Grigori i Madh

Grigori i Madh

(greqisht: Γρηγόριος ο Μέγας) Grigori i Madh (540-604) ka lindur në vitin 540 dhe e kishte origjinën nga Roma. Në vitet 572-573 në saj të aftësive të tij, u ngrit në rang të lartë politik, të cilin e braktisi me vdekjen e të atit në vitin 575. Pasi ua shpërndau pasurinë njerëzve në nevojë, iu përkushtua jetës monakale dhe themeloi shumë manastire. Në vitin 590 u zgjodh Papë i Romës, ku aktiviteti i tij qe shumë i madh. Grigori i Madh dërgoi murgun Augustin të Kantërburit dhe një grup misionarësh për të ungjillëzuar Anglinë. U shqua si organizator i mirë dhe luftëtar i vendosur ndaj herezive, kryesisht të “Tre kapitujve”. Grigori themeloi shkollën e psalltëve, e cila u quajt Schola cantorum. Në vitin 587 mori titullin “Universalis Papas”. Fjeti më 604 i nderuar nga të gjithë. Kisha e shpalli shenjt dhe kremtohet më 12 mars. Shkrimet: 1) Libri i Dialogjeve (Liber Dialogorum) u shkrua në vitet 593-594. Ky libër është në formë dialogu ndërmjet tij dhe kryedhjakut Petro, prandaj quhet ndryshe Grigor Dialogu. Libri përbëhen prej katër pjesësh dhe përmban Dialog rreth jetës dhe çudive të etërve italianë, të cilat u përkthyen greqisht prej papa Zaharias (741-752). 2) Doracaku pastoral (Liber Regulae Pastoralis) që u shkrua në vitin 591 dhe është vepra kryesore e tij. Libri ka ngjallur interes në qarqet kishtare të kishës romanokatolike. Kjo vepër u pëlqye në lindje. Vetë Grigori në një letër pastorale të tij, të shkruar në vitin 602, përmend se libri është përkthyer greqisht prej patrikut të Antiokisë Anastasit II (599-609). Ky përkthim fatkeqësisht ka humbur. 3) Marali i Iobit (Moralia in Job), në 35 libra, vepër që u shkrua në vitin 595. Këtë libër Grigori ia kushtoi mikut të tij Leandro Sevilit. 4) Fjalime. Kanë shpëtuar 40 fjalime rreth Ungjijve. Këto u shkruan rreth viteve 591-592. 5), 6) Liturgjike. Sacramentarium Gregorianum. 7) Himne, të cilat quhen Cantus Gregorianus. 8) Letrat. Kanë shpëtuar 854 letra të Grigorit, të cilat flasin për çështje të organizimit kishtar.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Jacques Le Goff, Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar, Toena, Tiranë 1998, faqe 484.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]