Barok
Stili barok u shfaq kryesisht aty nga shekulli i 17-të deri në mesin e shekullit të 18-të. Emërtimin e ka marë nga fjala portugeze baroco. Në Itali përmendim: 1-Kishën e Gesu të Jezuitëve në Romë, e cila u ndërtua në vitin 1568 nga Viviola dhe është përdorur si prototip i stilit barok në Evropë. 2-Madonna della Salute në Venezia, e shekullit të 17-të. 3- Santa Maria della Pace në Romë etj. Në Spanjë stili barok arriti kulmin duke imituar kishën prototip të Gesu në Romë, por në fillimet e shekullit të 18-të lulëzoi baroku spanjoll, prej arkitektit Churriguera. Shembujt kryesorë të këtij arti janë: 1- San Isidoro el Real në Madrid, 2- Shën Joan Pagëzori në Toledo etj. Në Portugali kishat e stilit barok lulëzuan në qytetet Coimbra dhe Porto. 1- Sao Lourenco dos Grilos, 2- Sao Bento da Vitoria, 3- Santa Clara Nova, 4- Sao Pedro dos Clerigos, etj. Në Francë stili barok nuk gjeti terren të përshtatshëm për tu zhvilluar, por në shekullin e 18-të gjeti përhapje një lloj tjetër stili i quajtur rokoko, që është faza e fundit e stilit barok. Në Gjermani kishat e stilit barok ndjekin arkitekturën e Kishës Gesu të Romës. Si shembuj mund të sjellim: 1- Kishën e Shën Mihailit në Mynih, 2- Manastirin e Vies në Bavari, etj. Në Austri stili barok arriti kulmin me ndërtimin e kishës së Shën Karolit të Vienës. Në Poloni ku jezuitët patën ndikim të madh kemi ndërtimin e shumë kishave në stilin barok, prej tyre mund të përmendim: 1- Shën Petron e Krakovias, 2-Kishën e Apostujve Petro dhe Pavël në Vilva etj. Stili barok arriti deri në Rusi. Ndikime të stilit barok kemi në Kishën e Hyjlindëses në Dubrouitsi, kishën e manastirit Smolny në Leningrad etj.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)