Përpjekjet për organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme (1834-1835)

Përpjekjet për organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme (1834-1835)

Kryengritjet në jug e në veri, me gjithë shtrirjen e gjerë, nuk arritën të vendosnin lidhje midis tyre dhe të siguronin qeverisjen e tokave shqiptare nga nëpunësit vendas. Ndërkohë Porta e Lartë, pasi zgjidhi konfliktin me Egjiptin, u orvat përsëri të zbatonte me forcë reformat. Kjo i dha shkak rifillimit të lëvizjes kryengritëse në Shqipëri.
Përvoja luftarake e vitit 1833 u tregoi udhëheqësve të kryengritjeve të veçanta në Toskëri dhe në Gegëri se rezultatet do të arriheshin në rast se do të organizohej një kryengritje e përgjithshme me një udhëheqje të vetme. Gjatë verës së vitit 1834 u shkëmbyen mendime ndërmjet përfaqësuesve të krahinave të ndryshme të vendit, pas të cilave u vendos të organizohej një kryengritje e tillë e përgjithshme dhe u hartua për këtë një plan i përgjithshëm operativ. Sipas këtij plani do të sulmohej në fillim kështjella e Beratit dhe, me të rënë ajo në duart e kryengritësve, gjysma e tyre, së bashku me forcat kryengritëse të Kavajës, të Tiranës e të Mirditës dhe me popullsinë e Shkodrës, do të sulmonin trupat e qeveritarit të Shkodrës, kurse gjysma tjetër, së bashku me kryengritësit e sanxhakut të Delvinës, do të sulmonin forcat e Mahmut Pashës, që kishte zëvendësuar Emin Pashën në Janinë. Ky ishte plani i parë operativ për një kryengritje të përgjithshme dhe përbënte një hap të rëndësishëm në luftën çlirimtare. Me këtë plan krerët e Shqipërisë bashkoheshin në një lidhje ushtarake mbarëshqiptare dhe merrnin në duart e tyre nismën për të vepruar bashkërisht.

Kryengritjen, ashtu siç ishte parashikuar, e filloi në vjeshtën e vitit 1834 popullsia e qytetit të Beratit, e cila rrëmbeu armët për të mbrojtur disa ushtarë që kishin ardhur me leje nga Stambolli e nuk dëshironin të ktheheshin në shërbimin ushtarak. Kryengritësit mbyllën qeveritarët në kështjellë dhe ftuan udhëheqësin e njohur të kryengritjeve të mëparshme, Tafil Buzin, për të drejtuar veprimet ushtarake. Ai sapo kishte dështuar përpara Tepelenës, së bashku me Shahin bej Delvinën, kur zbarkoi këtu nga Kreta për të organizuar një kryengritje dhe kishte pranuar amnistinë. Megjithatë, ai erdhi nga fshati i vet në Berat. Brenda një kohe të shkurtër rreth tij u grumbulluan 10 000 vullnetarë. Kryengritësit shtinë në dorë magazinat shtetërore të drithit, të cilin ia shpërndanë popullsisë.

Kryengritja u përhap shumë shpejt në krahinat e Vlorës, të Tepelenës, të Skraparit, të Tomoricës, të Mallakastrës, të Përmetit e të Beratit, në atë rreze si një vit më parë. Kjo dëshmonte për lidhje të forta ndihme e bashkëpunimi ndërmjet këtyre krahinave dhe për një ngritje të ndërgjegjes politike. Përfaqësuesit e shtatë krahinave u mblodhën në një kuvend në Berat, ku vendosën të formonin një Besëlidhje politike. Atë e drejtonte një pleqësi, e cila si një organ drejtues kolegjial bëri një ndarje pune ndërmjet anëtarëve të saj. Kryetar u zgjodh Abaz bej Lushnja nga familja e Ngurzajve. Tafil Buzi u ngarkua me drejtimin e veprimeve luftarake dhe për lidhjet me botën e jashtme, veçanërisht me Mehmet Aliun e Egjiptit. Ky i fundit interesohej gjallërisht për kryengritjet në Shqipëri, sepse i shihte si një faktor të rëndësishëm për dobësimin e fuqisë së Perandorisë Osmane, me të cilën prej kohësh ishte në konflikt. Besëlidhja nuk kishte vetëm karakter ushtarak e ndërkrahinor, por ishte edhe një organ qeverisës, i dalë nga lufta për të zëvendësuar administratën osmane. Udhëheqja e Besëlidhjes përbëhej nga krerë feudalë, përfaqësues të zejtarëve e të tregtarëve, të klerit e të fshatarësisë.

Në emër të kryengritësve, Pleqësia i paraqiti qeveritarit osman, Hamdi Pashës, kërkesat për të përjashtuar krahinat kryengritëse nga zbatimi i reformave centralizuese dhe për t’u njohur atyre një qeverisje autonome nga vetë shqiptarët. Kërkesat e Pleqësisë nuk u morën parasysh nga Porta e Lartë. Kjo i dha hov më të madh kryengritjes. Me nismën e Tafil Buzit, në Besëlidhje hynë edhe krahina e Sulovës dhe e Vërçës. Nga mesi i dhjetorit, pas 2 muaj lufte, kështjella e Beratit iu dorëzua kryengritësve. Aty u vendos një garnizon i ri i përbërë nga 100 ushtarë. Ata përfaqësonin në mënyrë të barabartë të nëntë krahinat e Besëlidhjes. Komandantët e forcave ushtarake të qytetit u zëvendësuan me kryengritës të dalluar për trimëri. U bë hapi i parë për sigurimin e vetëqeverisjes. Por plani i përgjithshëm operativ i kryengritjes së përgjithshme nuk u zbatua më tej. Porta e Lartë kishte marrë ndërkohë një varg masash për ta penguar realizimin e tij. Ajo u kishte premtuar krerëve dhe udhëheqësve të esnafëve se do të plotësonte kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, Hafëz Pasha kishte përforcuar garnizonet e Durrësit e të Kavajës me një sasi të madhe topash e municionesh. Ai thirri në Shkodër mjaft pashallarë e bejlerë që kishin marrë pjesë në hartimin e planit operativ të kryengritjes dhe u premtoi se do të hiqte dorë nga zbatimi i reformave centralizuese. Këto masa shkaktuan lëkundje e përçarje në udhëheqjen e kryengritjes.

Në këto kushte, forcat kryengritëse, pasi morën kështjellën e Beratit, nuk u nisën kundër qeveritarit të Shkodrës, ndërsa popullsia e këtij qyteti nuk u ngrit kundër sundimtarit osman. Në ditët e para të janarit 1835 Pleqësia e Beratit, duke u besuar premtimeve të Hamdi Pashës, që miratoi ndryshimet e bëra në administratën lokale, nënshkroi me të një marrëveshje për shpërndarjen e forcave kryengritëse. Kjo shënoi një fitore të Besëlidhjes së nëntë krahinave kryengritëse të Shqipërisë së Jugut pasi u ndërprenë përsëri reformat centralizuese.

Në shkurt 1835 Hamdi Pasha, që tani ishte ngritur në postin e valiut të Rumelisë, ftoi mjaft krerë shqiptarë në Manastir, disa prej të cilëve i nisi në Stamboll, kurse të tjerët i shpërbleu. Vetëm Tafil Buzi nuk u paraqit dhe, kur qeveritari osman filloi të shkelte marrëveshjen, nisi përsëri kryengritjen. Rreth 6 000-8 000 kryengritës nën drejtimin e tij vunë nën kontroll zonën Vlorë-Berat. Këtë herë kryengritja nuk pati shtrirjen e mëparshme. Pasi dështoi në Berat e në Elbasan, ai iu drejtua Janinës në krye të disa qindra kryengritësve. Në afërsi të saj Tafil Buzi shpërndau një shpallje, me të cilën u bënte thirrje shqiptarëve të ngjeshnin armët për çlirimin e atdheut të tyre. Kërkesat kryesore ishin dy: dëbimi i nëpunësve dhe i ushtarëve turq nga territoret shqiptare dhe zbritja e taksave në masën e kohërave të mëparshme. Shpallja e Tafil Buzit ishte një nga proklamatat e para ku bëhej thirrje për çlirimin e atdheut. Këtu për herë të parë flitej në emër të të gjithë vendit dhe jo vetëm të krahinave kryengritëse. Në emër të kryengritësve ai i dërgoi një mesazh Mehmet Aliut të Egjiptit, me të cilin kërkonte përkrahjen e tij.

Jehona që gjeti shpallja brenda në vend dhe kërkesa e ndihmës së Mehmet Aliut, e shqetësuan qeverinë osmane. Me masa diplomatike ajo e detyroi Mehmet Aliun të mos i përgjigjej ftesës për ndihmë, ndërsa, nga ana tjetër, dërgoi kundër kryengritësve forca të shumta ushtarake. Pas një qëndrese të ashpër e të gjatë kryengritësit nuk ishin në gjendje t’i bënin ballë armikut. Më 2 maj 1835 Tafil Buzi u detyrua të pranonte amnistinë që i propozoi valiu i Rumelisë dhe të hiqte dorë nga lufta.

Po në maj 1835 shpërtheu një kryengritje e re në krahinën e Myzeqesë. Qindra fshatarë, nën drejtimin e Alush bej Frakullës, vunë dorë mbi çifligjet shtetërore dhe i shpallën pronë të tyre. Kryengritja u përhap nga Myzeqeja në krahinat e Vlorës, të Mallakastrës e të Tepelenës. Numri i kryengritësve arriti në 7 000 veta. Me kryepleqtë e krahinave kryengritëse u organizua një kuvend në fshatin Portëzë të Fierit, ku u formua një Besëlidhje e re. Ajo do të kishte një ushtri të përhershme me rrogë për mbrojtjen e krahinave të çliruara. Shpenzimet për mbajtjen e saj do të përballoheshin prej të ardhurave të çifligjeve shtetërore. Krahinat e besëlidhura do të drejtoheshin prej kryepleqve vendas dhe vetëm këta do të kishin të bënin, në emër të Besëlidhjes, me pushtetin qendor për të dorëzuar detyrimet ndaj shtetit. Me këto vendime të kuvendit synohej të realizohej një autonomi ndërkrahinore.
Mirëpo, kryengritja e Myzeqesë nuk pati sukses për shkak të dëmeve që i solli veprimtaria përçarëse e qeveritarëve osmanë e sidomos të paqëndrueshmërisë së agallarëve e të bejlerëve vendas, të cilët, kur Porta e Lartë u premtoi se nuk do t’i prekte interesat e tyre, lidhën me të një marrëveshje bindjeje dhe nënshtrimi.

Rënia e përkohshme e lëvizjes kryengritëse në Shqipërinë e Jugut dhe trysnia që ushtroi Stambolli, e shtynë qeveritarin e Shkodrës, Hafëz Pasha të rifillonte zbatimin e reformave centralizuese dhe të shkelte premtimet e dhëna. Ai hoqi nga aparati administrativ e ushtarak vendasit e padëshiruar, ngriti taksat doganore nga 2-5 për qind, vendosi taksa të reja “të jashtëzakonshme” dhe u orvat të zbatonte reformën ushtarake. Për të zbutur këto masa qeveria osmane i dërgoi në ndihmë një ushtri prej 10 000 vetash. Popullsia e Shkodrës nuk iu bind urdhrave të tij dhe kundërshtoi të gjitha orvatjet për të zbatuar reformat. Kështu filloi një kryengritje e re shumë më e madhe se simotrat e saj me qendër në Shkodër. Më 18 maj 1835 qeveritari osman zuri tregun, kurse regjimentet e ushtrisë së rregullt morën kodrat rreth qytetit. Po atë ditë ai urdhëroi të arrestohej Hamza Kazazi, ish-komandant i rojës së qytetit, i hequr nga detyra prej Hafëz Pashës. Krisma e pushkës së Hamza Kazazit ngriti në këmbë gjithë qytetin. Luftimet zgjatën atë ditë gjashtë orë dhe përfunduan me tërheqjen e forcave qeveritare, që lanë shumë të vrarë e të plagosur.

Qëndresën e qytetit e udhëhiqte Këshilli i Ri i Përkohshëm, ku bënin pjesë përfaqësues të borgjezisë tregtare (Haxhi Abdurrahmani e Kasem Hoxha), të mjeshtërve zejtarë (Hamza Kazazi e Dasho Shkreli), të çifligarëve (Hysen bej Bushati, Ali bej Bajrami dhe Jusuf Beu) dhe një përfaqësues i klerit të ulët islam (Haxhi Idrizi). Hamza Kazazi u ngarkua me drejtimin e veprimeve ushtarake. Këshilli i Përkohshëm njihet në literaturë edhe si qeveri provizore. Si në asnjë kryengritje tjetër, këtë herë u hartua një strategji e taktikë e qartë. Forcat kryengritëse u organizuan në bazë lagjesh dhe gjithmonë ishin në pozita sulmi. Me qytetarët shkodranë u bashkuan vullnetarë nga Postriba, Gjakova, Peja, nga Malësia e Mbishkodrës, Ulqini, Podgorica, nga krahinat e Mirditës, të Matit e të Dibrës. Qindra kryengritës nga Dibra e Mati iu përgjigjën planit operativ të kryengritjes së përgjithshme dhe zbritën në drejtim të Elbasanit. Kështu, kryengritja përfshiu gati gjithë Shqipërinë e Veriut. Gjenerali francez Kybjer, komandant i forcave të Mesdheut, e quante kryengritjen një revolucion, duke i dhënë kuptimin e një lëvizjeje me një shtrirje të gjerë dhe me synimin për të flakur zgjedhën osmane.

Në pamundësi për ta shtypur me forca ushtarake, Hafëz Pasha kërkoi të dinte kërkesat e kryengritësve, të cilat ia paraqiti një delegacion i dërguar prej tyre. Kryengritësit kërkuan largimin e Hafëz Pashës nga Shkodra, dorëzimin e kështjellës një shqiptari dhe anulimin e taksave të vendosura gjatë reformave centralizuese. Një nga emisarët francezë në Prevezë shkruante në ato ditë se kryengritësit pretendonin një pavarësi të plotë ose të formonin një shtet të ngjashëm me Serbinë.
Hafëz Pasha nuk mund të pranonte kërkesa të tilla, prandaj kërkoi ndihmën e Portës së Lartë. Kryengritësit thyen forcat osmane në përleshjet që u bënë më 23-24 maj, më 2 qershor, më 9 qershor, më 24 qershor dhe më 6 korrik 1835. Më 14 korrik kryengritësit thyen në Lezhë forcat e valiut të Rumelisë, me të cilin qenë bashkuar edhe disa pashallarë shqiptarë. Pas kësaj fitoreje kryengritja u shtri në të gjithë Shqipërinë e Veriut. Porta e Lartë u detyrua të dërgojë një ushtri të rregullt prej 30 000 vetash, një nga më të mëdhatë e asaj kohe, që u vu nën komandën e sekretarit të sulltanit, Vasaf Efendiut.
Në pritje të këtyre forcave, valiu i Rumelisë hyri në bisedime me kryengritësit për të mënjanuar ndeshjet e armatosura. Ai u dorëzoi atyre një dokument (ferman) të rremë, me të cilin sulltani gjoja pranonte kërkesat e tyre.

Por lufta e gjatë kishte dëmtuar shumë zejtarët e tregtarët shkodranë, që qenë gati të largoheshin prej saj. Pjesa më e vendosur e udhëheqjes së kryengritësve, si Haxhi Idris Boksi, Dasho Shkreli etj., e kuptuan kurthin dhe e vijuan luftën. Por në ndeshjen me ushtrinë osmane më 1 shtator 1835, në afërsi të Lezhës, kryengritësit u thyen dhe u detyruan të tërhiqen drejt Shkodrës. Nga kjo gjendje e vështirë ata nuk mundën t’i nxirrnin as kryengritësit dibranë e matjanë që godisnin nga prapa krahëve ushtrinë osmane, as thirrja e Tafil Buzit drejtuar popullit shqiptar për të mos furnizuar me ushqime ushtrinë osmane. Më 18 shtator 1835 ushtria osmane, që ishte nisur nga Lezha e Ulqini, hyri në qytetin e Shkodrës. Pjesa më e vendosur e kryengritësve u largua drejt zonave malore.
Për të mos e acaruar më tej gjendjen, Porta e Lartë bëri disa lëshime, e largoi Hafëz Pashën nga Shkodra dhe e zëvendësoi shërbimin e rregullt ushtarak me një taksë në të holla, ndërsa sanxhaku i Shkodrës u përjashtua nga zbatimi i reformave centralizuese deri në vitet 50.

Por këto ishin vetëm disa fitore të pjesshme të kryengritësve, të cilët synonin vendosjen e një qeverisjeje autonome të vendit.
Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 përfshinë një pjesë të mirë të trevave shqiptare, ato nuk arritën të shndërroheshin në një kryengritje të përgjithshme, me një udhëheqje të vetme dhe me veprime të bashkërenduara. Arsyet duhen kërkuar jo vetëm në epërsinë ushtarake osmane, por edhe në papjekurinë politike të kryengritësve dhe sidomos në lëkundjet e mjaft prej krerëve feudalë e të bajraktarëve, që braktisnin luftën sa herë që Porta bënte disa lëshime ose premtonte të kënaqte interesat e tyre partikulariste.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]