KODIKU I 13-TË, I BERATIT
(UNGJILL NË PERIKOPE)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 35 x 37.7 cm.
Sasia e fletëve: 320.
Kapakët: Prej dërrase dhe të veshur me pllaka argjendi. Këto ruajnë dy mbishkrime.
Në të parin thuhet: „Ky ungjill është punuar në kohën e Andreas e të Joanit të Papa Janit dhe
në kohën e Nikollë Anastasit dhe të Kostandinit, të bijtë e Joanit, me kontributin e tyre“. Në
shënimin e dytë thuhet: „… Dhe iu kushtua tempullit të nderuar të fjetjes së Shën Mërisë, më
1729, mars 30 – me dorën e voskopojarit Filip Anastasit“.
Dy kapakët prej argjendi kanë skena të punuara në reliev. Mbi kapakun e sipërm përfytyrohet
skena e ngjalljes së Krishtit për të çliruar të drejtët. Katër skenat e tjera përfytyrojnë katër
ungjillorët, secili duke shkruar ungjillin, mbi sfonde arkitekturore. Vetëm Gjoni qëndron mbi
një sfond shpelle dhe me katër figurat simbolike të profetit Daniel.
Në kapakun e poshtëm, në mes, përfytyrohet skena e fjetjes së Shën Mërisë, që duhet të
nënkuptojë vdekjen e saj. Katër figurat e tjera përfytyrojnë katër engjëj, ndër të cilët Mihaeli,
Gabrieli dhe Rafaeli. Secila figurë engjëlli është punuar në një pjesë të veçantë argjendi dhe
është e larë me ar. Këto janë mbërthyer mbi kapakun e sipërm prej argjendi. Sfondi prej
argjendi, si në kapakun e sipërm dhe në të poshtmin, është trajtuar (zbukuruar) prej linjash të
kurbëta e të rruzullta mbushur me lule të stilizuara, punuar me sovajkë në reliev. Figurat e
skenave ilustruese janë punuar me rrahje.
Në bazë të grafisë, datimi i kodikut duhet t’i jetë prej shekullit të 12-të deri në fillimin e shekullit
të 12-të.
Kodiku stoliset me tri vinjeta. E para është në fletën hyrëse, e dyta në fletën 85 dhe e treta në
fletën 185. Dy të parat nuk kanë ndonjë finesë, sikurse stolisjet e vinjetave të kodikëve të
mëparshëm. Vinjeta e tretë është në formën e germës „p“-pi greke – vendosur në një fushë
me linja të kryqëzuara, të përkufizuara prej linjash më të holla prej ari, në formë kafazi.
Inicialet e kodikut janë të mëdha, në ngjyrë blu, përkufizuar prej linjëzash ari. Kjo u përngjan
vinjetave të vjetra, por pa finesën e tyre. Prej ari janë dhe titujt e perikopeve. Grafia është në
ngjyrë kafe, ka vlerë artistike.
Për ruajtjen e figurave të kapakëve është mirë që këto të vendosen mbi një shtresë të butë,
që të mos dëmtohen format e figurave, se janë me vlerë artistike.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve