GJEOKIMIA


GJEOKIMIA
✤ Shkeneë kufitare midis gjeologjisë dhe kimisë e fizikës, që studion përbërjen kimike të Tokës, ligjësitë e përhapjes e të lëvizjes (migrimit) të atomeve të elementeve kimike. Ndihmon për kërkimin e mineraleve të dobishme drejtpërdrejt me anë të metodave gjeokimike të kërkimit dhe tërthorazi, duke përcaktuar ligjësitë gjeokimike të formimit dhe përqendrimit të mineraleve e shkëmbinjve, moshën absolute të tyre si dhe në studimet për mbrojtjen e mjedisit nga ndotjet, në bujqësi etj.

Në Shqipëri Gj. u zhvillua pas Çlirimit. Në fazën e parë (vitet 60) u kryen punime të shkëputura, eksperimentime shkencore e studime të veçanta. Në fazën e mëpastajme kërkimet gjeokimike u zgjeruan, u forcua baza laboratorike dhe filloi futja e metodave matematike. Si pjesë e studimeve gjeologjike, kanë dhënë ndihmesën e tyre në kërkimin e zbulimin e disa vendburimeve të reja dhe në vlerësimin e mineralmbajtjes së mjaft zonave.

Për kryerjen e studimeve gjeokimike përdoren metodat kimike e fizike të përcaktimit të përmbajtjeve shumë të vogla të elementeve kimike dhe izotopeve të tyre, që shërbejnë si «gjurmë» për kërkimin e vendburimeve të mineraleve të dobishme. Kërkimet gjeokimike krahinore bëjnë vlerësimin kompleks të trevave të gjera dhe përcaktojnë sheshet më me perspektivë e ku duhet të bëhen kërkime më të hollësishme. Studime gjeokimike bëhen edhe në vendburimet e zbuluara të mineraleve të dobishme për të bërë vlerësiman e plotë të përbërjes kimike të xeherorëve, duke përfshirë edhe elementet që bashkëshoqërojnë mineralizimin kryesor.

(A.Ta.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gjeokimia


[cite]