LIVADHET


LIVADHET
✤ Sipërfaqe toke e mbuluar me bimë foragjere spontane ose të kultivuara, njëvjeçare e shumëvjeçare, që kryesisht kositen e më pak kulloten, dhe prodhojnë më shumë se kullotat. Janë polifite (me disa lloje gramore, bishtajore, kompozite etj.) e monofite (me një lloj: jonxhë, tërfil, telish etj.). Prodhojnë forazh për disa vjet, përdoren për njomishte, sanë etj. Bari i njomë i L. përmban 15-26% lëndë të thatë, 3-4% proteina etj. Shqipëria ka kushte klimatike e tokësore të përshtatshme për L. Përmenden L. malore të Kelmendit (Shkodër), Lumës e Shishtavecit (Kukës), Tropojës, Korabit e Lurës (Dibër), Bizës (Tiranë), Polisit (Elbasan), Çajupit (Gjirokastër), Lenies (Pogradec). Intensifikimi i bujqësisë socialiste i zgjeroi shumë tokat arë dhe pemëtore duke u pakësuar L. natyrore, por u shtuan L. e kultivuara më prodhimtare e me cilësi më të mirë. Perspektiva është shtimi i L. të kultivuara, ku, krahas jonxhës, mbillen bashkëshoqërime bimësh, kryesisht në toka të ujitshme. Ato japin prodhim kryesor barin e njomë, sanën dhe senazhin dhe me kosto më të ulët se hasëllet. L. mbrojnë tokën nga gërryerjet dhe rritin pjellorinë e saj. Ato shërbejnë gjithashtu si lëndina e rudina në parqe e lulishte, si sheshe të gjelbra për lojëra sportive e ‘argëtuese, për aeroporte etj.

(A. Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Livadhet


[cite]