KODIKU I 10-TË, I VLORËS
(KATËRUNGJILLËSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 28.2 x 20.3 cm.
Sasia e fletëve: 305.
Teksti: Në një kolonë, me shkronja të tipit të periudhës së mesme, në ngjyrë kafe.

Kapakët: Prej dërrase, veshur me kadife të gjelbër dhe me dy pllaka argjendi mbi to.
Pllaka e sipërme ka figurën e Krishtit të kryqëzuar dhe e poshtmja ka figurën e Shën Vlashit,
punuar në basoreliev me sovajkë, pa ndonjë vlerë artistike. Eshtë punë e shekullit të 19-të.
Duke qenë pronë e manastirit të Shën Vlashit, në shekujt e vonët kanë punuar e vendosur
mbi të figurën e këtij shenjti.
Datimi: Kopjim i fundit të shekullit të 11-të, që mund të shkojë deri në fillim të shekullit
të 12-të.
Autori i shkrimit dëshmohet nga shënimi autograf në fund të fletës së fundit, ku thuhet: „Këto
shkrime janë të zotit Mina“.
Ky kodik nuk ka pësuar dëme, përveç pesë fletëve të fundit, të cilat janë shkëputur nga vëllimi
me gjithë kapakun.


Zbukurimet: Ky kodik është një nga më të stolisurit dhe nga më të bukurit në përgjithësi për
miniaturën e dorëshkrimeve tona mesjetare.
Në faqet që paraprijnë fillimin e çdo ungjilli ruhen skenat me figurën e ungjillorit përkatës:
– Në fletën 16 verso është skena e ungjillorit Mateu.
– Në fletën 150 verso është skena e ungjillorit Luka.
– Në fletën 236 verso është skena e ungjillorit Gjon.
– Në fletën 3 ruhet një vinjetë e vogël në formë shiriti me dy linja të bardha të gërshetuara mbi
sfond të kuq. Kjo vinjetë gjendet para listës së krerëve të çdo ungjilli.
– Në fletën para listës së perikopeve, bashkë me përmbajtjen e secilës prej këtyre, është
pikturuar nga një fasadë arkitekturore kishe të stilizuar, që qëndron mbi kolona mermeri, të
cilat japin idenë se janë solide. Këto fasada janë të stolisura me kubera, punuar me ngjyra të
ndryshme (blu, të kuqe dhe ar). Mbi to janë pikturuar zogj të ndryshëm, veçmas pallonj. Në
krye të faqes së brendshme të secilës është shkruar titulli me shkronja kapitale ari,si p.sh.:
„Krerët e Ungjillit sipas Mateut“.


Para fletës me pikturën e çdo ungjillori pikturohet një katërkëndësh kënddrejtë, përkufizuar
prej një shiriti të stolisur nga brenda prej linjash të kurbëta, të cilat lëshojnë gjethe të vogla të
stilizuara me ngjyrë blu, të gjelbër ose të kuqe. Brenda katërkëndëshit është pikturuar një
kryq i madh ngjyrë ari, nga fundi i të cilit dalin disa linja të lakuara, me të njëjtat ngjyra që kanë
dhe kornizat. Kurse pranë Ungjillit sipas Lukës, para pikturës së kishës, ruhet një fushë
katërkëndëshe stolisur gjithashtu prej linjash të kurbëta, vizatuar me ngjyrë të verdhë e të
kuqe.


Figurat e ungjillorëve janë pikturuar secila mbi një fasadë arkitekturore. Figura e Mateut gjendet
mbi një fasadë bazilike me dy pirgje të vegjël anash dhe një kambanare në mes. Ungjillori
qëndron i ulur para tavolinës së shkrimit, me mjetet e të shkruarit, duke lexuar tekstin që ka
shkruar. E gjithë skena vendoset mbi një sfond ari. Në të tria anët kjo është e përkufizuar prej
një shiriti mjaft të gjerë me lule jasemini mbi sfond ari. Shiriti sipër ka dhe një lepur, që e
vështron një dhelpër.
Figura e ungjillorit Luka duket si e pikturuar mbi një taracë të një godine me arkitekturë laikefamiljare.
Ungjillori ka tavolinën e shkrimit para dhe shihet duke ndenjur mbi një karrige pa
mbështetëse, në veprim, duke mprehur mjetet e shkrimit. Kjo ruhet relativisht shumë më
mirë nga ajo e Mateut. Figura e Lukës qëndron ndenjur me një karrige me mbështetëse,
duke shkruar ungjillin, të cilin e mban mbi gjunjë para tavolinës së shkrimit. Taraca ka një si
tendë që qëndron mbi pesë kolona, me një mbulesë në formë palme, të gjitha mbi sfond ari.
Në kornizën që e rrethon figurën, në pjesën e sipërme, është dhënë një dhelpër e strukur, që
bëhet gati për t’iu hedhur një gjeli që nuk e ka parë rrezikun.
Ungjillori Gjon pikturohet mbi një sfond shkëmbor, duke shikuar rrezet nga qielli dhe duke i
diktuar nxënësit të tij, Prohorit, që po shkruan ndenjur mbi një tavolinë. Figura e Gjonitme
Prohorin ngjan me një miniaturë të Cod. Gr. 41, i shek. të 12-të, që ruhet në Moske.
Secili ungjill në faqen fillestare sipër stoliset me nga një vinjetë në formën e germës „p“-pi
greke – me motive lulesh të stilizuara mbi sfond ari.
Titulli i çdo ungjilli shkruhet me shkronja kapitale ari.
Nistoret e çdo ungjilli janë pikturuar me ngjyrë blu dhe ar, në mënyrë artistikisht të veçantë.
Fleta e fundit 305 ruan një shënim, me dorën e peshkopit Joasaf të Beratit, që mban datën 30
mars 1889, ku thuhet se „ky kodik është pronë e kishës së Shën Vlashit të Vlorës“.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]