KODIKU I 60-TË, I BERATIT
(NOMOKANON – RREGULLORE KISHTARE -)
Materiali: Letër.
Përmasat: 22.2 x 15.5 cm.
Sasia e fletëve: 238.
Autori kopjues i nomokanonit: Në lidhje me këtë ruhet një mbishkrim në fletën 237, si pason:
“Ju që lexoni këtë nomokanon të Gjergjit, kujtojeni këtë që e kopjoi. Paça falje për disa gabime
që kam bërë nga padia. U shkrua me shpenzimet e të shumëdevotshmit ndër meshatarë
zotit Joan, bir i Gjergjit të hershëm. Muaji 6 gusht në vitin 1786”.
Nga këto shënime ose mbishkrime nxjerrim këto të dhëna rreth nomokanonit në fjalë: Kopjuesi
i nomokanonit është anagnost (i panjohuri) Gjergji dhe ktitori (porositësi) i tij është meshtar
Joani (Gjoni), bir i një Gjergji të hershëm. Eshtë kopjuar në gusht të vitit 1786.
Grafia: Është fare e vonë, e shekullit të 18-të. Formulimi gjuhësor është jo i mirë, gjë që
tregon nivelin e ulët kulturor në përgjithësi të krahinës burimore të autorit, Vellos, në kohën kur
e shkroi, siç rezulton prej këtij nomokanoni.
Si dhe nomokanonet e tjera, afërsisht të kësaj periudhe, edhe ky thuajse ka të njëjtën
përmbajtje, me pak diferencime të vogla. Kjo sepse nomokanonet konceptoheshin në bazë
të kanoneve të vjetra, por jepen në gjuhën e vonë për t’u kuptuar më shumë nga ata që do ta
lexojnë në atë periudhë.
Këtu më poshtë po vemë në dukje disa nga çështjet që përmban ky nomokanon:
Mbi gjykatësit, që duhet të jenë për të gjithë simpatikë; duke mos besuar fjalë pa i shqiptuar
mirë, fleta 20 recto.
Mbi drejtësinë dhe si duhet vepruar me të drejtën, fleta 20 verso.
Mbi ata që duan të bëhen peshkopë, meshtarë ose dhiakonë dhe kur ndonjëri nga këta
akuzohet, fleta 24.
Mbi klerikët dhe faljet e tyre të ndryshme dhe si gjykohen.
Mbi probleme të ndryshme klerikale.
Mbi çështje kalogjerike (të kallogjerëve); çështje murgjërie, fleta 76 verso deri në fletën 79
recto.
Nga detyrat e meshtarit: Nëse ndonjëri ka armiqësi dhe mban armiqësi të mos pranohen në
kishë dhuratat e tij, as të mos i jepet kungimi, fleta 107 verso.
Me rastin e fejesës detyrat që kanë të fejuarit, fleta 110.
Mbi shkallët (e lidhjes në gjak) që lejojnë fejesën ose ndalojnë fejesën për ata që do të fejohen,
fleta 114.
Shkallët (e trashëgimisë gjenetike) dhe fejesat, prej fletës 124 deri në fletën 136 verso. Vazhdon
mbi martesat.
Mbi trashëgiminë e fëmijëve, fl. 168.
Mbi shkresën e çështjeve që duhet të njoftojë koncilin hierarkik, në të cilin nuk është thirrur
(kleriku) e të tjera si këto që përmenden më sipër.
Kodiku ka nevojë për restaurim të kapakëve.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve