luajtën një rol të rëndësishëm në Rilindjen Shqiptare, hodhën hapat e parë të arsimit në gjuhën shqipe.
Pas botimit të abetares së dytë Naum Veqilharxhi, me sa duket, u përpoq të krijonte një shoqëri kulturore shqiptare, e cila do të merrej me botimin në Rumani të librave në gjuhën amtare dhe me dërgimin e tyre në Shqipëri.

Naum Veqilharxhi ishte një mendimtar i shquar iluminist dhe hyri në histori edhe si ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Idetë e tij ai i shprehu në “Qarkoren”, hartuar në gjuhën greke, që u drejtoi nga Rumania, rreth mesit të viteve 40, bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri, në letrën e gjatë polemizuese dërguar nipit të vet, që i quante përpjekjet e të ungjit për çështjen shqiptare “himera” dhe në parathënien e abetares së vitit 1845. Këto janë dokumentet e para ideologjike e programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të hartuara nga një përfaqësues i intelektualëve atdhetarë shqiptarë.
Naum Veqilharxhi nisej nga koncepti dialektik se, si në natyrë, ashtu edhe në shoqëri vepron ligji i zhvillimit, se në bazë të këtij ligji kalohet nga më e ulëta në më të lartën, nga e vjetra në të renë. “Asnjë komb nuk ka rënë nga qielli”, “…shoqëria, bashkëpunimi e ka bërë njerinë”.

Fjalët e rënda që mund të thuheshin për shqiptarët, shkruante ai, “tregojnë një gjendje që shkëmbehet e nuk mbetet përjetë. Vetëm kafshët e kanë të përcaktuar fatin nga natyra. Njeriu zhvillohet nga të voglat duke përparuar”.
Në gjykimin e gjërave Naum Veqilharxhi vinte arsyen, të cilën, në kundërshtim me dogmatizmin mesjetar, e quante një mjet shumë të rëndësishëm që e ndante njeriun nga bota e kafshëve dhe e bënte zotin e të fshehtave të gjithësisë.
Sipas këtyre koncepteve filozofike Naumi trajtoi edhe çështjen shqiptare, historinë e kombit të vet dhe detyrat që qëndronin përpara vendit. Kombi shqiptar, theksonte ai, është krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë, ka karakter të veçantë, gjuhë e zakone të veçanta, shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë e fetarë dhe ruan në gjirin e tij një thesar të madh kulturor. Të ndihmoje këtë komb të fitonte ndërgjegjen dhe të zhvillohej Naum Veqilharxhi e quante “një borxh ndaj vendlermit” (vendlindjes).

Shakun kryesor të gjendjes së mjeruar në të cilën ndodhej populli shqiptar ai e shihte te “pushtimet e shpeshta”, te “përmbysjet e gjithanshme”, te “ndryshimet politike”, te “dogmat fetare”, te “padija” dhe sidomos te “lënia pas dore e gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj…”. Faktor vendimtar për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje, Naum Veqilharxhi, si iluminist, quante përhapjen e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare. “Ato kombe që mbetën në padije, – shkruante ai, – u shëmbëllejnë thjesht skllevërve…”, këto kombe “…vetëm atëherë mund të dalin nga gjendja e turpshme e mjerimit të tyre kur do të fillojnë të lëvrojnë gjuhën e tyre kombëtare…”.

Me këtë bindje dhe i ndërgjegjshëm për rrezikun që i vinte atdheut nga arsimi në gjuhë të huaj, Naum Veqilharxhi i ftonte bashkatdhetarët e tij të përhapnin arsimin dhe kulturën në gjuhën amtare. Ai u jepte zemër bashkatdhetarëve dhe i këshillonte të mos dëshpëroheshin nga gjendja e vajtueshme në të cilën ndodhej vendi i tyre. “Le të hedhim farën e mirë, – shkruante ai, – dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t’i korrë padyshim brezi i ardhmë…”.

Naum Veqilharxhi kërkonte që shkolla shqipe të ishte jo vetëm për të pasurit, por edhe për të varfrit dhe interesi i atdheut të vihej mbi interesin vetjak. Por ai nuk e prekte, veçse në mënyrë të papërcaktuar, çështjen e qëndrimit ndaj qeverisë osmane. Megjithëse kryengritjet çlirimtare në Shqipëri kishin paraqitur kërkesën e vetëqeverisjes së vendit, Naumi, me sa duket, mendonte që më parë duheshin shfrytëzuar kushtet e krijuara formalisht nga dekreti i Tanzimatit për të zhvilluar një veprimtari energjike në fushën e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare, derisa të rritej ndërgjegjja kombëtare e të arrihej bashkimi i popullit në atë shkallë që të lejonte shtrimin e çështjes së marrëdhënieve politike me Turqinë.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]