UJËRAT NËNTOKËSORE

Shumëkujt mund t’i ketë rastisur të ndodhet në hapjen e një pusi. Një tub prej hekuri që mbaron me majë futet dalëngadalë poshtë përmes dheut dhe shkëmbinjve. Në njëfarë thellësie — mbas gjashtë metrash, mbas pesëmbëdhjetë ose tridhjetë metrash e më tepër — sonda ndesh në ujë. Kjo do të thotë se maja e tubit ka arritur në një shtresë nëntokësore ku trualli ose shkëmbi janë të ngopur me ujë, njëlloj si të jetë fjala për një sfungjer të madh. Punëtorët e shpimit dinë të gjejnë ujë në çdo vend të Tokës, bile edhe në mes të Saharasë, mjafton që të shpojnë në thellësinë e duhur. Prejardhja e ujërave nëntokësore ka qenë një nga problemet më të ndërlikuara për studiuesit e hershëm të gjeologjisë, të cilët mendonin se pjesa më e madhe e ujit qoftë mbi sipërfaqe qoftë në thellësi të Tokës, e kishte burimin në disa rezervuarë të mëdhenj në thellësi të Tokës.

Sot ne e dimë se vetëm një pjesë e ujërave nëntokësore prodhohet në brendësi të kores tokësore. Ky ujë, të cilin gjeologët e quajnë «të ri», e ka prejardhjen nga proceset kimike. Leonardo da Vinçi, i cili u mor me problemin e tharjes së kënetave, qe i pari që shprehu mendimin se uji i shiut futet nën tokë, ku formon lumenj dhe rezervuarë të nëndheshëm. Bashkë me idenë e Aristotelit, sipas të cilit Dielli «e ngre» ujin e detit dhe e bën që të bjerë mbi malet për të ushqyer lumenjtë, ideja e Leonardos e plotëson përfytyrimin e sotëm mbi ciklin e ujit në natyrë, nëpërmjet të cilit është bërë e mundur që të ruhen tokat me lagështi gjatë mijëra vjetëve.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]