Kërpudhat helmuese     Mbledhësit e kërpudhave, për të përcaktuar nëse një kërpudhë hahet ose është helmuese, duhet të mbështeten në karakteristikat që dallojnë çdo lloj kërpudhe dhe nuk duhet t’u besojnë kurrë fjalëve që thuhen e që nuk kanë një bazë shkencore. Thuhet, p.sh.. se kërmijtë dhe insektet nuk i hanë kurrë kërpudhat helmuese. Por ndërkaq dihet se kërmijtë e hanë shpesh herë një lloj kërpudhe të gjinisë amanite. Gjithashtu. thuhet se kërpudhat helmuese, kur çahen e ndryshojnë ngjyrën e sipërfaqes në vendin ku janë çarë. Nga provat e bëra është konstatuar se disa lloje kërpudhash helmuese, kur çahen nuk e ndryshojnë ngjyrën dhe, e kundërta, disa kërpudha të gjinisë Boletus, që nuk janë helmuese, kur çahen e ndryshojnë ngjyrën e zakonshme të tyre dhe marrin një ngjyrë si në të kaltër.   Bëhen edhe disa prova praktike për të hetuar nëse një kërpudhë është apo jo helmuese. Kështu, p.sh., disa mendojnë se kërpudhat helmuese e nxijnë argjendin. Por kjo nuk tregon ndonjë gjë, se argjendin e nxijnë lëndë të squfuruara, të cilat mund të ndodhen si në kërpudhat helmuese dhe në ato që hahen, madje edhe në bimë të tjera. Edhe prova, që bëjnë disa të tjerë, të cilët ziejnë së bashku me kërpudhën që duan të përcaktojnë, majdanoz (majdanozi nxihet nëse kërpudha është helmuese), nuk është një provë e sigurt. Disa njerëz, para se të hanë vetë gjellën e gatuar me kërpudha, u japin të hanë më parë kafshëve. Por edhe kjo nuk është provë e sigurt, sepse karakteristikat fiziologjike të njeriut nuk janë të njëjta me ato të kafshëve dhe, nga ana tjetër, helmimi në shumë raste shfaqet vetëm 12-24 orë pasi janë ngrënë kërpudhat.

Në botën e bimëve

[cite]