KODIKU I 42-TË, I BERATIT
(MINEJ, KALENDAR MUJOR)
Materiali: letër e trashë.
Përmasat: 25 x 21.2 cm.
Sasia e fletëve: 200.
Teksti: Në njëshkolonë. Grafia – e tipit të vonë, në ngjyrë të zezë, por bukurshkrimore,
me iniciale të mëdha në ngjyrë të kuqe.
Kapakët: Prej dërrase, të veshur me lëkurë, të stolisur me dekore, kryesisht vizuale
të presuara, në kapakun e sipërm dhe në të poshtmin.
Kodiku përmban kalendarin për katër muaj: shtatorin, tetorin, nëntorin dhe dhjetorin.
Kodiku ruan vetëm dy vinjeta, e para në fletën 95 dhe e dyta në fletën 143. Të dyja janë në
formë shiriti të gjatë, me zbukurime lineare të thjeshta. Format dhe ngjyrat, ndonëse të thjeshta,
janë harmonizuar për ta bërë miniaturën mjaft të shikueshme, duke i paraqitur ato shumë të
hirshme. E para ka më tepër elegancë, sepse mbi sfondin e kuq të shiritit kalon një linjë e
trashë e bardhë, duke lëshuar në distancë të barabartë linja të kurbëta, të cilat nga sfondi
lëshojnë tri linja të zeza, që ndahen njëra prej tjetrës prej dy ose tri pikash të zeza. Sfondi ose
fusha e shiritit përkufizohet prej bordurave të verdha. Këto ngjyra të pakta të zeza mbi të
bardhë dhe linjëza gjarpëruese e bardhë mbi sfondin e kuq i japin mjaft elegancë dekorit.
Kurse vinjeta tjetër nuk ka elegancën e së parës.
Dëmtimet: Në fletën 189 është prerë pjesa e letrës nga sipër, afërsisht 5-6 cm, dhe është
marrë bashkë me disa rreshta të tekstit. Fleta 190 është e bardhë, e pashkruar. Ana e sipërme
e fletëve ka pësuar pak dëm nga lagështia, si dhe anash.
Edhe ky kodik, sipas kaligrafisë dhe duke u nisur prej letrës së trashë, duhet t’i atribuohet
afërsisht kohës prej fundit të shekullit të 13-të deri në gjysmën e parë të shekullit të 14-të. Më
saktësisht, jo më vonë se dy dekadat e para të këtij shekulli.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve