Pema e verrisë Në gjininë e vërrisë hyjnë mjaft lloje pemësh drusore dhe shkurresh. Ato zakonisht rriten në zona me klimë mesatare në Hemisferën e Veriut, në pellgun e detit Mesdhe dhe në Andet. Në vendin tonë rriten tri lloje të kësaj gjinie: vërria e zezë, vërria e bardhë dhe kulfini. Dy llojet e para, vërria e bardhë dhe e zezë, rriten shumë shpejt, prandaj përdoren shpesh për të pyllëzuar zona të zhveshura; veçanërisht për të pyllëzuar vende që mbajnë lagështirë, me qëllim që të mbrohet toka nga gërryerja dhe nga shpëlarja. Druri i vërrisë së zezë dhe të bardhë përdoret zakonisht për të bërë hunj që nevojiten për t’u ngulur në vende me ujë, sepse e përballojnë mirë lagështirën. Vërria e bardhë përdoret edhe për të bërë lodra për fëmijë, nallane etj. Vërria e bardhë e ka drurin e bardhë derisa është i njomë. Me kalimin e kohës druri i saj merr ngjyrë si të kuqërremtë. Ndërsa kulfini përdoret më tepër si bimë zbukurimi.