David Selenicasi
shqiptar ortodoks David Selenicasi e kishte preardhjen nga Selenica e Kolonjës. Krijmtaria e David Selenicasit u shfaq në Voskopojë, kur në vitin 1726 ai pikturoi Kishën e Shën Kollit. Këtë e vërteton edhe mbishkrimi që gjendet mbi faqen e murit perëndimor në Kishën e Shën Kollit në Voskopojë. Të dhënat e këtij mbishkrimi vërtetojnë se ikonografin David Selenicasi në pikturimin e kishës e kanë ndihmuar Kostandini dhe Kristo dhe të tre së bashku i përfunduan pikturat murale më 18 tetor 1726. Tematika e afreskeve të pikturuara nga David Selenicasi është marrë kryesisht nga Dhiata e Re, por përveç skenave kryesore, si p.sh. “Lindja e Krishtit”, “Pagëzimi”, “Ngjallja” ose “Lindja e Shën Mërisë”, “Ungjillëzimi”, “Fjetja e Shën Mërisë” etj, ikonografi ka pikturuar edhe skena të rralla të marra nga tradita e kishës, ndër të cilat mund të veçojmë: “Këshilltar i mrekullueshëm” në të cilën paraqitet Krishti me fletë si engjëll, piktura murale “Therja e foshnjave në Betlehem”, skena e Ungjillorit Lluka duke pikturuar ikonën e parë të Shën Mërisë etj. Pasi ushtroi aktivitetin e tij ikonografik në Shqipëri, vite më vonë David Selenicasi ka pikturuar në Malin Athos afresket e kishës kushtuar Virgjëreshës Kukuzelica në Manastirin e Lavrës. Afresket e kësaj kishe janë të vitit 1715. Më 1727 ai ka pikturuar kishën e Shën Prodhromit në Kostur. David Selenicasi, duke iu përmbajtur kanoneve të kishës dhe traditës, në pikturën e tij futi edhe elemente etnografike dhe jetësore.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhorka Dhamo, Piktura murale mesjetare shqiptare, Tiranë 1974, faqe 57.
2-Theofan Popa, Ikonografët shqiptarë të shekullit XVIII, Ngjallja, tetor 1995, faqe 11.
3-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Akademia e Shkencave, Tiranë 1998, faqe 16, N.331.