Murrizi Krahas pemëve frutore që kultivohen në kopshte e në blloqe frutore, rriten në gjendje të egër edhe shumë bimë të tjera frutore, si p.sh., në vendin tonë: trashega, manaferra, qershia e egër etj., frutat e vogla të të cilave janë ngrënë e janë përdorur, para shumë e shumë shekujsh nga stërgjyshërit tanë. Një ndër këto bimë që, në gjendje të egër rritet në Alpet e Shqipërisë së Veriut, është edhe murrizi dythelbor. Murrizi dythelbor e ka drurin shumë të fortë, të rëndë, të ngjeshur dhe në ngjyrë të kuqe në të verdhë. Druri i kësaj peme përdoret për të bërë doreza veglash dhe sende të tjera. Frutat e murrizit dythelbor kërkohen mjaft nga shpendët, ndërsa lulet e tij janë të pasura me nektar e vizitohen shumë nga bletët. Lulet e kësaj bime përdoren edhe në mjekësi, për të kuruar disa sëmundje të zemrës dhe për të rregulluar presionin e gjakut.