Pavli

(greqisht: Παύλος) person biblik Pavli (+67) ka lindur në qytetin Tarso të Kilikisë, nga prindër judej të diasporës, të cilët gëzonin të drejtën civile romake (Vep. 22:3). Emri i tij ishte Saul dhe shkonte në shkollën e Sinagogës. Gjithashtu ushtronte zanatin e thurësit të tendave. Më vonë studioi te fariseu Gamaliel dhe përgatitej të bëhej Rabin. Ishte fanatik në fenë judaike dhe persekutonte pa mëshirë të krishterët. Ai mori pjesë në vrasjen me gurë të Kryedhjakonit Stefan. Madje kërkoi autorizimin nga Sinedri, që t’i përndiqte të krishterët dhe jashtë kufijve të Palestinës. Në kohën që po shkonte për një mision në Damask të Sirisë, rreth vitit 34, kaloi në fenë e krishterë në rrethana të çuditshme (Vep.Ap.22:6-8). Sapo mbërriti në Damask, ai u pagëzua nga një i krishterë që quhej Anania. Menjëherë pas pagëzimit filloi të predikonte mësimet e Krishtit në Sinagogë. Kjo gjë shkaktoi zemërimin e judejve, të cilët deshën ta vrisnin, por e shpëtuan të krishterët, duke e zbritur me një kosh nga muret e qytetit. Nga Damasku u nis drejt shkretëtirës së Arabisë, ku qëndroi rreth tre vjet, duke u lutur e kreshmuar. Më pas u kthye në Jerusalem, ku u njoh me apostujt dhe filloi të predikonte krishterimin me zell të madh. Judejtë e kërcënuan përsëri dhe rreth vitit 45 u detyrua të shkonte në Antioki. Nga Antiokia filloi udhëtimet misionare. Udhëtimin e parë misionar e bëri në vitin 46, i shoqëruar nga Barnaba dhe deri në njëfarë vendi nga Ungjillor Marku. Në udhëtimin e dytë misionar, që zgjati prej viteve 50- 53, Pali i shoqëruar nga nxënësi i tij Sila, vizitoi më parë kishat që kishte formuar. Rrugës për në Listër mori edhe Timotheun. Udhëtimi i tretë filloi në pranverën e vitit 53 dhe zgjati deri në verën e vitit 56. Gjatë këtij udhëtimi, qëndroi dy vjet e gjysmë në Efes, nga ku u detyrua të largohej pas një kryengritje të paganëve kundër tij, të udhëhequr nga argjendari Dhimitër. Ky i fundit punonte tempuj të vegjël të Artemidës dhe duke parë se fitimet po i pakësoheshin nga suksesi i predikimeve të apostull Pavlit, nxiti edhe të tjerët në revoltë. Rrëmuja e krijuar në Efes e detyroi Pavlin të shkonte në Maqedoni e prej andej në Iliri. Fakti që apostull Pavli ka predikuar Ungjillin në Iliri, përmendet te letra drejtuar Romakëve (15:19) “Nga Jerusalemi e deri në Iliri kam kryer shërbimin e Krishtit”. Në atë kohë Iliria bënte pjesë në dioqezën Romake të Maqedonisë, të quajtur Provincia Maqedonia. Nga Iliria Apostull Pavli vajti në Greqi dhe më pas u kthye në Jerusalem rreth vitit 58, ku u arrestua dhe u burgos në kështjellën Antonia. Prej andej e shpunë të shoqëruar në Qezare përpara Prokonsullit Romak Feliks, i cili e mbajti dy vjet në burg, deri në vitin 60. Por Feliksin e zvendësoi Proc Festi, i cili deshi ta dërgonte Pavlin në Jerusalem, mirëpo apostull Pavli nuk dëshironte të binte në duart e judejve. Si shtetas romak që ishte kërkoi të gjykohej nga vetë Perandori Neron. Udhëtimi për në Romë ishte plot rreziqe dhe peripeci. Në Romë nuk e burgosën, por e lanë të lirë nën mbikqyrjen e autoriteteve përkatëse. Atje qëndroi dy vjet (61-63) duke tërhequr në fenë e re shumë njerëz. Në vjeshtën e vitit 66 burgoset përsëri (2 Tim. 8). Gjatë kohës së qëndrimit në Romë u martirizua më 29 qershor të vitit 67 duke i prerë kokën me shpatë.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Arkimandrit Justini, Nga thesari i shenjtorëve, botim i K.A.Sh-it, Tiranë 2004, faqe 208-210.
2-Jovan Joco, Të dhëna mbi mbretin e Shenjtorëve dhe disa shenjtorë, Korçë, faqe 38-40.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]