LUFTA E VLORËS


LUFTA E VLORËS
✤ (1920). Luftë e armatosur antiimperialiste e popullit shqiptar për çlirimin e krahinës së Vlorës të pushtuar nga imperialistët italianë në fillim të Luftës I Botërore. L. e V. nisi pas fitoreve të mëdha politike të brendshme të arritura me Kongresin e Lushnjës dhe pas tij. Vendimi për fillimin e luftës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallasë të 29 majit 1920, i cili, për organizimin e drejtimin e luftës zgjodhi komitetin «Mbrojtja Kombëtare». Organizimi në rrafsh kombëtar u bë nga komitetet e «Mbrojtjes Kombëtare» të krahinave të ndryshme të vendit edhe nga qeveria e Tiranës, e cila dha ndihmën e saj, megjithëse nuk mori pjesëzyrtarisht në luftë. L. e V. filloi më 5 qershor pasi gjenerali S. Piaçentini hodhi poshtë ultimatumin për t’i dorëzuar qeverisë së Tiranës, brenda 48 orëve, administratën e krahinës së Vlorës. L. e V. u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, të përbërë nga dy divizione me 20 mijë ushtarë, u vunë forcat e çlirimit, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arritën në rreth 4 mijë veta. Veprimet luftarake të javës së parë i përballuan forcat e krahinës së Vlorës, pastaj morën pjesë edhe ato të ardhura nga krahinat e tjera të vendit. Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet armike të krahinës, që nga Tepelena e deri në Drashovicë, me përjashtim të atij të Vlorës. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe periferinë e tij filloi më 11 qershor, pasi kishin rënë të gjitha garnizonet e tjera, me përjashtim të atij të Tepelenës, i cili u dorëzua më 21 qershor. Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë e u zhvillua me mësymje e kundërmësymje. Garnizoni italian i Vlorës përbëhej nga 7500 veta, të pajisur me mjete të blinduara, të mbështetur me aeroplanë e anije lufte. Megjithatë, trupat italiane nuk ishin në gjendje të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Nga ana tjetër situata revolucionare e krijuar në Itali, nuk e lejoi qeverinë e Romës t’i shtonte këto trupa. Kështu ajo u detyrua të pranonte kushtet e palës shqiptare dhe të nënshkruante me qeverinë e Tiranës protokollin shqiptaro-italian të 2 gushtit 1920 (shih), i cili shënon mbarimin e L. së V. Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës, të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, pushtuesit italianë u detyruan të tërhiqnin garnizonet e tyre edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. Fitorja e L. së V. krijoi gjithashtu kushte të favorshme për të përballuar agresionin e armatosur jugosllav në Koplik në fund të korrikut 1920 (shih Lufta e Koplikut), për të çliruar krahinën e Dibrës nga pushtuesit jugosllavë, në gusht 1920, dhe për përfundimin me sukses të kësaj lufte. Fitorja e L. së V. duke mënjanuar aneksimin e krahinës së Vlorës nga ana e Italisë dhe mandatin italian mbi shtetin shqiptar, u hoqi bazën pretendimeve territoriale të monarkive ballkanike fqinje në Shqipëri dhe e bëri të pavlefshëm Traktatin e Fshehtë të Londrës.

(M. Ç-Sh. L.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lufta E Vlorës


[cite]