Davidi
(greqisht: Δαβίδ) Davidi ishte djali i vogël i Jeseut nga fisi i Judës dhe kishte lindur në Bethlehem në vitin 1085 p. K. dhe vdiq në moshën shtatëdhjetë vjeçare. Ai u shqua që në vogëli për trimërinë e tij, si një bari i vogël që fitoi mbi Goliatin. Davidi ishte muzikant dhe poet. Aftësitë e tij poetike i tregoi në shkruarjen e psalmeve. U quajt i zgjedhuri i Perëndisë në vendin e Saulit dhe mbretëroi në fisin e Judës afërsisht shtatë vjet dhe në gjithë Izraelin 33 vjet. Gjatë mbretërimit të tij Jeruzalemi u bë kryeqytet dhe i shtriu zotërimet tutje kufinjve të Palestinës. Davidi është mbreti i parë që përmendet në gjenealogjinë e Jisuit duke i dhënë këtij të fundit origjinë mbretërore (Lluka 1, 32). Trashëgimtari i Davidit ishte Sollomoni (Libri II Samuelit 12, 24), i cili lindi nga Vithsava, gruaja e Urias (Libri II Samuelit 11, 2). Më pas Davidi u pendua për padrejtësinë që i bëri Urias dhe shkroi psalmin 50, i cili quhet ndryshe edhe psalmi i pendimit (Libri II Samuelit 12, 13). Në hebraisht David do të thotë “i dashur”.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)