Pavli Haxhillazi
shqiptar ortodoks Pavli Haxhillazi ka lindur në Elbasan më 7.2.1941. Mësimet e para dhe shkollën e mesme pedagogjike i ka kryer në vendlindje. Studimet e larta i ka përfunduar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe, në vitet 1958-1962. Në vjeshtën e vitit 1962 u emërua në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë të Universitetit të Tiranës si punonjës shkencor dhe më pas ka vijuar punën në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku punon dhe sot si leksikolog e leksikograf. Prof. em. dr. Pavli Haxhillazi është bashkautor në disa vepra themelore të gjuhësisë shqiptare: – Fjalor i gjuhës së sotme shqipe (Tiranë, 1980); – Fjalor i shqipes së sotme (Tiranë, 1984); – Fjalor i shqipes së sotme (Tiranë, 2002); – Fjalor i shqipes së Plavës e të Gucisë (Tiranë, 2004); – Fjalor i gjuhës shqipe (Tiranë, 2006); Prej më shumë se 15 vjetësh është anëtar i redaksisë së revistës shkencore “Gjuha jonë”, që e boton Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Së fundi ka përgatitur si bashkautor dy vepra kushtuar Kryepeshkopit të parë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Dr. Visarion Xhuvanit: Vepra (Tiranë, 2007) dhe Na flet Visarion Xhuvani. Prof. em. dr. Pavli Haxhillazit i është dhënë “Pena e artë” për vitin 2008.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)