Mozaiku

(greqisht: μωσαϊκό) Mozaiku është pikturë monumentale dekorative e punuar me gurë kubikë të vegjël prej qelqi, qeramike, ose ndonjë materiali tjetër të qëndrueshëm me ngjyra. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar një pasuri të madhe mozaikësh, sidomos në ultësirën bregdetare të vendit tonë. Mjaft prej tyre janë zbuluar në Shkodër, Durrës, Apoloni, Sarandë, Butrint etj. Vendi ynë ka një sipërfaqe prej 200 metrash katrorë mozaikë të lashtë dhe të kohës së vonë antike. Mozaiku më i hershëm është zbuluar në shekullin III–IV para Krishtit në Durrës. Ai paraqet portretin e një gruaje, prandaj është quajtur edhe “Bukuroshja e Durrësit”. Shumica e mozaikëve të zbuluar në vendin tonë tregojnë se kanë qenë dysheme kishash, paraklisesh të krishtera ose dysheme pagëzimoresh. Kjo vërtetohet me mozaikët e zbuluar në Sarandë, Butrint, Arapaj në Durrës, në kishën e Shën Joanit në Tiranë etj. Nëpër këta mozaikë janë pasqyruar mjaft simbole të krishtera: p.sh. ato të bimëve në formë zemre te mozaikët e Butrintit, Shenja e Kryqit te mozaikët e Sarandës, peshku te ata të Linit në Pogradec etj. Secili prej këtyre simboleve ka kuptimin e tij. Kështu p.sh. në simbolin e peshkut është shkruar IXTHYS që ka kuptimin “Jisu Krishti Biri i Shpëtimtarit”. Në mozaikët e shumtë të kësaj kohe ne shohim degën e hardhisë, veshët e rrushit si simbole të eukaristisë hyjnore, palloin si simbolin e mëshirës etj. Në mozaikun e zbuluar pranë postë– telegrafit të Sarandës lexohet qartë fjala “Presviter” që do të thotë (shërbyes në tempull). Po në këtë monument paraqitet edhe figura e Delfinit. Në shumë mozaikë të tjerë vëmë re Shenjën e Kryqit të vendosur brenda një rrethi të dyfishtë. Në shekujt e parë të krishterimit vërejmë se nga gurët e zallit u kalua në kubikë të prerë prej mermeri, balte të pjekur e qelqi. Mozaikët e shekujve të parë janë të zinj të vendosur në sfonde të bardhë.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhori Qiriazi, Krishterimi në Shqipëri, Tiranë 2000, faqe 23,24.
2-Mozaiku në Lin do të shihet prej Xhamit, Gazeta Shqiptare, 3 maj 2001, faqe 19.

Besimi — Ortodoks

[cite]