FILMOTEKA


FILMOTEKA
✤ Qendër për ruajtjen, mirëmbajtjen, restaurimin dhe shfrytëzimin e filmave të gjithë periudhave. Në arkivat televizive përveç filmave ruhen videoshiritat, videodisqet, videokasetat etj. F. ruajnë gjithashtu afishet dhe gjithë materialet e tjera, që lidhen edhe me filmin.

Arkivi shqiptar i filmit lindi bashkë me kinematografinë shqiptare. U riorganizua mbi baza shkencore më 1972. Sot ka një fond të pasur filmash kronikalë, dokumentarë, artistikë e vizatimorë shqiptarë dhe të huaj, si dhe skenarë letrarë e tekniko-regjisorialë, tekste e partitura muzikore, afishe, fotografi, shkrime të shtypit të përditshëm e periodik për filmat. Hartohen katalogë, bibliografi e filmografi të ndryshme. Ka filluar krijimi i bibliotekës kinematografike dhe i muzeut të ardhshëm të kinematografisë. F. bën studime për gjetjen e filmave të xhiruar nga të huajt në të kaluarën për Shqipërinë.

Arkivi Shtetëror i Filmit qysh nga viti 1963, është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Arkivit të Filmave (FIAF) dhe ka marrëdhënie me institucionet kinematografike të huaja. Për qëllim dokumentimi, arkivi bën xhirime të posaçme filmash për figura të shquara të sotme, për ngjarje me rëndësi për historinë e vendit, për monumentet kulturore, folklorin, koreografinë, etnografinë, artin popullor si dhe për kulturën shqiptare të diasporës. Me lindjen e Televizionit Shqiptar u krijua dhe Arkivi i Televizionit, i cili ka sot një fond të rëndësishëm filmi dhe videoshiritash.

(A.Ho.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Filmoteka


[cite]