GJIROKASTRITI GRIGOR
✤ (?-1828). Lëvrues i shqipes nga krahina e Gjirokastrës. Deri në prill 1821 ishte kryepeshkop i Eubesë, u burgos dy vjet nga autoritetet për pjesëmarrje në lëvizjen çlirimtare greke, më pas u shpërngul në Korfuz. Gjatë v.1823 redaktoi për shtyp dorëshkrimin e Ungjillit të Mateut, përkthyer nga Vangjel Meksi (shih). Bëri redaktimin e dorëshkrimit të plotë të Meksit dhe u kujdes për gjithë punën në shtyp për Dhjatën e re (1827). Në shtator 1827 u emërua kryepeshkop i Athinës. Vdiq në fillim të v.1828. Ka të dhëna të tërthorta se përktheu shqip edhe shtatë broshura fetare, dy prej të cilave u shtypën në Korfuz më 1824. Me njohjen e mirë të shqipes dhe me aftësitë letrare që kishte, u përpoq për një gjuhë të qartë e të kuptueshme, duke shkelur edhe kërkesat dogmatike të Shoqërisë Biblike të Londrës. Është redaktori dhe korrektori letrar parë shqiptar që njihet.
(Xh.Ll.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Gjirokastriti Grigor
[cite]