Kostandinopoja
(greqisht: Κωνσταντινούπολη) Kostandinopoja u themelua më 18 nëntor 324 dhe do të thotë qyteti i Kostandinit. I frymëzuar nga një shenjë hyjnore, perandori Kostandin zgjodhi qytetin e vogël të Bizantit, i cili qe në një pozicion që lidhte Lindjen me Perëndimin. Duke u udhëhequr nga një engjëll ai caktoi vetë kufinjtë e qytetit të ri dhe urdhëroi Eufratin, kryetarin e punimeve që të mos kursente asgjë për ta pajisur me monumente dhe rrugë publike, që t’ia kalonte për nga madhështia e lavdia të gjitha qyteteve të botës. Punimet u kryen shumë shpejt dhe më 11 gusht 330 me rastin e 25 vjetorit të mbretërimit të Kostandinit u bë inagurimi. Një mur që shtrihej nga bregu i Marmarasë e deri në Bririn e Artë, e mbronte prej sulmeve tokësore. Për të zbukuruar forumin që mbante emrin e tij, perandori kishte ndërtuar dy harqe triumfi dhe një kolonë guri, në majë të së cilës ngrihej statuja e vet, e stolisur me emblemat e Apolonit. Pastaj vinin kishat, ajo e Apostujve të Shenjtë, e caktuar për varret perandorake, e Shën Irenës dhe më e famshmja e Shën Sofisë. Më pas vinte hipodromi që ishte qendra e jetës publike. Vetëm tre monumente i qëndrojnë ende kohës dhe flasin për madhështinë e Bizantit. Këto janë: Ujësjellësi i Valensës, Muri i Madh dhe Shën Sofia. Kostandini nuk nguroi të ripte Romën, Aleksandrinë, Efesin e Athinës për ta pajisur kryeqytetin e vet me sende nga më antiket.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)