Pashka
(greqisht: Πάσχα) Pashka do të thotë kalim. Pashka është përkthimi i fjalës hebraike “Fashek”, që në gjuhën greke do të thotë kalim. Siç përmendet edhe në librin e Eksodit (12, 11), termi Pashkë bën fjalë kryesisht për ngjarjen e daljes së izraelitëve nga Egjipti dhe të shpëtimit të popullit të Perëndisë gjatë natës së Eksodit. Mbas vendosjes së hebrenjve në tokën e premtuar në Palestinë, festimi i Pashkës ishte ngjarja më e rëndësishme e popullit të zgjedhur të Perëndisë. Pashka festohej më datën 15 të muajit Nisan, si përkujtim i daljes nga skllavëria e Egjiptit dhe e kalimit të Detit të Kuq. Në vigjilje të festës, pra të premten më datën 14 të Nisanit, therrej qengji dhe të shtunën, festohej Pashka. Pashka judaike ishte si prototip i ngjarjeve të mëvonshme të jetës së Jisuit. Krishti e festoi Pashkën të enjten në mbrëmje, pra më datën 13 të muajit Nisan, gjatë Darkës Mistike. Të nesërmen më datën 14 të muajit Nisan “qengji i Perëndisë” u sakrifikua (u kryqëzua). Mund të themi se Pashka judaike ishte festa përkujtimore e eksodit, ndërsa Pashka kristiane ishte përkujtimi dhe përjetimi i Ngjalljes së Krishtit, i cili u sakrifikua në kryq për shpëtimin e njerëzimit. Në rastin e Pashkës judaike kemi kalimin nga skllavëria e Egjiptit, ndërsa me Pashkën kristiane kemi kalimin nga robërimi i mëkatit, në Ngjalljen. Qengji simbolizon Krishtin, ndërsa gjaku i qengjit simbolizon gjakun e Krishtit. Kalimi i Detit të Kuq simbolizon Pagëzimin e Shenjtë dhe kalimin nga robëria e mëkatit. Pashka kremtohej në muajin Nisan dhe ishte një festë e lëvizshme.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)