Ignati

(greqisht: Ιγνάτιος) Ignati (70-107) ishte i dyti sipas radhës Episkop i Antiokisë rreth viteve 70. Ai quhej Hyjmbajtësi, sepse kur ishte fëmijë Krishti e solli si shembull: “Jesui, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre dhe tha:- Nëse nuk ktheheni dhe të bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni në Mbretërinë e Qiejve. Kushdo që pranon një fëmijë të vogël si ky në emërin tim, më pranon mua” (Matheu 18, 2-5). Ignati ishte nxënës ungjillor Joanit së bashku me Polikarpin, i cili u bë episkop i Smirnës. Ai u dorëzua episkop i Antiokisë dhe udhëhoqi grigjën gjatë viteve 68- 70. Gjatë përndjekjeve të Trajanit, atë e kapin dhe e dërgojnë në Antioki. Prej andej nëpërmjet liqenit të Selevkisë duke udhëtuar me anije arriti në brigjet e Kilikisë, në vijim ndoqi rrugën tokësore nëpërmjet Azisë së Vogël dhe shkoi në qytetin e Filadelfias ku pushoi pak. Më pas në Smirni dhe Troadha ku e shoqëronte dhjaku Vuros, e prej aty në Neapoli që i përket Kavallës së sotme. Nga Neapoli nëpërmjet Maqedonisë kalon udhën Egnatia ku mbërriti në Iliri. Nga porti i Durrësit me linjë detare vajti në Brindizi dhe që andej duke marshuar më këmbë e shpunë në Romë ku u martirizua rreth vitit 107. Kisha e shpalli shenjt dhe kujtimin e tij e festojmë më 20 dhjetor. Shkrimet: Ignati i Antiokisë shkroi shtatë letra, katër prej të cilave drejtuar Efesianëve, Magnezëve, Tralianëve dhe Romakëve. Këto letra Ignati i shkroi në Smirni ndërsa e shpinin për në Romë. Tri letrat e tjera drejtuar Filadelfias, Smirneut dhe Polikarpit të Smirnit i shkroi në Troadhë. Pasi lanë Smirnën, Ignati dhe rojet e tij shkelën në Troas, ku bënë një ndalesë përpara se të kalonin me det në Neapoli. Nga Troasi, Ignati shkroi tre letrat e tij të fundit. Ndërsa temat e tyre janë ato të njohurat, njëshmëria e Kishës dhe herezitë, e veçanta e rëndësisë së tyre është se ato u drejtohen kishave të cilat Ignati tashmë i ka vizituar. (Filadelfia ndodhet në rrugën që çon nga Laodicea në Smirnë). Sidoqoftë, letrat pasqyrojnë çështjet e mësimeve të rreme në detaje. Letra për filadelfianët tregon natyrën e gabimeve judaike të cilat janë prekur më parë në letrën për magnezianët; ndërsa ajo për smirneasit shtrihet mbi docetizmin. Dy miq të Ignatit, dhiakonët Filo dhe Reus Agathopus, duket se janë bashkuar me të në Troas pas një qëndrimi në Filadelfi. Ata sollën të reja nga Kisha e atjeshme si dhe mbi faktin se elementët kundërshtues të atjeshëm i kishin fyer dhe kishin sulmuar dëshmorin (kryet 6:3, 11). Për t’iu përgjigjur këtyre akuzave dhe për të çjerrë maskën e gabimeve të kundërshtarëve të tij, Iganti shkroi këtë letër.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]