LUFTA E TIRANËS


LUFTA E TIRANËS
✤ (29.10.-17.11.1944). Një nga operacionet më të mëdha, më të rëndësishme, më të ashpra e më të suksesshme që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër pushtuesve e tradhtarëve të vendit për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë. U përgatit e u zhvillua në kuadrin e Mësymjes së Përgjithshme të UNÇSH për çlirimin e plotë të Shqipërisë, ishte vazhdimi dhe kulmi i kësaj mësymjeje. U krye sipas planit operativ-strategjik që përpunoi gjatë muajve shtator-tetor Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH, shoku Enver Hoxha. Plani synonte të çlirohej me çdo kusht kryeqyteti i atdheut, Tirana dhe të shkatërrohej garnizoni armik i Tiranës; të asgjësoheshin forcat reaksionare të Legalitetit në rrethinat e Tiranës (Prezë) e të Krujës; të shkatërroheshin planet armiqësore të anglo-amerikanëve për zbarkim forcash në Durrës e në Patok; të goditeshin e të dëmtoheshin në maksimum kolonat gjermane që tërhiqeshin në rrugët automobilistike në zonën Elbasan-Tiranë-Durrës. Komanda e Korparmatës XXI Malore gjermane, duke u nisur nga rëndësia që kishte Tirana si kryeqytet i vendit dhe si rrugë e detyrueshme kalimi për forcat e saj në tërheqje, mbrojtjen e organizoi në tri vija, në të cilat kishte kryer punime fortifikuese e kishte vendosur shumë forca e mjete. Në të gjitha objektet e rëndësishme e të mëdha në qytet ishin ndërtuar pikëmbështetje. Brenda në Tiranë armiku kishte përqëndruar rreth 3000 forca gjermane, rreth 800 forca mercenare, dy grupe artilerie (12 gryka zjarri të kalibrit 75/13 mm), një nënrepart tankesh dhe shumë mortaja të lehta e të rënda. Sasia e përgjithshme e forcave armike për mbrojtjen e Tiranës dhe sigurimin e rrugëve të lëvizjes për tërheqjen e forcave të veta në zonën Elbasan-Tiranë-Durrës, arrinte rreth 10.100 veta. Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua KA I S, shtabJ i së cilës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik dhe udhëzimeve të Komandantit të Përgjithshëm. Në sektorin e Tiranës u ngarkuan të vepronin forcat e D I S (Br. I, IV dhe XXIII S). Br. II, XX, XV, dhe VII S u urdhëruan të bashkërendonin veprimet e tyre luftarake me D I S, duke goditur e shkatërruar garnizonet dhe kolonat armike gjatë rrugës Strugë-Librazhd-Elbasan-Tiranë. Morën detyrë të vepronin në drejtime të tjera të rëndësishme Br. X, XI, XII dhe XXIV S. Operacioni u realizua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator-28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor-10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11-17 nëntor). Operacioni për çlirimin e Tiranës zgjati 19 ditë, 29.10.-17.11.1944 dhe përfundoi me fitore më 17 nëntor 1944. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë (shih). Humbjet e armikut ishin të mëdha. Ai pati mhi 3000 të vrarë, ndër të cilët tre kolonelë dhe shumë të plagosur; u kapën mbi 300 robër, 25 topa (të kalibrave të ndryshëm); 4 tanke, mbi 100 mitraloza, 200 automjete, 250 karro me materiale të ndryshme, 120 kafshë, municion e shumë armatim i lehtë; u shkatërruan shumë materiale e teknikë luftarake. Gjatë veprimeve për spastrimin e kryeqytetit u arrestuan mbi 500 kuislingë e tradhtarë. Humbjet e armikut do të ishin më të mëdha, siç e pohojnë edhe vetë dokumentet e tij, po të mos u kishte lënë shteg të hapur gjermanëve, në shpinë të forcave partizane, armiku i Partisë dhe i popullit, Mehmet Shehu, atëherë komandant i D I S dhe shef i shtabit operativ, i cili, në kundërshtim me urdhrin e Komandës së Përgjithshme, nuk e bëri të plotë rrethimin e Tiranës. Nga UNÇSH vetëm në kryeqytet u vranë 127 luftëtarë. Lufta e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë frontale. Në këtë luftë u dukën qartë shkalla e lartë e organizimit të UNÇSH dhe virtytet e larta moralo-politike të saj. Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet e rrugët e tij. Më 28 nëntor 1944 në Tiranën e çliruar hyri Qeveria Demokratike e Shqipërisë.

(K. C.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lufta E Tiranës


[cite]