Gjergj Suli

shqiptar ortodoks Gjergj Suli (1893-1947) ka lindur më 12 mars 1893 në fshatin Lekël të Tepelenës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa arsimin e mesëm e përfundoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Në vitin 1922 emigroi në Amerikë, ku punoi për 12 vjet në Boston dhe Filadelfia. Atë Gjergji ishte veprimtar i shquar i Shoqërisë “Vatra” dhe kishte miqësi të ngushtë me Imzot Theofanin. Pasi kreu seminarin u dorëzua klerik. Në vitin 1934 u kthye në Shqipëri, për të mbajtur lidhjet midis Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe asaj të diasporës. Gjithashtu shërbeu si klerik në fshatrat e zonës: Lekël, Labovë, Tërbuq, Hundkuq, Kodër, Peshtan etj. Të gjithë e donin dhe e respektonin, sepse atë Gjergji ishte i pjekur dhe i arsimuar. Me kulturën që zotëronte dinte t’i fitonte zemrat e njerëzve. Ai fliste disa gjuhë të huaja si greqisht, anglisht, frëngjisht e italisht. Vendosja e regjimit komunist e vuri në shënjestër edhe atë Gjergjin, sepse kishte qenë në Amerikë dhe mbante korrespondencë me patriotët shqiptarë të diasporës. Atë e arrestuan më 27 dhjetor të vitit 1946 me akuzën: “bashkëpunëtor i anglo-amerikanëve dhe kundërshtar i regjimit”. Në gjyqin që u bë në 14 janar të vitit 1947 atë Gjergji u dënua me pushkatim. Xhelatët e kuq u habitën nga qëndrimi i atë Gjergjit, i cili e dorëzoi shpirtin te Perëndia duke bërë shenjën e kryqit.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Llukan Stavro, At Gjergj Suli, Ngjallja, janar 1999, faqe 9.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]