JORGA NIKOLLA


JORGA NIKOLLA
✤ (1871-1940). Historian i njohur rumun, që ka dhënë një kontribut të vyer për historinë e popullit shqiptar, Më 1915-1916 ka botuar në gjuhë të huaja në Bukuresht disa vëllime me «Shënime dhe ekstrakte në shërbim të historisë së kryqëzatave të shek. XV» ku jepet një material i pasur dokumentar mbi luftërat antiosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së Skënderbeut. Në kpadrin e kësaj pune të madhe kërkimore, ka zbuluar më 1915 në bibliotekën Laurentiana të Firences, dokumentin e parë të gjuhës shqipe, «Formulën e pagëzimit» (1462) të shkruar nga bashkëpunëtori dhe këshilltari i ngushtë i Skënderbeut, kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli. Ka botuar më 1919 në gjuhën franceze në Bukuresht veprën «Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar» dhe një tjetër në Paris (1925) me titull «Histori e shteteve të Ballkanit deri më 1924», ku çështjet e historisë sonë zënë një vend të dukshëm. Vepra e Jorgës, megjithëse mbështetet në konceptimin idealist të historisë, paraqet interes shkencor edhe për Shqipërinë. U vra nga forcat fashiste rumune.

(Z. Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Jorga Nikolla


[cite]