GJIROKASTRA


GJIROKASTRA
✤ Një nga qytetet e vjetra d’ne më karakteristike të Shqipërisë J, qendër e rrethit të Gjirokastrës. Shtrihet në kodrat e shpatit L të Malit të Gjerë, në krahun e majtë të luginës së Drinos, në lartësinë 400 m. Popullsia 22.006. Është vendlindja e udhëheqësit të PPSH dhe të popullit shqiptar, shokut Enver Hoxha.

Gjurmët e vendbanimit të hershëm u përkasin shekujve të parë të erës së re. Duke pasur një pozitë më të mbrojtur nga vendbanimet e fushës dhe me rëndësi në rrugët nga brendësia e vendit dhe drejt J e drejt detit Jon në P, u kthye në një kështjellë (shih Kështjella e Gjirokastrës), që u bë bërthama e zhvillimit të mëtejshëm. Mori pamjen e një qendre qytetare në shek.XIII, përmendet në kronikat bizantine më 1336 me emrin Argyropolihne (qyteza e Argjiros). Në këtë kohë nisi ndërtimi i lagjeve të para në shpatet e kodrave jashtë mureve rrethuese. U përfshi në Despotatin e Ëpirit, dhe më pas u bë qendër e feudalëve shqiptarë Zenebishë në shek.XIV. U pushtua nga osmanët më 1417 dhe më 1432 në kushtet e vështira të pushtimit kishte 163 banesa. Qyteti e rimori veten në shek XVI, duke arritur më 1583 në 434 banesa dhe ishte qendër e sanxhakut të Delvinës.

Tiparet kryesore si qytet me rëndësi Gj. i mori në shek. XVII, dhe lulëzoi sidomos në v. 1800-1830,1 me ndërtimin e grupeve të banesave, që kanë vlera të mëdha arkitekturore e artistike. Lagjja Pazari i Vjetër dhe Hazmurat, në dy kreshta pothuaj paralele bëhen ansamblet e para më karakteristike. Pazari i sotëm në qendër nisi të ndërtohej nga fillimi i shek XVII, u dogj në mes të shek. XIX dhe u rindërtua tërësisht me gurë të gdhendur e në përshtatje •me vetë banesat. Lagjet Palorto e Manalat të shtrira në pjerrësi kanë ansamble monumentale me vëllime të dalluara dhe me blloqe të njëtrajtshme, me mjeshtëri janë lidhur me truallin dy ansamble të lagjes Dunavat, ndërsa në Cfakë banesat janë trajtuar më lirshëm e në harmoni me gjelbërimin. Banesa e Gj. është një nga realizimet më të shquara të banesës shqiptare, ka përshkuar një rrugë të gjatë zhvillimi dhe shfaqet në tri variante kryesore. Pamja e jashtme bashkon rreptësinë me hijeshinë e dritareve, të çardakëve, të shtyllave të lehta për strehët e gjera dhe nganjëherë me pikturat nën to. Në mjaft raste mjediset e brendshme kanë punime të gdhendjes në dru. Vlerat e mëdha arkitekturore janë një pasqyrë e natyrës së qytetit shqiptar nga mesjeta deri në kohën e re. Gjatë shek. XIX Gj. ishte kryesisht qendër administrative e shkëmbimesh tregtare, por u zhvillua edhe punimi i shajakut, i bulmetit, i mëndafshit dhe qëndistaria. Me njohje të thellë e me mjeshtëri të veçantë janë përshkruar tablotë e gjalla dhe vetë qyteti i Gj. në veprën e sh. Enver Hoxha Vite të vegjëlisë (T., 1983).

Gj. ka tradita të shquara atdhetare e revolucionare. Veprimtari e gjerë u zhvillua këtu gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në korrik 1880 u mblodh Kuvendi i Gj. Një radhë patriofësh dhanë ndihmesë në luftën për pavarësi, për arsimin e gjuhën shqipe, ndër ta Bajo Topulli e Çerçiz Topulli (shtatorja e Ç. Topullit ngrihet sot në sheshin kryesor të qytetit), Hysen Hoxha, Hasan Xhiku, Idriz Guri, Elmaz Boca etj. Më 1908 u hap shkolla «Liria» dhe më pas një sërë klubesh e shoqërish patriotike e demokratike, si klubet «Drita» e «Shpresa», shoqëritë «Kundra Bastijës», «Kandilja» etj. Më 1921 u bë një grevë e tipografëve dhe më 1925 demonstrata e bukës. Gjimnazi (1923) u bë vatër revolueionare, më 1924 u ngrit shoqëria «Studenti» në të cilën zhvilloi veprimtari sh. Enver Hoxha. Celula e parë komuniste u ngrit më 1931 dhe më 1936 u formua një degë e Grupit të Shkodrës. Ka zhvilluar veprimtari revolucionare Ali Kelmendi (shih). Populli i Gj. pushtuesin fashist e priti me urrejtje dhe vazhdoi qëndresën kundër tij me demonstrata e greva. Qarkori i PKSH u formua më 22.2.1942 dhe më 22.3.1942 qarkori i RKSH. Qytei u lidh ngushtë që në fillim me Luftën ANÇ dhe dha një kontribut të shquar gjatë saj. U kryen shumë aksione luftarake kundër pushtuesve dhe tradhtarëve, me dhjetra të rinj e të reja nga qyteti mbushën radhët e çetave, batalioneve e brigadave partizane. Zhvilluan veprimtari të gjerë revolucionare figura të shquara të luftës si Haki Toska e Myzafer Asqeriu dhe veprimtarë të tjerë si Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Fato Berberi etj, që dhanë jetën për liri. Në sheshin qendror është vendosur busti i dëshmoreve Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima (shih).

Pas Çlirimit Gj. është shndërruar në një qendër me rëndësi ekonomike, kulturore e arsimore për gjithë rrethin. Degët kryesore të prodhimit janë ind. ushqimore; ind. e lehtë me kompleksin e veshjeve, fabrikën e këpucëve, të duhanit e cigareve; uzina e prodhimeve metalike; ind. mekanike etj.

Sot Gj. ka 6 shkolla të mesme, 4 shkolla 8-vjeçare, më 1971 u hap Instituti i Lartë Pedagogjik. Biblioteka ka 92.000 vëllime. Ka Pallatin e Kulturës «A. Z. Çajupi», teatër profesionist, teatër të estradës, 2 kinema, galeri të arteve figurative, 2 stadiume. Klubi sportiv mban emrin «Luftëtari», Botohen gazeta «Pararoja» dhe gazeta në gjuhën greke «Llaiko Vima». Numërohen 23 muze, më të rëndësishmit ndër ta janë Muzeu Kombëtar i Armëve, Muzeu i Rilindjes i Gjirokastrës, Qendra Kulturore e Muzeale dhe Muzeu i Luftës ANÇ i Qarkut (shih). Më 1961 Gj. u shpall qytet muze. Çdo 5 vjet që nga v. 1968 zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar (shih). Ndërtimet dhe zona industriale pas Çlirimit janë shtrirë në rrëzë të kodrave dhe në fushë, ndërsa në pjesën muzeale të qytetit janë bërë dhe vijojnë punime të mëdha restaurimi.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gjirokastra


[cite]