FORMACIONI EFUZIV-SEDIMENTAR
✤ Shoqërim natyror shkëmbinjsh vullkanikë dhe sedimentarë të lidhur ndërmjet tyre në hapësirë dhe në kohë, i formuar si pasojë e ndërthurjes së proceseve të vullkanizmit nënujor dhe të atyre të sedimentimit. Në Albanidet janë dalluar: F.E.S. paleozoik, i ordovikian-devonianit, i përhapur në zonën e Korabit; F.E.S. triasik, i triasit të poshtëm dhe të mesëm, i përhapur në zonën e Mirditës e atë të Korabit si dhe i jurasikut të sipërm, i lidhur me ofiolitet e zonës së Mirditës, në të cilën janë përqendruar vendburimet e xeherorëve sulfurorë me prejardhje vullkanogjene-sedimentare, sidomos të xeherorëve të bakrit, si në Gjegjan, Rubik etj. Në këtë formacion përfshihen kryesisht lloje të ndryshme shkëmbinjsh vullkanikë bazikë, si bazalte, porfirite bazaltike, bazalte variolitike, spilite bajamore etj. Më pak hasen shkëmbinj vullkanikë mesatarë-acidë, si trakiliparite, andezito-dacite, porfire-trakitikë, si dhe shkëmbinj piroklastikë. Këta të fundit ndeshen më shpesh në F.E.S. paleozoik dhe në atë triasik. Ndër shkëmbinjtë sedimentarë, që ndërthuren me ata vullkanikë, më të shpeshtë janë rreshpet stralloro-deltinore, shtresat e strallit radiolaritik e më të rralla llojet e ndryshme të gëlqerorëve.
(M.Sha.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Formacioni Efuziv-Sedimentar
[cite]