KODIKU I 41-TË, I BERATIT
(MARTIROLOGJIDHE JETË SHENJTORËSH)
Materiali: Letër e trashë, shumë artizanale.
Përmasat: 30 x 20 cm.
Sasia e fletëve: 152.
Teksti: Në një kolonë.
Grafia: E tipit të vonë, ngjyrë kafe të errët, kurse inicialet janë të pikturuara në forma
figurash të ndryshme.
Dëmtimet: Tri fletët e para janë dëmtuar shumë. Fleta 4 është grisur në mënyrë
vertikale, duke i lënë rreshtat e dy faqeve në fragmente, kështu që kësaj flete nuk mund t’i
nxirret përmbajtja. Prej fletës 3 deri në fletën 18 letra është dëmtuar në cepin e poshtëm,
duke mos e prekur tekstin. Shumë fletë të kodikut janë shqitur nga lidhja. Lidhja e fletëve të
kodikut është shumë e dobët. Ndërmjet fletëve 37 e 38 është grisur një fletë dhe është marrë.
Gjithashtu dhe fleta 41 është grisur e është marrë. Fletët e para dhe fletët e fundit të kodikut
nuk ruhen.
Këto dorëshkrime, të tipit „martirolog“ (gr.), kanë një rëndësi të veçantë sepse u përkasin
qendrave kishtare shqiptare ku janë gjetur. Ato tregojnë ndikime të jetës së kishës nga qendrat
kishtare nga ka ardhur „martirologu“ (dorëshkrimi).
Martirologu në fjalë, duke pasur karakter Perëndimor, që bie në sy në figurat në miniaturë, na
bën të supozojmë që duhet të jetë porositur prej princit shqiptar Karl Topisë, i cili ishte katolik,
ose duhet të jetë porositur prej princërve Balshaj, të cilët kishin nën vartësinë e tyre në atë
kohë dhe Beratin.
Përveç këtyre, ky kodik pajiset me shumë miniatura. Ka 13 figura, 7 gjysmëfigura, 30 portrete,
11 kafshë, 12 shpezë, të gjitha këto në miniaturë. Shumica e tyre janë përdorur si iniciale
(paraprirëse të tekstit). Secila prej tyre përfytyron shenjtin për të cilin flitet në kodik, ose për të
cilin është dhënë jetëshkrimi i tij. Disa prej tyre përfytyrojnë mënyrën e martirizimit të figurës,
duke u djegur në zjarr me kokë të prerë, duke u torturuar i lidhur etj.
Miniatura e këtij kodiku ndryshon nga miniaturat e kodikëve të tjerë të vendit tonë, shkruar prej
njerëzve tanë, për karakterin e saj Perëndimor. Vetëm në këtë kodik hasim miniatura jierarkësh
me veshje jierakike të kishës romane, figura mbretërish dhe portrete mbretërish me kurora
dhe veshje mbretërore Perëndimore.
Një tjetër karakteristikë e kësaj miniature qëndron në mënyrën e trajtimit të saj. Figurat janë
vizatuar të thjeshta. Forma, plastika dhe lëvizjet realizohen vetëm me anë të linjës, pikturuar
këto me akuarel, me dy ngjyra, kafe e të kuqe, disa nga të cilat janë arrirë me mjaft art.
Më të mirat janë të një miniaturisti të sprovuar, si skicograf, të një niveli të lartë artistik për
kohën kur ato janë realizuar. Këto janë pikturuar me një lehtësi prej artisti, pa sforcime, në
disa raste dhe me pozicione natyrore.
Kjo miniaturë dëshmon që piktori i saj duhet të ketë qenë nga Perëndimi. Kjo duhet të ketë
ndodhur në shekullin e 14-të, në kohën e sundimit të princit të dëgjuar shqiptar Karl Topisë,
ose në kohën e princave Balshaj, që në këtë kohë sundonin dhe Beratin. Ka të ngjarë që
kodiku të jetë porositur prej ndonjërit nga këta princa.
Pra, në bazë të grafisë dhe të miniaturës kodiku duhet t’i atribuohet shekullit të 14-të.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]